Degët e turizmit dhe ekonomikut pohohet të jenë ndër profilet më të kërkuara nga nxënësit që vijojnë arsimin e mesëm profesional. Sipas krerëve të arsimit, rreth 40 për qind e të regjistruarve në arsimin profesional u përkasin këtyre degëve, teksa vërehet edhe një rritje e kërkesave për të vijuar studimet e mesme në profile të tjera.
Në një konferencë për arsimin profesional, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj tha se krahas interesit të nxënësve për të vijuar shkollat e mesme profesionale, duhet të nxitet edhe interesi i bizneseve, të cilat duhet të bashkëpunojnë që të ofrojnë sa më shumë mundësi punësimi për të kualifikuar të rinjtë e këtyre shkollave. Ndërkohë që nxënësit përveç praktikës që ndjekin pranë subjekteve të ndryshme të biznesit duhet të jenë të aftë që hartojnë edhe plan biznese, gjë që do t`i ndihmojë ata në drejtim të kualifikimit dhe kërkesave që parashtron dhe ka nevojë tregu aktual i punës në vendin tonë.
Gjatë viteve të fundit arsimi i mesëm profesional i është nënshtruar ndryshimeve të shumta në kurrikulat mësimore të zbatuara. Tashmë në të gjitha shkollat profesionale ka edhe tekste specifike për profile të veçanta. Sipas autoriteteve të Ministrisë së Arsimit për shkollat profesionale ka një interes gjithnjë e në rritje, e cila shihet me numrin e lartë të regjistrimeve që kryhen çdo fillim viti në këto shkolla.