Nga Ylli Musta
Në një shkrim botuar në “Dita”, dt. 27/9/2017, nga z. B. Islami, mes të tjerash shkruhet: “Nacionalçlirimtarët u bënë me anglo-amerikanët. Majori i vetëm sovjetik erdhi në fundin e majit 1944, kur lufta po mbaronte dhe, me përjashtim të vetes, nuk solli asnjë armë” (!).
Mendoj se në këto pak radhë u bëhet si kalimthi njëfarë shtrembërimi dhe deformimi disa të vërtetave rreth Luftës Nacionalçlirimtare. Tendencioziteti është i lexueshëm qartësisht në këto rreshta: Pra, në fund të fundit, lufta partizane u bë në sajë të armëve të siguruara nga prezenca e misioneve anglo-amerikane pranë shtabit partizan të luftës, ndërsa sovjetikët, “kontribuuan” nga fundi i luftës me një major që erdhi me duar në xhepa…!
Është e dëshmuar botërisht, nga autoriteti më i lartë i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane shqiptare, Enver Hoxha, por edhe nga studiues e historianë anglezë, se ndihmat në armatime të hedhura me parashutë në malet e Shqipërisë, nga misionet anglo-amerikane, ishin modeste, simbolike, dëshmi e solidaritetit dhe e aleancës antifashiste. Se lufta partizane nuk u bazua në armët që mund të dhuroheshin si ndihma, nga kushdo qoftë, por në armët që do t’i rrëmbeheshin armikut në luftë e sipër. Kështu ka ndodhur gjithnjë në historinë e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar. Këtë e ilustron bukur edhe ajo kënga kuptimplote e viteve të luftës: “Në mos keni armë, gjeni/ Ia rrëmbeni atij qeni…”, ose edhe kënga më e hershme për Selam Musanë dhe djemtë e tij, që, në luftën e Vlorës të vitit 1920, e zunë “topin nga grika”, pra me duar! Mbi këtë filozofi u krijua dhe u organizua Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar që çoi në fitoren e madhe të 29 Nëntorit 1944. Çdo lloj pretendimi, apo edhe aluzioni tjetër, është i pabazë. Për të mos thënë pastaj edhe disa të vërteta të hidhura që nuk mund të kapërdihen, siç është fakti që anglo-amerikanët, njëkohësisht që u jepnin ndihma me armë apo këpucë forcave partizane, u jepnin edhe grupeve të kolaboracionistëve shqiptarë, forcave ballisto-zogiste që luftonin përkrah ushtrisë naziste kundër partizanëve… Pra, një lojë kjo jo e ndershme dhe me dy fytyra e këtyre misioneve!
Autori i shkrimit thotë se majori sovjetik erdhi në fund të majit ‘44, kur lufta po mbaronte! Po si ka mundësi të thuash “kur lufta po mbaronte”, kur fjala vjen, vetë anglo-amerikanët nga ana e tyre, pas shumë hezitimesh e shtyrjesh në kohë, mezi e hapën frontin e dytë në Evropë në qershor 1944, pra edhe një muaj më vonë sesa majori sovjetik të mbërrinte në Shqipëri?!… Kjo të kujton deklaratën e Herri Trumanit, dy ditë pas sulmit gjerman mbi BS, botuar në gazetën Nju Jork Tajms: “Nëse shohim që Gjermania po korr fitore, atëherë do ta ndihmojmë BS-në; në rast të një fitoreje, të një përparimi të mundshëm të BS-së, duhet të ndihmojmë Gjermaninë dhe kështu ata le të vrasin sa më shumë…” ( Herri Truman, në prill të 1945, pas vdekjes së Ruzveltit, u zgjodh president i SHBA-ve). Kur ushtritë aleate zbarkuan në Normandi, Ushtria e Kuqe kishte dalë në Karpate e Poloni, pra e kishte marrë “ferra uratën” për Hitlerin. Koka e ushtrisë hitleriane ishte në frontin rus, kurse bishti i saj arrinte deri në Shqipëri. Shteti i majorit sovjetik, duke i prerë kokën kësaj ushtrie, natyrshëm kishte dhënë kontributin më madhor edhe në luftën dhe fitoren e gjithë popujve antifashistë të Evropës, pra edhe të popullit shqiptar dhe partizanëve të tij. Dhe kjo ka qenë ndihma më jetike, më bujare e burrërore e ushtrisë dhe e popujve sovjetikë, që lanë afro 27 milionë të vrarë, për të arritur te fitorja e madhe e 9 Majit 1945! Është kjo arsyeja që populli shqiptar përjetë duhet t’u jetë mirënjohës Ushtrisë së Kuqe dhe komandantit të saj, Stalin!
Pra, ndihma, nuk mund të përmblidhet tek dhënia apo mosdhënia e disa armëve apo veshmbathjeve. Por te përmbajtja e saj, te sinqeriteti dhe besnikëria ndaj kauzës së përbashkët gjer në vetëmohim. Le të kujtojmë momentin kur aleatët anglo-amerikanë, pas zbarkimit në Normandi, u kapën keqaz nga ushtritë gjermane, dhe me të drejtë Çërçilli i kërkoi personalisht dhe urgjentisht Stalinit t’i ndihmonte me divizione trupash sovjetike. Por Stalini, në pamundësi për një ndihmë të tillë, diktuar nga vetë rrethanat e luftës, zgjodhi të bënte të pamundurën në një drejtim tjetër: të përshpejtonte ofensivën e madhe që po përgatitej, pra ta niste atë shumë javë më përpara seç ishte planizuar nga komanda sovjetike! Ky veprim i mençur e burrëror, me kosto shumë të lartë për armatat e kuqe, jo vetëm i kapi në befasi hitlerianët, por dhe i detyroi ata që të zhvendosnin në panik të plotë një numër divizionesh nga fronti me aleatët anglo-amerikanë , drejt e në frontin rus… Çërçilli më në fund mori frymë i lehtësuar, dhe i drejtoi pak ditë më pas Stalinit një letër falënderimi e mirënjohjeje. Kjo është në fund të fundit ndihma mes aleatësh të vërtetë, shembulli i angazhimit të ndershëm e vëllazëror, që edhe sot pas 70 e ca vjetësh kujtohet, nderohet dhe mbetet frymëzues!