Arrestohet ish-trajneri i Flamurtarit, Luan Birçaj. Ai është arrestuar mbrëmjen e së enjtes, pasi akuzohet për “Korrupsion pasiv” dhe për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm te persona që ushtrojnë funksione publike”. Krahas Birçajt, në pranga ka përfunduar edhe 50-vjeçari Ilirjan Mezinaj. Sipas policisë së Vlorës, vënia në pranga e dy sekserëve është bërë pas denoncimit të një personi me inicialet M.A., i cili ka deklaruar se në muajin qershor të 2012-s i ka dhënë ish-futbollistit të mirënjohur dhe Mezinajt një shumë prej 3 mijë eurosh, në këmbim të gjetjes së një vendi pune për mësuese, vajzës së tij. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se 49-vjeçari Birçaj dhe Mezinaj, pasi kanë marrë shumën e eurove, nuk kanë arritur dot që ta punësojnë vajzën me kontratë definitive, por vetëm me kontratë të pjesshme. Kjo nuk i ka pëlqyer denoncuesit, i cili u ka kërkuar dy sekserëve që t’i kthenin shumën e eurove që iu kishte dhënë. Kjo ka nxitur të interesuarin të drejtohet në komisariatin e policisë për të denoncuar rastin.