Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, caktimin e një dënimi nga 7-15 vite për mbajtjen e armëve, bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun.
Disa nga argumentat kryesore të gjykatës:
– Gjykata arrin në përfundimin se shtesa e bërë në nenin 55, paragrafi i dytë i KP-së, cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe përbën kufizim të kompetencave në dhënien e drejtësisë. Për pasojë, pretendimi i gjykatës referuese se ky rregullim vjen në kundërshtim me nenet 7, 135/1 dhe 145/1 të Kushtetutës, është i bazuar.
– Gjykata vëren se ligjvënësi në periudha kohore të ndryshme ka ndërhyrë në legjislacionin penal, si duke përcaktuar vepra të reja penale, ashtu edhe duke ndryshuar marzhet e masave të dënimit për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shoqërisë, si pasojë e zhvillimit të kriminalitetit, në veçanti të krimit të organizuar. Gjykata ka theksuar edhe më parë se ndërhyrje të tilla të ligjvënësit jo vetëm duhet të synojnë uljen e kriminalitetit, por duhet të jenë realisht efektive, në mënyrë që t’i shërbejnë në radhë të parë parandalimit të veprave penale.
– Gjykata vëren se ndryshimet e ndërmarra nga ligjvënësi në dispozitat objekt shqyrtimi (por edhe të tjera të shqyrtuara më parë nga kjo Gjykatë), kanë qenë përgjithsisht spontane, nisur nga synimi për të luftuar kriminalitetin, por pa iu nënshtruar më parë studimeve të thelluara për të shmangur prishjen e balancave jo vetëm midis masave të dënimit të veprave penale të një kapitulli, por edhe në raport me veprat e tjera penale, në varësi të rrezikshmërisë shoqërore të tyre. Një qasje (strategji) e tillë e gabuar ka deformuar strukturën e Kodit Penal, duke krijuar disproporcione të pashpjeguara (paarsyeshme) midis dënimeve të parashikuara për vepra të ndryshme të Kodit, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe të proporcionalitetit, në rastet e kufizimit të të drejtave dhe lirive të individit. Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara (KM) nuk ishin në gjendje të argumentonin para kësaj Gjykate nevojën e domosdoshme për ndërhyrjen në Kodin Penal, duke u mjaftuar vetëm me argumente të përgjithshme, si p.sh. “kriminaliteti ka pësuar rritje” apo “për të luftuar krimin e organizuar”.
Gjykata vëren se sipas doktrinës së të drejtës penale, prodhimi apo mbajtja pa lejen e organeve kompetente të armëve luftarake është element thelbësor i anës objektive të kësaj vepre penale. Ligjvënësi e ka konsideruar vepër të dënueshme penalisht mbajtjen e armëve pa leje, pavarësisht nga qëllimi i mbajtjes së tyre (për t’i përdorur ose jo). Në këtë kontekst, Gjykata e sheh të pajustifikuar përpjekjen e ligjvënësit për të përcaktuar rrezikshmërinë e kësaj vepre penale dhe përcaktimin e masës së dënimit nisur nga kritere të tilla, si lloji i armës luftarake, dhe në veçanti vendi i mbajtjes së tyre (banesë, automjet, vendi i punës, etj.). Për më tepër, Gjykata i konsideron joproporcionale dallimet në masat e dënimit të paragrafit të pestë të KP-së dhe paragrafëve të tretë dhe të katërt të këtij neni. Për ilustrim, një qytetar që mban një armë pa leje në banesë për të mbrojtur pronën, veten apo familjen, dënohet nga një deri në pesë vjet burgim. I njëjti person kur armën e mban për të njëjtën arsye në automjetin e tij, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim.
