Ndryshe nga sa ndodh me profilet e tjera të mësuesisë, në arsimin fillor numri i kandidatëve që do të kalojnë në testimin për lejen e ushtrimit të profesionit është shumë herë më i lartë. Sipas të dhënave të shpallura nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, përgjatë kësaj jave në këtë profil do të kalojnë në testim 775 kandidatë nga të gjitha rrethet në vend.
Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listin e plotë të mësuesve të rinj që plotësojnë kushtet për të dhënë këtë provim, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të ushtruar profesionin si mësues në këtë cikël. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, secili mësues që është pjesë e kësaj liste, duhet të bëjë kujdes dhe të paraqitet për të zhvilluar testin e informatizuar në QSHA vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të.
Për shkak të numrit të madh të kandidatëve që janë në garë për licencën, testimet e shtetit në këtë profil do të vijojnë deri në datën 5 tetor, duke u zhvilluar çdo ditë me tre turne sipas orareve të përcaktuara për secilin kandidat nga QSHA, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë detyrimisht parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara, ku: duhet të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit.
Me vete duhet të mbani edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera pjesëmarrjes. Autoritetet e QSHA-së sjellin në vëmendje se fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse.
Po ashtu, duhet të keni me vete edhe kopjet e diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Mungesa e ndonjërit prej këtyre dokumenteve penalizon kandidatët me përjashtim nga provimi e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të kësaj qendre.
Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Autoritetet drejtuese të kësaj qendre bëjnë me dije se një pjesë e mirë e këtyre të rinjve, kthehen në garë për licencën për të disatën herë, pasi kanë dështuar në sezonet e provimeve të zhvilluara përgjatë sezoneve të shkuara. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit.
KLIKO per te pare emrat: LISTA
