Arsimi dhe formimi profesional është tema që shqetëson më fort në këtë vendin tonë i cili numëron sot mbi një milion të papunë. Ky sektor jetik për ne, ka qenë vijimisht në vëmendjen e organizmave ndërkombëtarë, të cilët kanë dhënë çdo vit fonde dhe mbështetje, aq sa mund të thuhet pa droje se arsimi profesional ka frymëtuar deri më sot vetëm falë donatorëve. Dhe mbështetja ka qenë tejet e madhe. Po pse pra nuk lëviz? Shkaku është i thjeshtë: këtu qeveris jo vetëm një grup të paaftësh, por sidomos një çetë antikombëtare gënjeshtarësh (të më ndjeni për fjalën e rëndë, por po vijoj me ftillimin, e bindur se do ma përligjni më tej termin).
Në Kamëz ka sot një shkollë të mesme profesionale, në ndërtimin dhe pajisjen e së cilës qeveria as ka fare gisht, sepse, siç deklaroi vetë ambasadori i BE, z. Sequi ditën e përurimit të kësaj godine me 9 shtator të këtij viti, Bashkimi Europian investoi aty plot 1 milion euro, duke e ditur prapambetjen e madhe në arsim dhe formim profesional këtu tek ne. Kuptohet detyrë e qeverisë është të promovojë regjistrimet dhe ti pajisë ata me stafin pedagogjik të nevojshëm.
Tani po sjell më poshtë pjesë nga letra që më shkruajnë vetë drejtuesit arsimorë aty, të shqetësuar për katandisjen, pasi Ministri ua ka prerë çdo shpresë e çdo komunikim. Vijoj me letrën:
“Në shkollën e mesme profesionale në Kamëz, deri në shtator të këtij viti, kanë qenë 5 degë; me urdhër të Ministrit të Arsimit u shtuan edhe 5 të tjera. Për hapjen e këtyre degëve kontribuan shumë mësuesit e shkollës duke bërë punën e agjentit të reklamave. Për rreth dy javë rresht mësuesit të organizuar në grupe pune, u shpërndanë nëpër prindër që t’i bindnin ata për të regjistruar fëmijët në shkollë, e gjithë kjo me qëllimin që të shtoheshin regjistrimet sidomos për degët e reja të hapura. Kështu u arrit që në vit të parë të hapeshin plot 13 klasa. Mirëpo shtimi i klasave solli një problem tjetër: mangësi të theksuar në stafin pedagogjik. Kështu janë të domosdoshëm edhe 13 mësues,në daç mësues për lëndët e përgjithshme po edhe specialistë. Tani del që Ministria nuk do ta shtojë fare stafin e mësuesve për mungesë fondesh. Drejtori i Drejtorisë Arsimore Kamëz, z. Çeku ka kërkuar nga Ministri i Arsimit miratimin për 13 mësues të rinj në stafin e shkollës profesionale, por përgjigja e ministrit ka qënë negative. Problemi është serioz, mangësia në staf, ka çoroditur krejt zhvillimin e mësimit: Duke mos pasur mësues për mbulimin e lëndëve shumë klasa mbarojnë mësimin në orën 10, madje ka klasa që disa ditë në javë nuk ju hyn asnjë mësues që t’ju bëjë makar një orë të vetme mësimi. Kjo ka sjellë pas atë fenomen që quhet rrjedhje apo braktisje e arsimit. Fëmijët duke u kthyer qysh paradite në shtëpi, me të drejtë pyeten nga prindërit pse vijnë kaq herët. Përgjigja: Edhe sot nuk bëmë mësim. Në javën e katërt të vitit shkollor, nxënësit vijojnë të pyesin se kur do të nisë mësimi për ta. Tani prindërit kanë nisur të kërkojnë çregjistrimin e fëmijëve nga kjo shkollë, pasi shkolla nuk po i ofron fare fëmijëve atë që u premtua”.
Natyrisht, ne do vëmë në dijeni edhe ambasadorin e BE edhe përfaqësuesit e GTZ gjermane, mqs edhe fondet edhe interesimi janë drejtpërsëdrejti të tyret. Por mbetet fakt se kjo është lidhja e kësaj qeverie me integrimin dhe me europianët: i konsiderojnë ata thjesht ca burokratë që duhen gënjyer, përcjellë dhe zhvatur. Ja pra pse arsimi profesional nuk është punë fondesh, por çështje vullneti politik dhe përgjegjshmërie kombëtare. Ndaj edhe është zë më vete në Programin tonë të Rilindjes.
Duke studiuar të dhënat, vihet re se sot për sot arsimin e detyruar e përfundojnë çdo vit afro 54 mijë nxënës, ndërsa arsimin e mesëm afro 38 mijë. Këta dhjetëra mija fëmijë mbeten pra thjesht me arsim 9-vjeçar, dhe këta janë më së shumti fëmijë të zonave rurale, e madje shumica vajza, pra janë nënat e nesërme. Kërkuam të kuptonim shkaqet e kësaj braktisjeje, dhe shkaku kryesor del të jetë mungesa mirëfilli e shkollave të mesme. Kemi 1782 shkolla nëntëvjeçare dhe vetëm 375 të mesme. Gjithë kjo mpakje me herë e shkollave të mesme ka ndodhur në zonat rurale apo në ato të thella. Mirëpo botën varet si e sheh, thotë Machiavelli tek “Princi”. Sipas tij, vendi i rrënuar është në fakt edhe mundësia e madhe historike për ta rilindur atë. Ndaj edhe them se këto territore të lëna djerrë nga shkollat e mesme, pra të lëna pa alternativë aftësimi për punë e dije, programi ynë i konsideron sot si territoret e Skotit, të gjitha të projektuara si qendra kushtuar arsimit profesional. Një nga arsyet madhore për të cilën ne do ta fuqizojmë fort arsimin e mesëm profesional, është pikërisht për të mos i humbur rrugës këta rioshë, pra për të mos i lënë peng të varfërisë që u vjen kryesisht si pasojë e arsimimit të tyre të ulët. Në bashkëpunim me ekspertët gjermanë të GTZ, me zviceranët e CARD e kështu me radhë, si edhe në rakordim me programin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik që po harton PS, ne po përcaktojmë për çdo zonë edhe tipologjinë e arsimit profesional, pra ku do të ketë natyrë prodhimi e ku natyrë shërbimi.
Vijojmë më tej: Sipas USAID-it shqiptarët rezultojnë sot me një mesatare vitesh shkollimi prej 9.5 vitesh, ose 5 vjet më të ulët se e mesmja europiane. Këtë tregues ne nuk do ta ngremë artificialisht përmes “liberalizimit” të universiteteve sikundër çaprashit qeveria, po do ta rrisim realisht, përmes fuqizimit të arsimit dhe formimit profesional, duke i ofruar çdo nxënësi mundësi të ndryshme e të shumta shkollimi, në përputhje më aftësitë dhe talentet e gjithsekujt. Po përfundojmë studimin rajonal të tregut të punës, privat e publik, për ta integruar arsimin me kërkesat e tregut, pra për t’i dhënë siguri punësimit. E posë studimit, po diskutojmë edhe lehtësitë fiskale dhe ekonomike ndaj biznesit privat, i cili do të investojë për aftësimin e të punësuarve të vet. Në programin tonë shteti dhe privati janë realisht partnerë.
Zbresim në detaje:
Si kemi menduar ta nyjëtojmë çështjen e arsimit dhe të formimit profesional?
Para së gjithash bëjmë me dije se kemi pasur në kujdes integrimin e këtij segmenti formues qoftë brenda gjithë ofertës së re të shkollimit, qoftë edhe brenda politikave buxhetore e fiskale të programit Për një Rilindje Shqiptare. Posë kësaj, vëmendje më vete themi se duhet të ketë edhe aspekti ligjor rregullator.
Brenda ofertës së re të shkollimit kemi parashikuar:
1. Sikundër thamë, puna e parë janë shkollat e mesme profesionale për të mbuluar krejt hapësirën e lënë pa arsim të mesëm. Nëse sot raporti është më shumë se një me tre (pra një shkollë e mesme ekzistuese bri tri nëntëvjeçareve), mbulimi me arsim të mesëm profesional, shtu sikundër ne e mendpjmë, pra duke synuar mbulimin e territorit djerrë, priret njëmend drejt parametrave të sotëm europianë. E them këtë, pasi me statistikë, në vende si Zvicra e Gjermania, 2 të tretat e nxënësve të arsimit të mesëm ndjekim arsimin e mesëm profesional. Ky është edhe synimi ynë afatgjatë, ndërsa ai që synojmë brenda mandatit të parë është dyfishimi i frekuentimit të tanishëm (pra 45% pjesëmarrje). Kuptohet, nisur edhe nga shembulli i trishtueshëm u Kamzës, gjejmë me vend të themi se në politikat tona, nxënësit nuk janë shifra për t’u raportuar, por shqiptarë për tu aftësuar të jetojnë mirë me punë të ndershme. Këto shkolla do kenë disa mundësi daljeje në treg të punës: në mbarim të vitit të parë (thjesht aftësim fillestar praktik), në mbarim të vitit të tretë (që përkon edhe me mbarimin e gjimnazit). Mandej daljet e tjera, në dy vitet e tjera janë të ndërthurura me formimin e lartë (pra si teknikë të lartë). Lind pyetja: ku do të përvijohen këto 2 vite?
2. Siç edhe kemi deklaruar, akreditimi dhe rankimi i universiteteve do të nxjerrë në pah gjendjen e vërtetë aktualë të secilit institucion. Ata që do të dëshmohen të aftë për të vijuar ofertën arsimore, mund t’i nënshtrohen vetën reformës universitare. Të gjitha institucionet e tjera, përmes bashkëpunimit shtet-privat, mund të adaptohen si kolegjet amerikane, apo institutet teknike europiane, për t’u shndërruar në sisteme formimi dual të arsimit të lartë (ku gërshetohet dija teorike me aftësinë praktike). Dhe në këtë ridimensionim bashkëpunimi qeveri – biznese pritet të jetë tepër i mbarë e frytdhënës. Kuptohet, kemi pasur po ashtu parasysh që asnjë i ri apo e re mos t’i këtë shtigjet formative të mbyllura drejt karrierës, pavarësisht zgjedhjes së tij për shkollë dhe punë njëherësh. Kështu që, në bashkëpunim me stafet akademike dhe konsulencat e çmuara të përvojës ndërkombëtare, gjithë modulet teorike të tri viteve të kolegjit, do mund të barten apo shqip t’u njihet vlera në rrugëtimin e çdo studenti, që pasi ka marrë përvojë pune, mund të zgjedhë të thellohet në studime drejt masterit apo edhe doktoraturës shkencore. Jemi të përgjegjshëm për energjitë studimore që shpenzon çdo i ri, ndaj edhe lëndët e formimit teorik të instituteve profesionale do të homologohen me ato të universiteteve të tjera të mirëfillta. Kështu shtegu i karrierës mbetet i hapur, sipas aftësive dhe talentit.
Sa i takon politikave buxhetore, dua fillimisht të bëj me dije se jemi ballë një absurdi të madh kur është fjala për aftësimin praktik. Besoj e keni ndjekur amendimin që i bëri qeveria vitin e kaluar ligjit të profesioneve të rregulluara. Në ligjin pararendës parashikohej që periudha e stazhit (nga një deri në trevjeçare ) t’u paguhej të rinjve në jo më pak se 50% e pagës. E pazonja për t’i dhënë zgjidhje, qeveria e hoqi pagesën. Pra një inxhinier, mësues, mjek, infermier, fizioterapist etj, pasi të marrë diplomën, detyrohet nga shteti të punojë një a dy vjet falas, pastaj të japë provimin e shtetit, dhe nëse e merr, është “i lirë” të quhet profesionist i papunë. Kjo do të ndryshojë: do të kthehet siç e ka gjithë bota (shembulli i Italisë së veriut, Gjermanisë, etj). Pra, në buxhet, arsimimi dhe formimi profesional do të shoqërohen me një xhep të veçantë, i caktuar për lehtësimin fiskal të gjithë bizneseve që u mundësojnë stazhin, intershipin të diplomuarve. Apo edhe aprendistatin atyre që pas shkollës së mesme profesionale, kryejnë hapat e para të zanatit pranë bizneseve prodhuese. Kuptohet, siç e kemi deklaruar, edhe zerim taksash për çdokënd që hap një biznes të vogël me të kryer ciklin formues shkollor.
Ndryshim siç e thamë, kërkon edhe kuadri ligjor. Ja disa propozime që po i shpalojmë më poshtë:
Ndryshime në kuadrin ligjor
“Për arsimin dhe formimin profesional”
- Kalimi i arsimit dhe formimit profesional nën një varësi të vetme (sipas praktikës së Gjermanisë, Anglisë etj, po edhe sipas propozimit të vijuar të donatorëve të cilët u mekën duke ngulmuar te ky përqëndrim). Aktualisht varet nga dy institucione, edhe MASh edhe Ministria e Punës, por asnjëra nuk ka fuqi vendimmarrëse përfundimtare.
- Krijimi i Dhomave të Zejtarive si mbështetje e arsimit profesional dhe kalimit në tregun e punës.
- Krijimi i kushteve ligjore që shkollat e AFP të nxjerrin vetë të ardhura nga produktet/shërbimet që krijojnë.
- Përgatitja e standardeve ligjore për akreditimin e institucioneve të AFP.
- Vendosje e rregullarizimit të tregut të punës me ligj në përputhje me të drejtën e ushtrimit të zanatit.
- Përcaktimi i standardeve të vlerësimit të cilësisë në institucionet e AFP, sipas kritereve të tregut ndërkombëtar të punës.
- Përcaktimi i procedurave monitoruese ligjore për sistemin e AFP si dhe ngritja e inspektoratit.
Në të sosur, vlen të thuhet se çdo fjalë këtu mbërthen edhe besojmën tonë: Ne besojmë tek arsimi, si fuqia më e madhe rilindëse e një kombi.
Ledi Shamku-Shkreli