Armë e flamuri i ISIS-it ju gjetën të arrestuarit në Deçan

Saimir Lleshi

Raporti i balistikës dhe ekzaminimi i telefonatave do të tregojnë nëse me armët që iu gjetën të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit, u gjuajt në dy sulmet në Gorazhdec apo në ndonjë sulm tjetër.

Nëse kjo vërtetohet ata do të dyshohen për sulme terroriste. Ndryshe, Prokuroria po heton ata për armëmbajtje pa leje .

Një flamur i zi me mbishkrime në gjuhën arabe që besohet të jetë simbol i organizatës terroriste – “Shtetit Islamik”, është gjetur nga Policia gjatë bastisjes në shtëpinë e Kushtrim Kurtit nga Gjakova, që është njëri prej katër të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Megjithatë, Arben Ymeri nga Zllatari i Prishtinës, Alban Kelmendi nga Ferizaj, Kushtrim Kurti dhe Kushtrim Rama nga Gjakova në këtë fazë po hetohen vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë bastisjeve në veturën e tyre u gjetën armë, sikurse armatim është gjetur edhe gjatë bastisjes së shtëpive.

Valbona Disha – Haxhosaj, prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka thënë për “Zërin” se meqë të dyshuarve iu është gjetur një sasi armatimi në momentin e arrestimit si dhe gjatë bastisjes, atëherë hetimet janë duke u bërë për armëmbajtje pa leje.

“Derisa të ekzaminohen provat tjera këta janë duke u dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje”, ka thënë prokurorja Disha – Haxhosaj, pa dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin e as pa dashur të komentojë deklaratat në lidhje me organizimin e një grupi terrorist që synonte të sulmojë Manastirin e Deçanit. /Zëri/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *