Kur është njoftuar për arrestimin e Ilir Memushajt, agjenti i SHISH, që e kishte ndihmuar me fotografi dhe dokumente, u përpoq të fshijë gjurmët në kompjuterin e tij.
Nga ekspertiza, rezultoi se kompjuteri i zyrës së Florian Bushit ishte formatuar, raporton Panorama.
Dyshohet se Florian Bushi ka kryer riformatimin e kompjuterit të tij në përpjekje për të zhdukur materialet sekrete që i kishte printuar, fotografuar dhe më pas ia kishte dërguar të akuzuarit për vrasjen.
Ka qenë Florian Bushi që ka zbardhur në kompjuterin e tij procesverbalet e vëzhgimit e përgjimit të një grupi kriminal të skeduar për drogë në Fier-Vlorë.
Po kështu është konfirmuar se dërgimi i fotove të materialeve e dokumenteve sekrete është bërë me njërin nga dy telefonat që janë në emër të Florian Bushit, shkruan Panorama.
Hetimi filloi pas arrestimit të Ilir Memushajt, pasi gjatë kontrollit në celularin e tij u gjetën materiale me siglën “sekret” që kishin të bënin me përgjime të kryera nga SHISH gjatë muajt dhjetor 2015 mbi një grup kriminal të trafikut të drogës me veprim në zonën Fier – Lushnjë. /Dita/
