Shoku i fëmijërisë rrëfen për Prrenjasin: Nuk i ka pasur kurrë qejf femrat

anazapta

Detaje të jetës së monstrës Ardian Prrenjasi dalin në dritë çdo ditë. Shoku i fëmijërisë, Fatmir Bogdani, thotë se që në fëmijëri, ai ishte ndryshe nga të tjerët. “Edhe pse atëherë nuk është se bënte shumë muhabete me asnjërin prej nesh, ai ka qenë më ndryshe. Jo gjithmonë rrinte me ne. rrinte me qentë. Ç’shihte qen në rrugë, u jepte ndonjë gjë të vogël për të ngrënë sa të miqësohej e të rrinte me ta. Dilte hipte nëpër pemë. E la shkollën në klasë të tetë, nuk ka bërë fare gjimnaz”, rrëfen Bogdani për gazetën “Panorama”. “Ata kanë qenë shumë të varfër në familje. Me ne rrinte gjithnjë, por shenja të tilla as nuk i shkonin në mend njeriu. Edhe para se të ikte ushtar, ka qenë shumë i vetmuar”, thotë Bogdani duke kujtuar më tej, se Prrenjasi nuk kishte pasur kurrë dobësi për seksin femër. “Ai s’ka pasur asnjëherë histori me femra, për aq sa di unë. As nuk fliste për femrat, ua thashë. Vetëm me çuna, për femra s’ka pasur dobësi kurrë. As shoqe, asgjë nuk ka pasur. Ne të gjithë kishim historitë tona të vogla. Sikur të kishte telefona atëherë, le të themi nga 20 numra telefoni, asnjë emër femre  nuk do të figuronte, ta jap unë me garanci”. Bogdani kujton rastin e parë të abuzimit të Prrenjasit me një fëmijë 10-vjeçar, pikërisht një ditë para dasmës së tij. Rasti alarmoi familjarët, të cilët anuluan dasmën.

“Edhe atë djalin në lagje e kishim. U dënua me 4 vjet burg dhe e ka vuajtur një pjesë të dënimit, se kam dëgjuar të thonë se nuk është dënuar. U dërgua në një burg në Kavajë në rastin e parë, këtë e di gjithë Përrenjasi. Ishte menjëherë sa doli nga ushtria. Pas ardhjes nga Kavaja, ka ikur në Greqi, ku ndodhi edhe rasti i dytë, për të cilin nuk di hollësira”.

 

Monstra i Laprakës, Çaushi: Po hetojmë për bashkëpunëtorë

Policia e përjashton pistën e trafikimit të Julian Çelës, pavarësisht dyshimeve të vakëta të hedhura ditët e fundit nga banorë të lagjes ku jetonte monstra Ardian Prrenjasi. Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushi, thotë në një intervistë për GSH se hetimet janë përqendruar tek pista e vrasjes së 11-vjeçarit. Çaushi thotë se paralelisht me kërkimet e trupit, po hetohet edhe për mundëinë e ekzistencës së bashkëpunëtorëve të Prrenjasit dhe disa raste të tjera të dyshuara pedofilie.

“Policia e Tiranës po heton në pistën e vrasjes së Julian Çelës. Ardian Prrenjasi e ka pohuar vetë se e ka mbytur atë. Ne kemi hetuar më parë në të gjitha pistat, duke përfshirë edhe atë të trafikimit të organeve. Por, në momentin që Prrenjasi e pohoi vetë se e ka vrarë Julian Çelën, këto pista bien dhe ne po hetojmë vetëm në pistën se Çela është vrarë.  Ne po kërkojmë trupin e tij, si provën kryesore për Prrenjasin. Nuk është shumë e lehtë që ta gjejmë trupin, për shkak të mbetjeve që hidhen aty herë pas here. Ne po hetojmë të gjitha rastet ku Ardian Prrenjasi dyshohet si i implikuar. Hetimet vijojnë, sepse dyshohet se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë”, tha Çaushi. .

 

Arrest me burg për monstrën e Laprakës

20 mars – Arrest me burg ka vendosur gjykata e Tiranës ndaj 45-vjeçarit Ardian Prrenjasi për akuzën e rrëmbimit dhe mbajtjen me dhunë të 10-vjeçarit A. C.

Ndërkaq, hetimet për rastin e Julian Çelës po vazhdojnë. Akuza për këtë rast ka mbetur ende pa u formuluar për shkak të mosgjetjes së kufomës së 11-vjeçarit të zhdukur më 30 nëntor të vitit të kaluar.

***

Pedofili del para gjykatës, shoqëria civile në protestë

Ardian Prrenjasi do të dalë sot para togave të zeza për t’u vlerësuar masa e sigurisë së tij. 45-vjeçari akuzohet për rrëmbimin e një fëmije dhe abuzimin me të. Shoqërimi i tij në Gjykaën e Tiranës pritet të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie.

Ndërsa Shoqëria civile do të zhvillojë po sot një protestë për mbrojtjen e fëmijëve dhe zbatimin e ligjit. Protesta do të zhvillohet sot në orën 11:00, ndërkohë që kërkohet zbatimi i ligjit nga personat të cilët kanë për detyrë një gjë të tillë, për të mos çuar me vendimet e tyre në marrjen e jetës së njerëzve.

Në protestë pritet të marrin pjesë organizata të ndryshme të shoqërisë civile.

***

Pronarja e ish-shtëpisë së Prrenjasit: E dëbova se dyshoja

Ndërsa Ardian Prrenjasi është shoqëruar në gjykatë për masën e sigurisë, fakte të reja dalin për monstrën e Laprakës. Zeqine Sula, gruaja që e ka mbajtur në shtëpi në vitin 2008, rrëfen se dyshonte tek Prrenjasi ndaj dhe e kishte dëbuar nga shtëpia. Ajo thotë se Prrenjasi u dilte femrave para. Shtëpia ku jetonte me qira ndodhej vetëm 50 metra nga banesa ku ndodhej aktualisht.

***

Monstra Prrenjasi mori kredi për gjyqin në 2008, një mik garant në bankë

Te bar “Korça”, pranë ish-Shkollës së Partisë në Laprakë, Ardian Prrenjasin, pedofilin vrasës, e njohin të gjithë. Që pas shpërnguljes në këtë zonë dhe nisjes së punës në kompaninë e pastrimit fare pranë këtij lokali, ai ka qenë ndër frekuentuesit më të rregullt. Pronari i lokalit, Kujtimi, kamerierët dhe vetë kolegët e punës së Ardianit janë të shokuar dhe nuk mund të bëjnë dot përputhjen e atij personi që njohin me atë që ka kryer krimin makabër.

“Jam ulur disa herë me të në tavolinë dhe dukej njeri i rregullt e mjaft i respektuar nga të gjithë. Nuk e besoj dot që ka vrarë atë fëmijë. Për fat të keq e njihja dhe Julianin, pasi kalonte gjithmonë para lokalit”, thotë Kujtimi, i cili kur përmendet fëmija i vrarë, nuk e fsheh përlotjen. Pasi na tregon se Ardian Prrenjasi konsumonte vazhdimisht alkool, me raste edhe në orët e vona të mbrëmjes, ai flet me siguri edhe për një detaj tjetër që lidhet me gjendjen ekonomike dhe gjyqin e vitit 2008, ku pedofili akuzohej për abuzim me një tjetër të mitur. “Në vitin 2008 Ardiani mori kredi për të paguar në gjykatë për një çështje për të cilën akuzohej. Na ka folur për këtë pasi e ka ndihmuar një kolegu i tij i punës duke i dalë garant për huan. Neve nuk na ka treguar se ishte akuzuar për pedofili, por na ka thënë se kishte shkelur rregullat e qarkullimit dhe i kërkonin lekë në gjykatë”, thotë Kujtimi. I sigurt për sa thotë, na drejton për të konfirmuar këtë informacion në tryezën ku janë ulur 4 nga kolegët e punës së Ardian Prrenjasit. “Dimë që ka marrë kredi në atë periudhë. I duheshin paratë për një gjyq që kishte, por asnjëri prej nesh nuk është garanti. Ai nuk është se fliste shumë për veten, përpiqej të devijonte kur e pyesnim për familjen dhe problemet e tij, por ekzistencën e kredisë na e ka pranuar”, thotë njëri nga kolegët, që nuk do t’i përmendet emri. Për shumën e saktë të parave asnjëri prej tyre nuk di të na thotë gjë. Pronari i lokalit, Kujtimi, mohon ta ketë parë Prrenjasin nën shoqërinë e fëmijëve në kafene. Por, sipas tij, djalin 13-vjeçar të së dashurës së tij që jeton gjithashtu në Laprakë, Ardiani e mbante vazhdimisht me vete. “Atë po, na e ka prezantuar si djalin e gruas. E merrte me vete gjithandej, edhe në punë, edhe këtu e ka sjellë shpesh. Tregonte shumë vëmendje dhe përkushtim për fëmijën”, thotë Kujtimi. Ai shton se edhe fëmija duket sikur ishte mjaft i afeksionuar ndaj Prrenjasit. Monstra i Laprakës duket se i ka lënë pa fjalë të gjithë ata që e kanë njohur. Çdo gjë mund të kishin imagjinuar, por kurrsesi se ai person mund të ishte një vrasës dhe përdhunues fëmijësh.

Rroba fëmijësh në shtëpi
Brenda shtëpisë së Ardian Prrenjasit janë gjetur rroba fëmijësh, ndërkohë që në tel qëndrojnë ende të varura teshat e tij. Shtëpia ku ai jetonte ishte një garsonierë në katin e parë të një shtëpie dykatëshe e marrë me qira. Direkt përballë ndodhet shtëpia e A. C., fëmijës 10-vjeçar që ai rrëmbeu dhe mbajti peng për 24 orë. Familjarë të ndryshëm hyjnë e dalin pa dashur të japin asnjë prononcim për ngjarjen e rëndë.

Pedofili, vazhdimisht i dehur
Sipas banorëve të lagjes, shokëve të punës dhe pronarit të lokalit ku ai pinte kafen, Ardian Prrenjasi shkonte në shtëpi vazhdimisht i dehur. “Kishte raste kur mund të pinte për orë të tëra, por nuk ishte agresiv. Ndodhte shpesh edhe të dehej”, thotë Kujtimi, pronari i lokalit që frekuentonte më shpesh Ardian Prrenjasi. Ai shton se pedofili kishte raste që ishte shumë i heshtur, por nuk prishte qejf me njeri.

Kamerierja: Daja kërkoi Julian Çelën në lokal, Prrenjasi nuk reagoi kur e pa
Bardha, kamerierja që i ka shërbyer çdo ditë kafen dhe gotën e rakisë, sapo i përmendim emrin e tij nis të qarën. “Këtu ishte si i shtëpisë, shumë i rregullt. Nuk kemi vënë re ndonjë ndryshim në sjelljen e tij muajt e fundit, përveç faktit që kishte raste kur kafen donte ta pinte vetëm dhe jo me shokët e punës, si më parë”, thotë Bardha. Ajo tregon se në periudhën kur Julian Çela kërkohej nga familjarët pasi kishte ditë që kishte humbur, ka qenë dëshmitare e një situate që edhe tani e trondit kur e kujton. “Daja i Julianit, e quajnë Ceni, erdhi për të disatën herë për të pyetur nëse e kishim parë nipin të kalonte para lokalit. Ardiani ishte te tavolina tjetër kur ne po i shpjegonim se nuk e kishim parë. Nuk reagoi fare. Ndërkohë që ishte pikërisht ai vrasësi”, thotë Bardha, kamerierja e lokalit. Ajo shton se të afërmit e Julian Çelës, për të cilin pedofili pranoi se e ka vrarë, kanë ardhur vazhdimisht në lokalin ku çdo ditë pinte kafen Ardian Prrenjasi për të pyetur nëse ndokush e kishte parë gjatë 3 muajve që ai u deklarua i humbur. “Ata i morën mbarë gjithë lokalet. Ta dinim që vrasësin e kemi pasur këtu… Është e tmerrshme”, thotë Bardha./panorama

Share This Article
1 Comment
  • Para drejtesise duhet te dalin edhe gjyqtari me prokurorin qe e kane liruar ne vitin 2008 dhe te denohen njesoj sikur e kane bere ata krimin. Madje edhe i plotfuqishmi i zones qe nuk ka haberin cfare behet ne vendin e tij te punes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *