Gazetari kontrovers dhe një nga kritikët e ashpër të Qeverisë, Zoran Bozhinovski, është arrestuar mbrëmë në Novi Sad (Vojvodinë), pas një urdhërarresti të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë.Bozhinovski është pjesë e grupit të akuzuar në operacionin “Spiuni” , me ç`rast dyshohet për aktivitete të paligjshme spiunimi dhe bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete, duke dëmtuar interesat sekrete shtetërore. Bozhinovski është pronar i portalit informative “Burevesnik” dhe se përmes tij kishte publikuar disa shkrime të ashpra dhe pretendime për afera lidhur me krerët më të lartë të Qeverisë dhe kryeministrit Gruevski.
Bozhinovski ka mohuar se është përfshirë në spiunim për shërbimet sekrete, për shkak se sipas tij, të gjitha informacionet që ka ai i publikon në portalin e tij informativ.
Në operacionin “Spiuni” u arrestuan 20 veta, mes tyre: Marjan Maxhovski – shef i kabinetit të kryetarit të Parlamentit nga viti 2005, Miço Naskovski – ish-drejtor gjeneral i kompanisë “Beton”, Vane Cvetanov – ish-drejtor i Agjencisë kundër pastrimit të parave, gjenerali Goran Stojkov, si dhe persona të tjerë. Ndaj tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Edhe tre të tjerë konsiderohen të arratisur dhe policia është në kërkim të tyre, transmeton Ina njoftimin.
E përditshmja maqedonase “Dnevnik” kohë më parë shkroi se të dyshuarit për rastin “Spiuni” kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete greke dhe hungareze.
Informacionet e siguruara shërbimet e huaja sekrete i paguanin me para, por edhe me kompensime tjera si pushime apo argëtime në pika turistike. Efremov në komunikimet dhe kontaktet brenda vendit kishte takime edhe me politikanë, përfshirë edhe liderë të partive politike.
Grupi i akuzuar siç thuhet siguronte informacione për islamizmin radikal, zgjedhjet dhe zhvillimet politike si dhe informacione të klasifikuara të sigurisë.