Policia ka arrestuar sot autorin e vrasjes së 32-vjeçarit, Elsi Kosiqi që u ekzekutua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Maqellarë.
Policia e Dibrës bën me dije se autori i dyshuar është me iniciale M.G. nga Shupenza.
Ai ndodhet i arrestuar në komisariat dhe po merret në pyetje.
Paraprakisht dyshohet se shkak i vrasjes së 32-vjeçarit Kosiqi kanë qenë konfliktet për motive të dobëta. Policia nuk ka dhënë informacione të tjera për shkak të hetimeve ende në zhvillim.
Elsi Kosiqi u ekzekutua me armë rreth orës 01:30 pas mesnatës në oborrin e shtëpisë së tij në Maqellarë.
Ai sapo ishte kthyer nga Maqedonia dhe u vra kur po mbyllte portën e shtëpisë, ndërsa në vendngjarje policia gjeti dy gëzhoja kallashnikovi.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak, ku është vrarë me armë zjarri, në oborrin e banesës së tij në Maqëllarë shtetasi E.K, rreth 32 vjeç, pas një pune intensive nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasi :
M.G, banues në njësinë administrative Shupenzë.
Paraprakisht dyshohet se shkaku është për konflikte për motive të dobëta.
Për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera dhe rrethana të ngjarjes.
l.h/ dita
