Intriga merkatoje në Londër. Ndërsa Juventusi impenjohej në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Veronës, në Angli kryheshin lëvizjen që mund të prekin nga afër klubin bardhezi. Në Londër kishte udhëtuar Fernando Felichevich agjenti i Arturo Vidal, i cili zyrtarisht ndodhej aty për të ndjekur finalen e FA Cup mes Arsenalit dhe Aston Villas duke qenë se dhe Aleksis Sanchez është një klient i tij, por sipas mediave britanike dhe atyre italiane qëllimi i vërtetë kanë qenë negociatat për Arturo Vidal. Nga Londra tabloidët britanikë kanë hedhur lajmin mbi interesimin e Juventusit në drejtim të Oscar, brazilianit të Chelsea që nuk ka një raport të mirë me Mourinhon. Fati i tij mund të kryqëzohet me atë të Vidal, pasi largimi i njërit mund të çojë tjetrin te Juventus.
Nuk është sekret që kiliani është në shënjestrën e Arsenalit, vetë Arsene Wenger e pranoi diçka të tillë publikisht pak ditë më parë, duke i shtyrë tratativat pas fundit të sezonit. Për këtë arsye agjenti i Vidal ka përfituar nga udhëtimi në Londër për të nisur kontaktet e nevojshme. Deri tani te Juventusi kanë deklaruar se Vidal nuk është në shitje, por është e qartë është se një ofertë prej 40 milionë eurosh mund të ndryshojë gjithçka. Agjenti i kilianit ka fiksuar një takim edhe me drejtuesit e Manchester United, klub që u përpoq të arrinte te Vidal verën e kaluar. Mesfushori pati një fillim të vështirë të sezonit si pasojë e operacionit në gju dhe rikuperimi i shpejtë për të mos humbur Botërorin e Brazilit.
Të gjitha këto kushtëzuan përgatitjen e kilianit që ju desh kohë për tu rikthyer në nivelin e tij të zakonshëm. Veç të tjerash Allegri e ka përdorur shpesh si trekuartist dhe mesfushorit i është dashur të adaptohet me rolin e ri, por tani është rikthyer Vidali i ditëve të mira dhe me shitjen e tij Juventus shpreson të fitojë fondin e nevojshëm financiar për të transferuar në Torino pikërisht Oscar.
