Nëntë gardianë dhe punonjës të Burgut të Drenovës do ndiqen penalisht, pas zbulimit të 4 sharrave që presin hekur në paraburgimin e institucionit të vuajtjes së dënimit. Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet ndaj oficerit të sigurisë së lartë, 6 gardianëve dhe 2 operatorëve të burgut, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Pak ditë më parë forcat, e sigurisë zbuluan në burg katër sharra që presin hekur. Kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, është bërë nga grupi i Transferim-Shoqërimeve dhe Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Sharrat ishin futur prej muajit maj në qeli, por ditët e fundit ishin kaluar në Paraburgim, te qelitë e tre të arrestuarve si bashkëpunëtorë të arratisjes së Admir Tafilit dhe 6 të tjerëve më 23 nëntor. Për këtë shkak po ndiqen penalisht të gjithë gardianët e punonjësit e turnit që lejuan pa kontrolluar kutinë e shahut me 4 sharra që përdoren për të prerë hekurat e qelive. Ato u gjetën te qelia e Elvis Lamit, Olsjan Maçit dhe Albi Maçinit.
Arratisja e dytë e dështuar nga Drenova, 9 gardianë dhe punonjës nën akuzë
