Arratisja, vetëm 8 vite burg për 19 gardianët e akuzuar

anazapta

Merr fund saga gjyqësore për 19 gardianët e arrestuar për shkak të arratisjes spektakolare të 7 të dënuarve, katër prej të cilëve me burgim të përjetshëm, nga Burgu i Drenovës më 23 nëntor 2013. Largimi nga qelitë i Admir Tafilit, Fran Marashit dhe pesë të tjerëve u ka kushtuar plotë 8 vite burgim të pandehurve, teksa gjykata ka ulur pothuajse katërfish masat që kishte kërkuar prokuroria në pretencë. Organi i akuzës kërkoi dënimin me rreth 30 vite burgim në total. Katër prej të pandehurve përfituan lirinë pasi u dënuan me kusht, mes tyre edhe dy gratë operatore, kurse një u shpall i pafajshëm. Dënimet kanë variuar nga 6 muaj, deri në 1 vit burgim. 

Gjykata e Korçës vlerësoi dje të drejtë akuzën e prokurorisë për gardianët e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, të akuzuar se kanë shkelur skemën së sigurisë dhe rregullores, gjë e cila favorizoi arratisjen e shtatë të dënuarve. Vendimi është pritur me lotë dhe pakënaqësi nga familjarët e të pandehurve, që akuzuan shtetin për padrejtësi. Trupi gjykues i ka dhënë pafajësinë gardianit Artan Larti, që në fakt ishte pranuar edhe nga prokuroria më parë, ndërkohë që masa më e rëndë ka qenë për rojën e kullës së vrojtimit, Valter Gjalpi, i dënuar me 1 vit burg, dhe për ish-shefin e sigurisë në burgun Drenovë, Altin Sulon, po me 1 vit burg, por që iu kthye në 2 vite shërbim prove.
Për dy gratë me detyrë operatore në burg, Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Dvorani, u pezullua ekzekutimi i vendimit me 6 muaj burg, duke u vënë në provë për 18 muaj. Nga 8 muaj burg janë dhënë për Riza Spahiun, Ardian Lemellari, Edmond Qarrin, Luan Liçkollarin, ndërsa është dënuar me 7 muaj burg e 1 ditë Gjergji Këllezi.
Gjykata ka dënuar edhe Spartak Markon, Shpëtim Peronkën, Arben Potkën, Bledar Kollçinakun, Valdet Brahollin, Sotir Tanushin, Ferdinand Belimanin dhe Bledi Hysollin, me 6 muaj burg, ndërsa Margel Rushanit nga 6 muaj burg të kërkuara, u dënua me 800 orë pune, (5 muaj) pa shpërblim. Prokuroria më herët kishte kërkuar 29 vite dhe 6 muaj burgim në total për 19 të pandehurit, nga 1,5-3 vite burgim, ndërsa vendimi i gjykatës llogaritet në total në 8 vite burg. Seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie për shkak të numrit të madh të familjarëve në sallë dhe jashtë saj. Të shtatë të burgosurit e arratisur u arrestuan nga policia shqiptare dhe ajo greke në harkun kohor mes 2-5 ditë nga momenti i ngjarjes.

 

Vendimet e Gjykatës së Korçës:

Riza Spahiu, 8 muaj burg
Ardian Linellari, 8 muaj burg
Edmond Qari, 8 muaj burg
Spartak Marko, 6 muaj burg
Shpëtim Peronka, 6 muaj burg
Valter Gjalpi, 1 vit burg
Arben Potka, 6 muaj burg
Gjergji Këllezi, 7 muaj e 10 ditë burg
Bledar Kollçinaku, 6 muaj burg
Luan Liçkollari, 8 muaj burg
Valdet Braholli, 6 muaj burg
Sotir Tanushi, 6 muaj burg
Ferdinad Belimoni, 6 muaj burg
Bledi Hysolli, 6 muaj tburg
Margel Rushani, 800 orë punë

Altin Sula, 2 vjet me kusht

Luljeta Dvorani, 18 muaj me kusht

Suzana Sejdarasi, 18 muaj me kusht

Artan Larti, i pafajshëm

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *