Zv/drejtori i Hekurudhës në Durrës ka përfunduar në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim. Artur Mahmutaj, 35-vjeç u arrestua, pasi ndaj tij, gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” më datë 22 shtator të vitit të shkuar, pasi akuzohet për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
“Më datë 11.09.2015, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjen Nr.15 në Durrës, nga ana e Specialistëve të Seksionit për Narkotikët, u ushtrua kontroll në një magazinë në punime e sipër, në pronësi të shtetasit Artur Mahmutaj, e cila shërbente si ambient për të kultivuar bimë narkotike me një teknologji të fundit”, sqaron policia.
Nga kontrolli iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 3 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis Sattiva. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. /Dita/

