Hamdi Jupe
Lule more trima, që ratë për atdhe!
Eshtë e gjallë Tirana këto ditë vjeshte. Ngjyra e verdhë e stinës duket gjithandej, duke rrëzuar gjethet e lodhura të pemëve. Por “klorofila” e jetës është, po ashtu, kudo e pranishme. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” më tërheq më tepër kur dal në qendër. Ai është i zbukuruar prej ditësh me prortetet e heronjve dhe herionave të LANÇ -it. Janë ata që dhanë jetën në lulen e rinisë në luftë kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit.Gjithandej fjamuj kombëtarë, banderola e pankarta. Ndërtesat e Ministrive, të zbukuruara me shirita të stilizuara të flamurit kombëtar. Një erë vjeshtee fund -nëntorit, i valëvit lehtë e lehtë.
Tungjatjeta heronj! E di mirë kontributin tuaj për liri, se jam njeri i lexuarqysh prej një gjysmë shekulli e këtej dhe, prandaj, nuk e kam për turp të përulem sot para jush me nderim të thellë, pa patur frikë se po bëj ndonjë mëkat. Jo. Mëkate ndaj këtij vendi e këtij populli kanë bërë të tjerët, jo ju. Kujt i vret sytë kjo pamje e heronjve në bulevard, le të rrijë ca ditë nëpër rrethinat e Tiranës, psh, te Zogu i Zi apo diku gjetkë, fjala vjen në Lurë, atje ku mërzente në vapën e vitit 1944 kreu i tyre Mit’hat Farshëri.
Të paktën në këtë pikë, ka punuar mirë komisioni shtetror për festimet e nëntorit. Për të tjerat, do shohim e do shkruajmë, por aq sa na sheh syri këtu, nuk është keq. Është krijuar një atmosferë e përkorë e festës së çlirimit. Kemi edhe ne si popull një histori të Luftës Antifashiste që na bën ta mbajmë kokënngritur. Ka popuj të tjerë që nuk e kanë këtë fat. Kjo është e konfirmuar tashmë botërishtdhe nuk kemi hezitime ta themi me zë të lartë.
Ka edhe nga ata që “shqetësohen” nga këto portrete heronjsh në bulevard, por punë e madhe. Shkruajnë edhe artikuj nëpër gazeta, megjithëse janë injorantë të historinë. Aq na bën. Nuk na çudit dhe as na mërzit kjo. Gjithmonë ka patur, ka e do të ketë nga ata që qëndrojnë në anën e gabuar. Çdo shtëpi e ka nga një h…Ne antifashistët e sotëm kemi argumentet tona historike. Ishin 40 mijë pratizanë me uniofrmë në rresht dhe tridhjetë mijë të tjerë në “territorialet” në fund të luftës. Ishin njëzetë e tetë brigada partizane nëfund të saj. Këtë nuk e kam nga xhepi unë, as nga Historia e Partisë së Punës, e kam nga libri “Fitorja e hidhur – Lufta Nacionalçlirimtare e shqiptarëve”, e oficerit britanik Reginald Hibbert, që ishte këtu gjatë luftës.
Fjalët e mira për dekorimin e bulevardit kryesor të Tiranës, nukmund t’i them për punë të tjera, psh, për monumentet dhe lapidarët e heronjve të Luftës anë e mbanë Shqipërisë, se atdheu është 28 mijë kilometra katrore, nuk është vetëm ky bulevard. Dhe kudo ka patur dëshmorë e heronj, jo vetëm në Tiranë. Nuk kam parë e dëgjuar që ato monumente e përmendore të luftës të jenë pastruar, riparuare rinovuar në kuadrin e këtij përvjetori.Janë pasuri kombëtare edhe ato, pjesë e historisë sonë, në kuptimin e plotë të kësaj fjale.
Populli ynë është një popull antifashist. Kështu ka qenë gjatë Luftës, kështu është edhe sot. Gjatë tridhjetë vjetëve demokraci, ai u ka dhënë partive që mbajnë vulën e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit jo më shumë se tre përqind të votave. Ky është realiteti. Edhe kështu do vazhdojë kjo punë edhe më tej. Ç’argument tjetër duan për ta mbyllur gojën? (Gojët e liga dhe vrimat e gardhit nuk mbyllen kurrë.)
E dini, miq? Aq saushtarë ka Shqipëria sot, afërsisht aq ishin vetëm gra e vajza partizane në Luftën Nacionalçlirimtare. Llaf nga brendaky, me të dhëna të sakta. Prej tyre dolën heroinat që shikojmë sot në këto banderola. Kur dolën në luftë, nuk ishin heroina. Ishin gra e vajza të zakonshme, si gjithë të tjerat, me hallet, gëzimet, ëndrat, hidhërimet e tyre. Heroina u bënë kur dhanë jetën për lirinë. Duke kaluar nëpër bulevard,ngre sytë lart dhe përpiqem, me sa mundem, të lexoj emrate tyre: Mine Peza, Margarita Tutulani, Inajete Duma, Qeriba Derri, Bule Naipi, Persefoni Kokdhima, Nimete Progonati, Penelopi Piro, Zonja Curre, Fato Berberi, Hibe Palikuqi, Liri Gero, Ylbere Bilibashi. Janë trembëdhjetë Heroina të popullit të rëna në Luftë.
Vitin tjetër Tirana do të festojë njëqind – vjetorin e shpalljes së saj kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës (1920) Një rast tjetër për t’u veshur si nuse. Festa paçim gjithëmonë. Shtyhem tutje nëpër bulevardin e dëshmorëve. Nëpër buzë më lëpihet vargu i këngës: “Lule more trima, që ratë për atdhe!”
“Ciu, ciu, ciu” në festivalin e librit
U çel edhe këtë vit Panairi i librit në Pallatin e Kongreseve, përmes ankesave tëkryetarit të shoqatës së botuese Petrit Ymeri, se “qeveria aktuale e ka braktisur tërësisht librin”. Në ditën e dytë u bëra i gjallë edhe unë ta vizitoja. Nuk rri dot pa i parë festat e librit. Vjet edhe shkrova një artikull në gazetë, sivjet kisha vendosur të mos e bëja, se nuk dua të përsërit gjërat. Por nuk e mbajta dot fjalën dhe ja ku po shkruaj prapë “dy gisht” reportazh për të.
Të mira këto festa libri për jetën tonë përgjithësisht të vakët kulturore. Janë aty të gjithë ata që përpiqen me thonj e me dhëmbë të nxjerrin bukën, duke nxjerrë sytë mbi shkronja e fjalë. Respekt për ta. Ka në të nga të gjitha llojet e librave. Duket sikur nuk mungon asgjë. Më pëlqen kjo pasuri e hedhur në celulozë. Po jam edhe nazeli, mbase nga mosha a nga xhepi, nuk e di. Po edhe nga ajo se s’kemi ku t’i vëmë më librat në shtëpi. Pëlqej më shumë tregimet, po nuk po i shikoj gjëkundi mbi tavolina. Pyes njërën nga shitëset, nëse ka tregime dhe ajo më thotë se ja, janë atje në fund.
- Po pse i keni lënë në fund? – e pyes. – Apo e quani tregimin të përbuzur ju? – Ajo buzëqesh,ndërsa unë shtyhem me bërryla për te qoshi.
Ç’të shoh: Nja dhjetë a pesëmbëdhetë klasikë të lerërsisë botërore me tregime e novela: Balzak, Tolsoi, Mopasan, Çehov, Dostojevski, Tomas Man, Mark Tueni, Merime, Gorki etj etj. Janë libra të vegjël me çmim një qind e pesëdhjetë lekë secili, por me shumicë m’i zënë me 100 lekë. Oh, ç’lumturi? Me një mijë lekë gjithësej marr dhjetë prej tyre dhe u gëzohem si fëmijë. Janë flori e shkuar floririt, or Tunxh!Nuk janë nga këto të rejat, që pas dhjetë vjetësh, s’dihet a do jenë më nëpër librari, se koha bën të vetën. E kam një merak: kush i ka përkthyer këto libra klasikë që bleva? Vështroj se disa janë përkthyes të vjetër që s’ua ha qeni shkopin në fushën e shqipërimeve. Të tjerë janë më pak të njohur, por shpresoj se do të jenë të mirë.
Duke lëvizur nëpër panair, më ngatërrohen këmbët te nxënësit e shkollave nëntëvjeçare që kanë ardhur për të vizituar e blerë edhe ata. Janë shumë fëmijë, të udhëhequr nga mësuesit. Ngazëllehem nga kjo pamje. Më duket sikur e gjithë Shqipëria është e mbushur kështu me fëmijë, si kjo salla e panairit këtu. E di që kjo nuk është e vërtetë, por e lë syrin të kënaqet për pak minuta, duke “kullotur” qyl mbi këtë iluzion “bollëku” të kalamajve të popullit, në këtë “det” vocërrakësh,që po shteret dita – ditës nga shterpësia e çifteve të reja.
Edhe në mos blefshin libra, do hapin sytë dhe do shikojnë që egziston edhe një botë e tillë e bukur. Mjedisi edukon. Po ka edhe që blejnë. “Ciu, ciu, ciu. Teta, ma jep të lutem pak atë librin me figura atje në të majtë”. Më kënaq kjo cicërimë fëmijësh. Në panairin tjetër ndoshta edhe unë, gjysh tani, do vij këtu bashkë me mbeskën time italo – shqiptare, një motake e gjysmë atëherë, për të blerë libra me lepurusha, ketrusha e dhelpërusha dhe me fjalët e Naimit: “Gjuha jonë, sa e mirë!” Ajo do ta mësojë edhe gjuhën e gjyshit shqiptar nga e ëma e sajatje.
Shkoj prapë në panair ditën e fundit të tij, se nuk më rrihet pa vajtur. Përsëri shumë njerëz, kryesisht të rritur, por edhe fëmijë.Ja ku po shoh përballë një fytyrë të njohur: Xhevahir Spahiu. Pamjen e ka si djalë i ri Xhevua, megjithëse “thesin” e viteve e ka të rëndë mbi shpinë. Nuk mbaj mend të kem pirë ndonjë kafe me të, por kam “pirë” nga lëngu i veprave të tij në publicistikë dhe poezi, prandaj më duket shumë i njohur. Doni shembuj? Artikulli i parë që mbaj mend prej tij është ai me titull: “Burokrati me universitet dhe kali i bardhë i xha Fetahut”, i botuar në gazetë aty nga viti 1969. Ishte një fejton që kritikonte një drejtues të kooperativës bujqësore të Livadhjasë në rrethin e Sarandës, për mënyrën se si i sorrollaste njerëzit që shkonin për të zgjidhur hallet te “udhëheqja”. Aq bujë bëri artikulli atje, saqë e mori vesh i madh e i vogël në Sarandë. Isha në klasë të nëntë atëherë, por më ka mbetur në mendje ai titull. Doni më për Xhevahirin?
Ai u kritikua rëndë nga udhëheqësi i Partisë, shoku Enver në vitin 1973, për ndikime nga Zhan Pol Sartri në poezinë e tij, në kudrin e luftës kundër “shfaqjeve të huaja borgjeze e revizioniste”. Enveri demaskon vargjet nga poezia “dekadente” e Xhevahirit, duke i cituar ato në fjalimin e tij: “Unë jam ai që s’kam qenë dhe s’do të jem ai që jam.”(Ështëvargu refren që përsëritet disa herë në poezi) Ky është “krimi” i Xhevahirit. Për këtë desh e hëngri Xhevua, por e shpëtoi talenti i tij, sendryshe, do kishte përfunduar në “orizore”. Ndërsa unë prej shumë vitesh, nuk arrija të kuptoja dot se ku ishte “krimi” këtu. Në shkollë ne mësonin dialektikën sipas së cilës, çdo gjë ndryshon dhe transformohet me kalimin e kohës, nëpërmjet mohimit të mohimit. Këtë thoshte edhe mavriu Xhevo në poezi. Po hajde mbushi mendjen udhëheqësit syçelur, që vështronte nga të gjitha anët armiq.
- Më ka pëlqyer artikulli – thotë Xhevahiri, duke më dhënë dorën e duke buzëqeshur.
- Cili artikull, se kam botuar disa?
- Dita, Dita, Gazeta “Dita” – thotë, duke folur paksa me vështirësi.
- Aha, po, e ke fjalën për reportazhin për pensionistët?
- Po, po. Pensionistët. Tamam. Bukur.
Ç’kënaqësi të dëgjosh fjalë të tilla nga një “profesor” i gazetarisë! E di që reportazhi është pëlqyer, ma ka thënë edhe vetë Drejtori i Pensionistëve të Tiranës në telefon. Por kur ta thotëXhevo Xhevahiri, është tjetër gjë. Ku drejtori e ku Xhevua! Faleminderit, Xhevahir! Fjala jote ma shton inatin për të vazhduar të shkruaj. Ma zgjat jetën edhe gjashtë muaj të tjerë ai lavdërim. Përshëndetem me të dhe largohem. Do ta kërkoj “me qiri” ta takoj prapë e të fjalosem me ngè me të,se kam dhe gjëra të tjera për t’i thënë.
Në dalje të panairit takoj gazetarin e agjencisë REUTERS, Benet Koleka, mik i vjetër ky. Por kam aq kohë pa e parë, saqë nuk e dija, që mjekra e Benetit është zbardhur si bora, tamam si mjekra e udhëheqësit të dikurshëm vietnamez, Ho Shi Min, ose si ajo e kryeministrit të sotëm shqiptar. Mirë ai,se ka hallet e popullit në kurriz, po Beneti pse është zbardhur kështu? Apo mos po përgatitet edhe ky të bëhet kryeministër? Se mjekrën e ka.E ç’duhet tjetër?
- “Jozefinë, dil nga vrima e Facebook- ut!” – thotë ai, në vend të përshëndetjes. Është titulli i një shkrimi që kam botuar kohë më parë. Po Benetit ky i ka mbetur në mendje si titull i gjetur. Tregon se kanë një stendë me libra në panair dhe prandaj është atje. I uroj suksese dhe ndahem edhe me të. Bëra mire që erdha prapë. Takova dy miq të çmuar. Duhet të dalim nganjëherë nga “vrima e Facebook-ut” edhe ne gazetarët, jo vetëm Jozefina, e të shohim jetën e gjallë.
“Republika e re”
Dal nga panairi dhe hundët m’i çan një aromë e tmerrshme, ose më saktë, një kokteil aromash të forta të dhjamit të derrit, të qofteve, bifteqeve, shishqebapëve, bërxollave, brinjëve të pjekura, kukurecëve, salçiçeve, kremviçeve, hamburgerave, plëncave etj,mu në krah të panairit të librit,në Sheshin “Nënë Tereza”, përpara Univeristetit të Arteve. Kjo atmosferë më nxjerr mallin e kioskave të dikurshme në parkun “Rinia”, njëzet vjet më parë.
Më vjen për të vjellë nga këto aroma aspak të këndshme, të përziera me rigon, piper, hudhër, qepë, pordhë e me sende të tjera pikante gjithëfarësoj. Ato dalin nga çadrat e mëdha të bardha të vendosura në shesh, si ajo e Partisë Demokratike dikur në bulevard. Mungon vetëm parrulla: “Republika e re” në to. Më shumë më dhëmb për emrin në gjuhë të huaj të kësaj katrahure që ka zënë vend aty, me lejen e Bashkisë së Tiranës: “Tirana Street food”, dy ditë para se të përurohet stadiumi pa emër, (ose, me emër të qarkullueshëm)në ndeshjen me Francën. Përse nuk i venë emrin shqip: “Ushqim rruge”, se ashtu është vërtet, po i venë emër të huaj?
Ky është panairi më i shpifur që kam parë në Tiranë gjatë tridhjetë vjetëve, qysh se jam banor i saj. Atje ka hale portative dhe, siç thotë populli: “Atje e bëjnë, atje e hanë”. Si mundet të ulen njerëzit e të konsumojnë ushqim atje, në mes të sheshit “Nënë tereza”? Ku do t’i lajnë duart para e pas të ngrëni! (I vraftë Allahu, i vraftë!) Nuk na duhen këto lloj evgjitërish të shpifura në qendër të Tiranës, mu në prag të festave të mëdha.
Bagëti e bujqësia
Në Sheshin “Skënderbej” ëshë hapur panairi i prodhimeve bujqësore. E gjithë hapësira është ezënë prej banakëve të përkohshëm dhe prej strehëzave prej kashte. I kam parë forma të tilla edhe në qytete të njohura europiane, prandaj nuk ma prish syrin kjo pamje fshati në miniaturë.
Ka shumë njerëz para banakëve të tij, banorët e Tiranës kanë dalë të hapin sytë e të blejnë. Kanë dhjetë ditë të mbyllur brenda nga shiu dhe, po ashtu, ditë dimri na presin. Panairi është i organizuar në bazë prefekturash, prandaj“tiranasit” e rinj, të kohës së demokracisë, kanë mall të shohin prodhime të nahijes së tyre. I bashkohem edhe unë rrjedhës së vizitorëve.
Ja mollët, qepët, patatet, gështenjat, mandarinat, portokajtë, limonat, qitrot, ullinjtë e rinj dhe vaji po ashtu i sivjetëm i ullirit, shegët, fiqtë e thatë, çaji i malit i Kolonjës, boronica e Kukësit, mjalti i Milesë së Sarandëstrahanaja e Dibrës me gjalpë e me qumësht, etj etj. Andej nga ne trahananë e bëjmë me kos, jo me qumësht, po unë kërkoj për kuriozitet nga ajo me ngjyrë rozë, me lëng domateje që bën Përmeti, por nuk e shoh gjëkundi.
I gëzohem pamjes, po dua edhe të blej ndonjë gjë,se s’jam nga ata që kthehen duarbosh nga ky rast. Këtu nuk vlen shprehja: “U ngop syri, u ngop barku”. Është panair, nuk është ekspozitë. Por: nuk shesim, më thonë. Na ka dhënë urdhër bashkia të mos fillojë shitja, pa u bërë ceremonia e hapjes.
- Ashtu! Epse, duhet të dëgjoj fjalimin e Erion Velisë unë, pa të blej? Po shkon ora njëmbëdhjetë.
- Ashtu na kanë thënë.
- Uuuu, na marrtë të keqen Erion Velia! Merri or ti, merri ato çfarë të duhen. Do presim Erion Velinë ne. Çfarë deshe ti xhaxha?
- Dua nga një kokërr mollë nga të gjitha llojet që keni këtu. Nga janë këto mollë?
- Këto janë nga Maqellara e Dibrës.
- Ashtu, nga cili fshat i Maqellarës, se ka 16 fshatra atje? (Bëj sikur i di të gjitha emrat e fshatrave unë. Nja katër a pesë i di, por jo më shumë. Ka tridhjetë vjet që kam ikur nga Dibra) Ma thonë emrine fshatit. – Ndërsa këto të tjerat, janë të Gjoricës.
- Në Gjoricë blej groshën unë, se ka groshë të mirë atje. Te Arianit Çela. E njihni Arianitin ju?
- Jo, nuk e njohim.
- Mos është ai që ka qenë Prokuror i Përgjithshëm në kohën e Enverit?
- Jo, jo, nuk është ai. Ky është tjetër Arianit. Është mësues në shkollën nëntëvjeçare atje, po prodhon edhe groshë.
- Mirë, s’ka gjë.- Marr tri kokra mollë nga tre varietete të ndryshme.
- Sa kushtojnë këto?
- Ik, orxhaxha,ik. I ke pa lekë ato.
- –Duket se më takojnë tri kokrra mollë dhuratë nga Dibra për punën që kam bërë dikur atje. Këta nuk më njohin, se nuk kanë egzistuar atëherë. Këta janë “mbjellje e re”, si mollët e Dibrës pas vitit ’90. Dhe kështu vazhdoj më tej “pazaret” me tri kokrra qepë mëdha nga Korça, që mi japin për pesë lekë; një kalli misri të verdhë dyzetë centimetra i gjatë nga Shkodra që ma falin; dy shishe verë e bardhë “Tokaj”e Shijakut (me çmim shumice kjo, jo falas); një dorë çaj mali nga Kolonja. Ja ku u bë edhe pazari i së shtunës. Kujtoj se s’më njohin në panair, por ja që nuk është kështu: “Si të thoshte Sala ty: “Zoti Jupe, ti i ke xhepat e shpuar, prandaj mos mbro këta të tjerët ti.” Është e vërtetë kjo që më thotë. Kanë kaluar më shumë se njëzetë vjet që atëherë, por ja që ca gjëra nuk harrohen.
I bie edhe një herë panairit rreth e rreth. Në sfond dëgjohet melodia e fiellit të bariut, e ndërprerë nga blegërimet e qëngjave, që vjen nga altoparlantët e panairit. Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë kanë filluar të japin intervista për televizionet, ku flasin për “suksesin e jashtëzakonshëm” të panairit. Dhe vërtet: ka ku të hedhësh sytë, ashtu siç ka edhe mungesa: E di: bujqësia jonë është shumë më e zhvilluar sot, sesa kjo që shikoj këtu. Diku pyes njerën nga ato gratë që qëndrojnë prapa banakut: “Jua kanë paguar shpenzimet e rrugës që keni ardhur në panair?” Ajo është nga një rreth i jugut.
- Jo, nuk na i kanë paguar. Me lekët tona kemi ardhur. – Më vjen keq për këtë. Belà e madhe kjo punë. Ç’m’u desh edhe mua të hyja në këtë temë. Po ja që s’rri dot pa pyetur.
- Po mua më kanë thënë se do t’jua paguajnë.
- Jo, deri tani jo. – thotë. Pyes edhe të tjerë fermerë nga rrethet, nëse i kanë paguar diçka për shpenzimet e panairit. Shumica thonë “jo”. Ca bletërritës nga Saranda më thonë se u kanë paguar vetëm hotelin.
- Nga është ky mjalt?
- Nga Saranda – më përgjigjet një grua gjithë buzëqeshje.
- Brenda në Sarandë nuk prodhohet mjalt, por më thuaj emrin e fshatit. – Ajo nuk e di që jam prej andej dhe i njoh të gjithë emrat e fshtrave përmendësh.
- Nga Mileja dhe nga Soroneja – përgjigjet.
- Epo, ashtu thuaj pra.
- Të njohim ne ty, të njohim – përgjigjet kolegu i saj të cilit, me sa duket, i është riaktivizuar një vatër e fjetur e kujtesës.
Ja edhe mandarinat në panair.
- Nga janë këto mandarina?
- Nga Bërzhita.
- Nga Bërzhita e Tiranës?
- Pu, pu, pu! Të hajë sarandioti mandarina nga Bërzhita! Më qan zemra për mandarinat e Konispolit. Ato nuk i shoh në panair. Me qindra hektarë atje. Vjet u dogjën, se nuk patën shitje. Kam dëgjuar se këtë vit fshatarët nuk u kanë bërë shërbimet e duhura, se janë të trembur nga viti i kaluar. Më vjen keq. Këto punë i di më mirë zëvendësministri i bujqësisë, Dhimo Kote që është andejza.
Duket se ca gjëra nuk shkojnë sa duhet në panair. E para, fakti që pjesëmarrësve u është dhënë urdhër të mos shesin, para se të mbarojë fjalimet Erion Velia, më bën të mendoj se panairi po organizohet më tepër për fjalimet, sesa për prodhimet. Fakti tjetër se në panair malli është i paktë, saqë te çdo shitës mund të mbushet vetëm një kaçile me të, edhe kjo tregon se kemi ekspozitë e jo panair. Edhe ajo tjetra që këtu, shumë vetë që reklamojnë mallin, nuk janë prodhues, por punonjës të drejtorive bujqësore, të urdhëruar të vijnë me shpenzimet e tyre, këtë tregon. Më vjen keq. Panair për të shitur dëngla me fjalime në televizor mo?
Marr rrugën për shtëpi me dy qese me psonitë dhe dhuratat në duar. Po afrohem te stacioni i autobuzit, poshtë Bankës. Kur ja, para selisë së Partisë Socialiste më zë pusi Alfred Peza, zëdhënës i Partisë. Jemi të njohur të vjetër si gazetarë, por kam vite pa e parë. “Shihemi” vetëm nëpër gazeta. E përshëndes e bëj të iki tutje, po ai nuk më lë. Më hidhet në qafë me të dy krahët e më përqafon. Edhe unë i ngre krahët e mi, po atje kam dy qese plasmasi me “pazaret” që kam bërë. Më vjen mirë për takimin. Pensionist unë tani, gëzohem edhe nga një fjalë a një gjest i mirë. Ai tani është “partia”, ndërsa unë, populli. Domethënë: Partia, gju më gju me popullin. Me Fredin njihemi herët, qysh prej pesëmbëdhjetë vjetësh, kur ai ishte kryeyredaktor te “Korrieri”. Atëherë kemi thurrurnjë “komplot antiparti” për televizionin dixhital. Po kjo është temë për shkrim më vete. Do vij ndonjë ditë tjetër të pi kafe me Fredin, atëherë kur do t’i kem duart e lira nga qeset me fruta e perime. Mirupafshi Alfred. Veç, mos ma mbylli derën e zyrës, duke më thënë:“jam shumë i zënë tani, nuk të pres dot”. Nuk e besoj.
Në sup më bie një gjethe e verdhë bliri, e cila qëndron aty derisa hyj në autobuz.

“Fjalim” i nje qejfmbeturi!
A doni me per Belulin?
VERTET- Lule more TRIMA qe rate per ATDHE!
Pene artie Hamdi Jupe.
Nje kryeveper ky shkrim, i penes njohur,Hamdi Jupe, thuajse bashkemoshatar,une 83 vecari,nje jete mesues, e ve,mbi gjithe shkrimet lexuar nga dora e tij.
I faleminderit dhe shendet mbi te gjitha,sa uroj dhe dy miqte e mij, Poetin e rralle atdhetar mbi atdhetare ,Xhevahir Spahiu,sa Pene artinn Gazetar i kohes(spo e ngacmoj per politike, PEZAKUN,dobesia ime(1 muaj mesue ne ate shkollen e Peyes para dalies ne pension ,shtator-1991,(sa per Vite,ruaj kujtimin), U faleminderit PEZAKEVE per mikpritien,mes tyre,nga viti 1950-si PIONIER i shkolles {10 Korriku[ Titrne.)cdo 16 Shtatror shkuar… Dite njemije i nderuar Hamdi Jupe nga une 84 vecari,fatekqesisht ne emigracion…tej oqeanit,qe falenderoj shtein Kanadez, =Shtetin social= njohur…_ Per sa shkruani uroj te elemnohen mangesite aktuale.
Toronto 12=12=2019 Guri Naimit D.(Dh.Zh.)
Pse o njerez te mire nuk ma booni komentin urim per Te mirin Hamdi Jupe!? Guri nNimit D.