Arrihet akordi, Kruja te Hajer Klub për 100 mijë USD

redaktor

Arsid Kruja mund të konsiderohet zyrtarisht futbollist i Hajer Klub në Ligën profesioniste në Arabinë Saudite. Klubi shkodran ka pranuar ofertën prej rreth 100 mijë dollarë të skuadrës arabe për kartonin e 21-vjeçarit, i cili ka shkëlqyer në “Loro Boriçi” në dy sezonet e fundit. Pas përmbylljes me sukses të bisedimeve me menaxherin Ilir Halili, Kruja ka marrë lajmin nga Drejtori Teknik, Armir Grima për eksperiencën e re që e pret, ku sigurisht ana financiare është ajo që e ka bindur lojtarin ta pranojë ofertën.

Detajet e kontratës së mesfushorit me Hajer Klub, nuk janë bërë ende zyrtare, por bëhet fjalë për një bashkëpunim të paktën 2-vjeçar. Shuma që do të përfitohet nga shitja e Krujës do të amortizojë sadopak problemet financiare të klubit shkodran, që ende vazhdon të financohet nga Bashkia, pas largimit të “Gea Sport”.

Tre vjet pas shitjes së Armando Vajushit te Litex Lovech, Vllaznia arrin të arkëtojë një tjetër shumë të konsiderueshme nga shitja e talenteve të saj, falë një pune për t’u marrë shembull në akademinë kuqeblu.

Ecuria pozitive gjatë pjesës së parë të sezonit, i jep mundësi Vllaznisë të mendojë më shumë për të ardhmen, duke u dhënë më shumë hapësira në formacion futbollistëve vendas. Objektivi mbijetesë mund të arrihet pa shumë shpenzime, pasi Apolonia dhe Elbasani, vështirë se mund t’i rrezikojnë shkodranët që kanë grumbulluar në 18 javë 14 pikë më shumë se dy skuadrat që mbyllin tabelën e renditjes.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *