Arratisje spektakolare e një të dënuari me 18 vite burg për tentativë vrasjeje, arrestohen 2 policët e Togës së Shoqërimit, ndërsa një i tretë po hetohet në gjendje të lirë. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në Tiranë, kur Nirgen Ymeri, 22 vjeç, banues në kryeqytet, po transportohej drejt Burgut të Fushë-Krujës për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata. Ai u arrestua më 5 shtator afër banesës si person në kërkim, ndërsa pas dhjetë ditësh është vendosur izolimi në qeli. Por gjatë udhëtimit, afër Kamzës, në rrethana ende të paqarta, 22-vjeçari që çuditërisht ka qenë pa pranga në duar, u ka dhënë të shtyrën 2 efektivëve dhe ka dalë nga makina, duke u larguar me vrap. Disa metra më tej e kanë pritur tre persona të tjerë që e ndihmuan të arratisej. Deri orët e mbrëmjes, policia ka rrethuar një kompleks pallatesh në zonën e Yzberishtit ku mendohej se fshihej Ymeri. Ndërkohë që SHKB prangosi rreth orës 17:00 efektivët Luan Mulgeci, 47 vjeç dhe Gëzim Dervishi, 50 vjeç, me akuzën “shpërdorim detyre”, kurse Gjon Kerri, 50 vjeç, do jetë në hetim në gjendje të lirë.
Arratisja
Policia njoftoi se ditën e djeshme ishte vendosur transferimi i Nirgen Ymerit nga paraburgimi i Tiranës për në Burgun e Fushë-Krujës, me qëllim vuajtjen e dënimit të formës së prerë nga gjykata, me 18 vite burgim. Një furgon me 3 efektivë është caktuar për të kryer procedurat në mesditë. Brenda kanë qenë shoferi dhe 2 oficerët e togës. Por kur janë afruar në Kamëz, në rrethana të pasqaruara dhe dyshuese, i paprangosur në thyerje të rregullave standarde, 22-vjeçari ka hapur derën e pasme, edhe kjo duhet të ishte e kyçur dhe është arratisur. Policët nuk kanë reaguar në kohë, ndërsa mësohet se i riu ka shfrytëzuar një moment ndalese. Ai është ndihmuar edhe nga 3 persona të tjerë që lëviznin me një mjet në drejtim të kundërt. Policia mendon se arratisja ka qenë e planifikuar dhe të përfshirë mund të jenë edhe efektivët e arrestuar mbrëmë. Ata janë drejtuar në zonën e Yzberishtit, deri ku policia ndoqi gjurmët. Mësohet se Ymeri mund të jetë fshehur në një prej pallateve të reja në këtë zonë dhe po ushtrohen kontrolle me forca të shumta.
Dënimi i Ymerit
Më datë 5 shtator 2014, ora 13:00, pranë Selitës, tek ish stacioni i fundit i Tiranës së Re, u arrestua Nirgen Ymeri, banues në rrugën “Hamdi Pepa”. Me vendim penal të datës 18 qershor 2014, Gjykata e Rrethit Tiranë, e ka dënuar me 18 vjet burg, për veprat penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Sokol Tona dhe dy ndihmësit e tij. Sipas hetimeve, më 8 qershor 2013, Ymeri pasi ka ngacmuar motrën e shokut të tij, e ka plagosur këtë të fundit me pistoletë “TT” dhe është arratisur, deri në arrestimin dhjetë ditë më parë. Ai mbante edhe një emër të dytë për t’iu fshehur policisë dhe prezantohej si Ilmi Osmani. Policia kishte ndaluar edhe vëllanë e tij Olsi Ymeri, pasi u kap me një armë zjarri tip automatike, pa leje.
SHKB arreston policët
Arratisja nga makina e togës së shoqërimit u ka kushtuar arrestimin 2 policëve dhe hetimin në gjendje të lirë shoferit. Menjëherë pas ngjarjes, efektivët kanë njoftuar kolegët, duke shpjeguar se 22-vjeçari ishte ankuar për shqetësime shëndetësore, ndaj edhe ia hoqën prangat. Por ai i kishte shtyrë dhe u largua duke hapur derën. Por SHKB dyshon tek këto deklarata dhe për “shpërdorim detyre” arrestoi Luan Mulgecin, me gradë kryeinspektor dhe Gëzim Dervishin, nënkomisar. Gjon kerri, shofer i togës së shoqërimit do hetohet në gjendje të lirë, pasi nuk ka pasur mundësi reagimi dhe përgjegjësi direkte. “Ata nuk respektuan procedurat standarde dhe të sigurimit të personave të kërkuar”, thanë burime zyrtare të policisë.
Policët e arrestuar:
Luan Mulgeci, 47 vjeç, kryeinpektor, ndihmës specialist i shoqërimit
Gëzim Dervishi, 50 vjeç, n/komisar, specialist informacioni
Nën hetim:
Gjoni Kerri, 50 vjeç, shofer i togës së shoqërimit
