Arnisa Zeqo: Koleksioni i artistit holandez Jan Dibbets në Tiranë

Leda Hysa

Historiania e artit Arnisa Zeqo rrëfen “udhëtimin”e koleksionit “Urimet më të mira për 1999” në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ajo tregon se këto vepra, që iu dhuruan këtij institucioni para 20 vitesh, kanë ardhur me kamionë, që sillnin ndihma për refugjatët e Kosovës

Takimi me Jan Dibbets, kuratorja Arnisa Zeqo: Ju rrëfej këshillën që më dha!

Ka lindur në Tiranë dhe është rritur në Romë. Arnisa Zeqo është një historiane arti, kuratore dhe pedagoge në Amsterdam, ku edhe ka bashkëthemeluar 8 vite më parë platformën e artit “Rongërong”.

E risjell në kryeqytet Koleksioni i Jan Dibbets, i riekspozuar në Galerinë Kombëtare, 20 vite pasi ai ia dhuroi këto vepra këtij institucioni.

Një periudhë ajo e ’99-s trazirash për situatën politike në Shqipëri, por jo vetëm.

Për shkak të Luftës qenë të shumtë shqiptarët e Kosovës që erdhën në vendin tonë.

Kohë që përkon me vizitën e Jan  Dibbets, i cili siç do t’i rrëfente Arnisës, prej asaj situate kujton krismat e kallashnikovit, që vinin si kërcënim për njerëzit, ndërsa ai mendonte që të sillte një frymë tjetër arti në Galeri…

Do të befasohej  Jan Dibbets gjatë përballjes me këtë institucion, kur do të kuptonte, se ajo çka gjendej brenda tij, kufizohej në veprat e realizmit socialist.

Punë të krijuara nga artistët në viteve 1960-’70, krejt të ndryshme nga ato që ai, si një nga eksponentët kryesor të artit konceptual kishte realizuar po në të njëjtën periudhë. “Urimet më të mira për 1999” ambientohet sot në Galeri, në një situatë të tillë, që ‘risjell’ në një tjetër kontekst trininë Kosovë-socrealizëm-Dibbets.

Artisti Sokol Beqiri në kat të parë rrëfen në mënyrën e tij Luftën e Kosovës, një pjesë e koleksionit të realizmit socialist ekspozohet në kat të dytë, duke përbërë aktualisht të vetmet punime të artistëve shqiptarë brenda kufijve që një vizitor mund të shikojë.

Ndërsa, në katin e tretë “Urimet më të mira për 1999”, rrëfen përmes Arnisa Zeqos pikat e takimit dhe devijimet.

**

-Pas hulumtimit të bërë për Dokumenta 14 (2015-2017, Athinë) rreth veprave të artit në Shqipëri, kësaj here riktheheni si kuratore e koleksionit të Jan Dibbets.

Cili ishte impresioni i parë që patët ?

-Ndryshimet që vërejta kanë të bëjnë më tepër me kurimin e hapësirës.

Me zbrazjen e saj.

Është krijuar frymëmarrje, pra në një farë mënyre i është dhënë hapësirë, hapësirës.

Po e shpreh në mënyrë konceptuale (qesh).

Vërejta se në këtë aspekt i është dedikuar vëmendje Galerisë, po ashtu në vendosjen e dritave apo të detajeve të tjera.

Mandej arkitektura e këtij institucioni mbetet shumë e bukur, sipas mendimit tim.

Për këto edhe të tjera arsye, ndihem e lumtur që m’u dha rasti të bëja diçka për Galerinë

-Po përsa i përket përmbajtjes, veprave të ekspozuara në Galeri ç’mund të na thoni?

-Në kat të parë është ekspozita “As mik, as armik” e Sokol Beqirit, në të dytin një pjesë e koleksionit të socrealizmit dhe në të tretin “Urimet më të mira për 1999”.

Mendoj se kemi të bëjmë me një interacion dhe lidhja është Jan Dibbets.

Kur ai erdhi në Tiranë në vitin 1998, Shqipëria gjendej në një kontekst politik shumë të vështirë.

Por krahas kësaj ajo që e befasoi ishte fakti se në Galerinë Kombëtare të Arteve kishte një prezencë të madhe të artit të realizmit socialist, punë të realizuara gjatë viteve ’60.

Pra nga çka më ka rrëfyer, diçka e tillë e surprizoi kaq shumë saqë pyeste veten: “Si është e mundur e gjitha kjo?!”.

Një reagim i tillë vinte edhe për faktin se ai vetë kishte punuar gjatë viteve ’60, duke realizuar vepra krejtësisht të ndryshme nga këto.

Kështu mendoi të krijonte një koleksion për Galerinë Kombëtare, që në njëfarë mënyre të përkonte me atë periudhë historikë, por duke sjellë punë krejtësisht të ndryshme.

Vepra që vinin nga arti konceptual dhe ai neokonceptual, me artistë, si Damien Hirst, Jenny Holzer etj.

Pra me pak fjalë kjo është lidhja, pika e takimit, por njëherazi dhe ajo e devijimit me realizmin socialist.

Ndërsa, një pikë tjetër takimi, përsa i përket ekspozitës së Sokolit është vet viti 1999, vit që sipas Dibbets mendohet të kenë mbërritur veprat, sëbashku me kamionët që sillnin ndihma për refugjatët e Kosovës.

-Ju thatë se Jan Dibbets ju ka treguar se ka mbetur i stepur për faktin se në Galeri asokohe nuk mund të shikonte shumë përtej veprave të socrealizmit.

 Prej 20 vitesh në fakt koleksioni nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim madhor.

A përbën ndoshta kjo ndoshta një tjetër pikë lidhjeje të asaj periudhe me situatën aktuale në këtë aspekt?

-Faktikisht unë nuk e njoh mirë situatën përsa i përket koleksionit të Galerisë, por mendoj se edhe koleksioni i realizmit socialist është i rëndësishëm, madje përbën një nga pjesët më të rëndësishme të këtij institucioni dhe historisë së tij.

-Patjetër,  e Shkuara duhet të ruhet.

 Problem, i evidentuar edhe nga artistët është ai pasurimit të Koleksionit   te GKA me vepra shtesë, që të pasqyronin situatën shqiptare, artin shqiptar të pas ‘90-ës..

Mendoj se duhet të thellohem më shumë në këtë argument, për të dhënë një përgjigje të saktë, por megjithatë institucioni quhet Galeria e Arteve Kombëtare dhe ndoshta do të nevojitej një institucion i posaçëm për artin kontemporan..

. Unë mendoj se Tirana ka nevojë për një institucion të tillë, Erzen Shkololli është kurator i artit kontemporan dhe mund të kontribuojë në këtë aspekt. Madje edhe në këto rrethana ai besoj do të ketë një fokus të madh tek arti kontemporan, pasi edhe ‘background-i’ i tij është i tillë.

Kam pasur mundësi të shikoj veprat e tij pjesë të koleksionit të Alvar Aalto Museum, apo mënyrën e organizimit të “Hannah Ryggen Triennale”.

Ndonjëherë arti bashkëkohor është edhe një mënyrë për të riparë gjëra që janë realizuar më parë, por në një tjetër mënyrë. Diçka të tillë e them edhe nga eksperienca që kam përfituar nga Documenta14, ku pata mundësinë të ekspozoja vepra të Galerisë Kombëtarë të viteve 1960-’70.

Pra gjesti, i të ekspozuarit këto vepra që njësoj, si të ishte pjesë e artit bashkëkohor.

Pati shumë reagime edhe nga njerëzit, shumica prej të cilëve i shikonte këto vepra për herë të para.

Përpos kësaj dua të theksoj se cilësia e Koleksionit të realizmit socialist është shumë e larët, janë punë shumë të bukura

-Nëse rikthehemi tek e Shkuara… Jan Dibbets e vizitoi Shqipërinë në vite konflikti, por për koincidencë edhe konferenca juaj për ekspozitën përkoi me një ditë proteste, që nuk qe e qetë.

Çfarë ju shkonte në mend në ato momente, që ndërsa brenda Galerisë po flitej për art, jashtë saj zienin trazirat..

-Ishte e gjitha e çuditshme. Një paralelizëm që padashje e kam bërë dhe unë. Gjatë konferencës, ndërsa jashtë mbaheshin protestat po mendoja: Çfarë rastësie, mbas 20 vitesh..

. Pra, jam e ndergjegjeshme  se kemi të bëjmë me situata krejt të ndryshme. Në ’98-ën kishte krisma kallashnikovi, ndërsa këto ishin protesta pak a shumë paqësore.

Pra konteksti është i ndryshëm, por që sigurisht të dëgjoje zhurmat që vinin nga protestat në një moment të tillë të prezantimit të koleksionit ishte ngacmuese.

Njëherazi të bën të reflektosh edhe për mënyrën se si do të afrosh publikun me këto vepra.

Pyet veten se çfarë mund të funksionojë e çfarë jo në një situatë të tillë, ku përpos të tjerave kemi edhe konflikt politik. Atëherë mendon se si mund të ndërveprosh me këto rrethana, si mund të gjesh përpiqesh për të krijuar një gjuhë, e cila të na ndihmojë të kuptohemi mes njëri-tjetrit.

Mbi të gjitha si të kontribuojmë për të shmangur që të mbërrijmë në të njëjtën pikë si në ’98-ën.

Unë përpara se të vija në Tiranë lexova një artikull tek “The Guardian” që më tronditi në një farë mënyre dhe mendova: Çfarë po ndodh në Tiranë?!

Mirëpo kur erdha për ta parë situatën nga afër, e ndjeva më pak presionin, dhunën etj. Një reagim i tillë edhe nga mediet e huaja vjen edhe për faktin se në një farë mënyre neve na përndjek fantazma e atyre viteve.

Dhe në momente si kjo shfaqet. Më shumë se një muaj më parë në Amsterdam u mbajt “Marshi i grave” dhe kjo nuk tensionoi, ndërsa protesta në Tiranë po, sepse është frika e rikthimit në situata si ajo e ’98-ës, kur Jan Dibbets solli në kryeqytet koleksionin e tij.

-Veprat e koleksionit shoqërohen me foto të ndryshme të bëra dekada më parë.

 Cili është qëllimi i një kombinimi të tillë?

-Pasi diskutuam rreth pikave të takimit që përmenda më sipër, në lidhje me Tiranën e atyre viteve, veprat e koleksionit, por njëherazi edhe ndryshimin mes këtyre botëve, ne nisëm të kërkonim mënyrat më të përshtatshme për t’i evidentuar.

Pra për t’i përcjellë publikut se cila ishte domethënia e mbërritjes së këtyre punëve në Tiranë.

Për këtë na u desh të hynim në një farë mënyre në psikogjeografinë e Tiranës, dhe në atë që quhet peizazh akustik. Një mënyrë për ta realizuar këtë koncept ishte edhe për shkak të fotografive të asaj periudhe, për të cilat kemi kërkuar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), duke u konsultuar me njerëz të ndryshëm.

Një kontribut të madh për këtë ka padyshim dizajneri i talentuar Bardhi Haliti.

Mirëpo këto pika takimi dhe ndryshimi ne kemi menduar të vazhdojmë t’i prekim.

Kështu që kemi ftuar artistë të rinj, kombëtare apo ndërkombëtare për të bërë një sërë performancash apo ato që quhen rituale, lidhur me këto momente, që janë edhe traumatike. Kujtesa, memorja e atyre viteve është ende e tillë.

Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të kuptojmë se si mund të na ndihmojë arti për të hapur disa biseda. Nga ana tjetër, psikogjeografia na ndihmon t’i perceptojmë më mirë të tilla histori.

-Duke mbetur te performanca (Një dhomë pritjeje dhe lexim pjese nga “Trupi im s’më nxë” nga Jonida Beqo, Ese dhe poezi nga Anne Carson dhe Fjalori Shqip-Anglisht), bashkë me artisten Bora Boboci ju e patët një moment të tillë në çeljen e ekspozitës “Urimet më të mira për 1999”.

Një ritual në fokus të të cilit ishte gruaja…

-Ai ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua.

Kjo edhe duke u nisur nga fakti se shumica e artistëve të koleksionit të Jan  Dibbets janë burra.

Ka gjithashtu disa artiste femra, si Hanne Darboven, e cila përpos se lëvronte artin konceptual, shkruante gjithashtu libra artistik.

Një artiste që e kam shumë përzemër.

Mandej janë edhe emra, si Sarah Lucas, apo Jenny Holzer, një artiste neokonceptuale, të cilën shpresojmë që ta kemi për të realizuar në vijim një performancë.

Pra unë dojë që ta theksoja këtë aspekt të koleksionit. Një preformancë e tillë erdhi edhe për faktin, se në ato vite jo shumë gra përfshiheshin në botën e artit.

Dhe kjo ishte një mënyrë për t’i kushtuar vëmendje asaj çka asokohe qe përjashtuar deri diku.

Libri i Jonida Beqos, Fjalori dhe pjesë nga Anne Carson u përzgjodhën nga artistja Bora Baboci, duke u bazuar në boseat që patëm së bashku.

Ndërsa ideja e dhomës së pritjes, erdhi për të krijuar një mënyrë komunikimi mes njerëzve.

Pra është një mënyrë për t’i ftuar vizitorët për të hapur një bisedë të vogël, dhe pse jo ata mund të lënë diçka nga vetja: një libër po referencë.

Është edhe kjo një formë rituali!

Pra vitet ’90 kanë qenë shumë të vështira dhe të flasësh nuk është e lehtë, ndaj jam përqendruar më shumë tek një ritual apo performancë, se sa një debat.

-Një performancë që u mbyll me një përqafim…

-Unë isha e emocionuar prej performancës dhe kur përfundoi, mes artistëve e artdashësve që kishin ardhur, i pari njeri i njohur që pikasa ishte Edi Hila.

Njihem me të prej disa vitesh. Jemi takuar më herët në Prishtinë e mandej në Documenta 14, ku edhe kemi punuar bashkë. Kështu që e rinjoha dhe e përshendeta!

-Çfarë mund të veçonit prej takimit që keni pasur me Jan Dibbets?

-Një këshillë që Jan Dibbets më ka dhënë përpara ekspozitës.

Më tha: Duhet të guxosh, të rrezikosh!

Këshillë të cilën jam përpjekur të ndjek edhe me detajin që përmendëm më sipër, pra që vepra të caktuara të mbivendoseshin mbi fotografi.

Është diçka që unë nuk e kam bërë në ekspozitat e tjera, por mendova se këtu ishte rasti i duhur, se duhet të bëhej, pasi është mbi të gjitha një gjest artistik.

Aktualisht jemi duke përgatitur një libër për të dhe do të realizojmë edhe një intervistë, në publikimin e së cilës dëshiroj të përfshij edhe disa nga performancat në fjalë, pra që të shkojmë përtej koleksionit.

-Do t’i komunikoni Janit situatën aktuale rreth koleksionit, pse jo edhe përmes imazheve?

-Kur kam biseduar me të për “Koleksionin e Jan Dibbets”, ai korrigjon duke u shprehur: “Koleksion i Galerisë!”, pasi ja ka dhuruar këtij institucioni 20 vite më parë.

Por, sigurisht që do ta njoh me situatën, edhe përmes fotosh.

-Mund të na zbuloni diçka më tepër rreth performancave të ardhshme? 

-Do të ketë të tjera performanca për të cilat kam ftuar shumë artistë shqiptarë dhe të huaj.

Të tilla do të mbahen edhe në hapësira publike, për të krijuar një qasje ndaj artit.

Do të bëjmë pjesë të këtyre ritualeve edhe publikun, njerëz të thjeshtë në një prej tyre, duke i ftuar të sjellin fotografi apo filmime të vogla të realizuara ndër vite.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *