6 persona me detyrë doganierë në Doganën e Morinës kanë rënë në prangat e policisë ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në policinë e Kukësit në bashkëpunim me prokurorinë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kalimi i Fundit”.
Të arrestuarit janë doganierët Ndriçim Ademaj, 46 – vjeç, Binak Halilaj, 54 – vjeç, Afrim Jonuzi, 39 – vjeç, Resmi Fejzo, 62 – vjeç, Elson Basha, 37 – vjeç, Kasem Maksuti, 51 – vjeç.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ata nuk kanë kryer veprimet doganore ndaj mjetit me targa “AA 169 CG”, në pronësi të shtetasit N. F. i cili ishte i ngarkuar me një sasi prej 226 bidona të mbushur me lëng, i dyshuar si ujë për bateri ( gjithsej 5650 kg), automjet që dyshohet se ka kaluar kontrabandë nëpermjet Doganës së Morinës.
Policia bën me dije se po punohet për kapjen e 4 personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Ata janë 29 – vjeçari me incialet D.E, i cili gjithashtu akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, si dhe personat me iniciale N.F, 28 – vjeç, S.B, 56 – vjeç, G.Sh, 28 – vjeç. Këta të fundit akuzohen për kontrabandë.
