Arlind Hafizi, tre vite pa të ëmën dhe dëshira për t’u bërë mjek

Ornela

Entela Resuli

 Ishte 31 gushti i 3 viteve më parë, dita që arma e ish-bashkëshortit i mori jetën gjyqtares Fildeze Hafizi, një denoncuese e fortë e dhunës në familje. Pafuqishmëria e policisë për të mbrojtur jetën e një gjyqtareje që premtonte shumë ishte ajo që tronditi opinionin shqiptar, por dhe vetë sistemin e drejtësisë.

Fildezi shquhej për vullnetin e saj të hekurt dhe duket se këtë ja kish mirë-edukuar edhe dy fëmijëve që la pas, Melisës që asokohe ishte në vitin e parë gjimnaz, por edhe Arlindit që sapo kish mbyllur shkollën 9 vjeçare. Fëmijët iu besuan në përkujdesje tezes Armela dhe dy gjyshërve nga nëna, Benjamin dhe Nafije Hafizi.

Ku janë sot pas afro 3 vitesh Melisa dhe Arlindi? Cili është rrugëtimi që kanë ndjekur?

Ndërsa kontaktojmë me miken e nënës së tyre, Majlinda Keta, kjo e fundit flet plot optimizëm për atë ç’ka këto dy fëmijë zotërojnë nga e ëma.

“Melisa dhe Arlindi i ngjajnë shumë nënës së tyre, sfidueses nga më të rrallat që kam njohur. Janë të dashur dhe mirënjohës si dhe ajo. Lumturohem që po realizojnë plotësisht atë ç’ka nëna e tyre ja dëshironte në jetë, të qenit njerëzor, vullnetplotë, të pasionuar me dijen dhe shkollimin dhe të dashur me miqtë e mbështetësit e tyre. Ato u rritën mes dashurisë së gjyshërve dhe kujdesit të tezes së tyre.

Melisa në rrugën për arkitekte me studime tek UJP “Polis” dhe Arlindi maturanti i shkëlqyer i shkollës jopublike “New York” jo vetëm rivlerojnë emrin e nënës por edhe mbështetësit në këtë rrugëtim, duke filluar me gjyshërit e tezen, bashkiakun Veliaj që institucionalisht u angazhua në asistencën për to por edhe dy institucionet arsimore jopublike të cilët mbështetën dhe investuan seriozisht për formimin e tyre.

Edhe unë personalisht i jam mirënjohëse Zj. Lidra Mejdani dhe Z.  Besnik Aliaj për atë çfarë kanë kontribuar për këto dy fëmijë”.

Ne kemi biseduar me Arlindin dhe po sjellim këtë intervistë të tijën sot në Dita. Ai është në ditë provimesh, por edhe me ankthin për t’ia dal të fitoi degën që dëshiron, mjekësin.

 

-Arlind, na trego diçka për veten, të të njohim pak më tepër?

Përshëndetje, unë jam Arlindi, nxënës i klasës së dymbëdhjetë në shkollën “New York High School”. Epiteti më i mirë me të cilin do të etiketoja veten është i vullnetshëm, këmbëngulës dhe me ide të qarta për të ardhmen time. Jam gjithmonë në rrugën e duhur drejt përmbushjes së qëllimeve që i kam vendosur vetes.

-Ju vini në historinë e Maturantëve shqiptarë nën histori tepër të veçanta. Cilat prej tyre mendoni se ju bëjnë të tillë dhe cilat prej tyre nuk do t”i harroni kurrë?

 Historia ime përfshin kushte jokonvencionale familjare. Edhe duke marrë parasysh këto vështirësi, e konsideroj veten një person me fat për vetë prezencën e shumë njerëzve dhe institucioneve të cilat më kanë ndihmuar në mënyra nga më të ndryshmet. Këtu do të doja të veçoja gjimnazin “New York High School” i cili ka mundësuar edukimin tim përgjatë këtyre tre viteve si edhe Bashkinë e Tiranës e cila ka qenë e gatshme të ndihmojë në çdo pengesë përgjatë rrugës. Mendoj se në jetë nuk duhet  të harrohen kurrë të mirat.

 -Si kanë qenë këto vite shkollimi për ju dhe çfarë do të dëshironit të ndryshonte shkolla e mesme shqiptare?

 Për aq kohë sa mund të kujtohem, ëndrra ime ka qenë të bëhem një mjek i zoti. Mundësia e shpëtimit të jetës së dikujt ose përmirësimit të cilësisë së saj me mbush me gëzim. Kjo dëshirë e imja është rritur gjithnjë e më shumë dhe kapi majat në periudhën e gjimnazit kur edhe gjeti mbështetjen e një ekipi të përkushtuar si ai i shkollës time. Megjithatë unë besoj se kudo ka vend për përmirësim. Mendoj se sistemi arsimor dhe sidomos ai i shkollës së mesme do të përfitonte shumë nga orët e Edukimit Mjedisor. Jam i mendimit se të rinjtë shqiptarë nuk janë aq të lidhur me natyrën e vendit të tyre dhe për rrjedhojë nuk janë aq të përkushtuar që ta mbrojnë.

-Ju jeni Matura Shtetërore 2020-të, për çfarë do e kujtoni më shumë këtë periudhë?

  Vitin e maturës do ta kujtoj gjithmonë si vitin më të çuditshëm të shkollimit tim. Së pari përjetuam një situatë sizmike të pazakontë për vendin tonë gjë që herë na trembi e herë na tërhoqi vëmendjen drejt gjërave të rëndësishme të jetës. Për më tej situata me virusin COVID-19 ishte krejt e panjohur për ne. Mësimi online ishte një eksperiencë sa e interesante aq edhe e vështirë. Së fundmi do ta kujtoj maturën 2020 si atë vit kur maturantët u ngritën kundër një dukurie të cilën e cilësojnë të padrejtë,dukuri kjo e cila ka potencialin të devijojë të ardhmen e secilit prej nesh duke na bërë të ndihemi të pasigurt për realizimin e ëndrrave tona,të pavlerësuar për mundin e tre viteve si edhe te zhgënjyer. Megjithatë maturantët treguan se janë në gjendje të sjellin ndryshim në komunitet.

-Rezultatet tuaja të Maturës mendoni do e përmbushin ëndrrën tuaj për të studiuar në mjekësi? Ku dëshiron të studiosh, në Shqipëri apo jashtë saj dhe pse?

Për të studiuar në degën e mjekësisë nevojiten rezultate shumë të larta. Unë kam punuar fort për të arritur këto rezultate dhe ia kam dalë mbanë. Megjithatë provimet e maturës ishin sfida e fundit për mua ku do të veçoja si më të vështirin provimin e Gjuhës Shqipe e Letërsisë. Megjithatë shpresoj që rezultatet e mia të jenë të mjaftueshme për pranimin në Universitetin e Mjekësisë. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të studioj jashtë Shqipërisë pasi universitetet e huaja janë më të vlerësuara e më të akredituara se ato shqiptare. Nga ana tjetër kjo zgjedhje është thuajse e pamundur për shkak të tarifave të larta të studimit dhe kostove të jetesës.

-Ku e mendon veten pas 10 vitesh? 

Shpresoj që  pas 10 vitesh të jem në rrugën e duhur drejt realizimit të ëndrrës time pra të jem një mjek i mirë dhe një qytetar i denjë. Mbështetësit e mi do të jenë patjetër familja ime dhe miqtë e mi të cilët më kanë motivuar në çdo hap të rrugëtimit tim. Gjithashtu mendoj se në krah do të kem edhe institucionet jo vetëm arsimore por edhe më tej.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *