Arrest me burg kanë qenë masat e sigurisë të dhëna nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Kujtim Celën dhe Reald Hysollin.
Këta të fundit u arrestuan dy ditë më parë gjatë një superoperacioni të policisë shqiptare dhe asaj kosovare, ku u zbulua një laborator droge në vilën e familjes Cela në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit si dhe u sekuestruan dhjetëra kilogramë droga të forta heroine, kokaine, përziersa, kanabis sativa, mijëra euro si dhe armë e municione luftarake.
I pari që u njoh me masën e sigurisë ishte Kujtim Cela i cili akuzohet për prodhim dhe trafik narkotikësh. Ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij Gëzim Cela, i cili dyshohet nga policia si koka e këtij rrjeti të prodhimit dhe trafikimit të drogave të forta, por që ka mundur t’i shpëtojë operacionit policor.
Ndërsa i arrestuari tjetër ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë arrest me burg për akuzën e trafikut të narkotikëve është Reald Hysolli, i cili u ndalua në pikën e kalimit kufitar të Morinës teksa po tentonte të trafikonte drejt Kosovës 7 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë.
Pikërisht ky arrestim startoi superoperacionin policor në Shqipëri dhe Kosovë. Policia e Kosovës sekuestroi 50 kilogramë drogë të fortë, ndërsa ka arrestuar tre persona mes të cilëve edhe një grua. / TCH
