Rezultatet negative të marra në provimin e kualifikimit nuk do t’i penalizojë mësuesit me humbje të vendit të punës. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se tashmë ka përfunduar procesi i korrigjimit të rreth 4000 testeve të plotësuara nga mësuesit e lëndëve të ndryshme në të gjithë vendin. Përmes rezultateve të këtij provimi, mësuesit mund të përfitojnë rritjen e pagës në bazë të vjetërisë së punës e shkallës së kualifikimit në të cilën janë testuar. Krahas rritjes së pagës ky provim u mundëson mësuesve që të përfitojnë edhe mundësinë e ngritjes në detyrë. Përkundrejt shqetësimeve të lindura në radhët e arsimtarëve, autoritetet arsimore sqarojnë se, mësuesit që kanë mundur të marrin shkallën e kualifikimit përmes provimit të dhënë në datën 27 prill, nuk duhet të shqetësohen, pasi nuk rrezikojnë humbjen e vendit të punës. Rezultatet negative të këtij provimi nuk i lejojnë këta mësues që të përfitojnë rritjen e pagës, si dhe të kërkojnë ngritjen në detyrë.
“Ky është një kualifikim i mësuesve, i cili bëhet në rast se ata plotësojnë disa kritere siç është vjetërsia e punës në arsim. Ky kualifikim nuk është penalizues përsa i takon punës së tyre. Në rast të një performance të dobët, e cila vihet në dukje edhe në testimet e viteve të mëpasshme atëherë do të ketë ndikim”, bën të ditur Dorina Rapti, drejtoreshë e arsimit parauniversitar në MASH. Duke i’u referuar përcaktimeve të bëra në rregulloren e testimeve kualifikuese, do të përfitojnë shtesën mbi pagë vetëm mësuesit që marrin rezultate të larta në provim, të cilës i shtohet edhe e drejta për të konkurruar për poste më të larta në shkollën ku ata japin mësim.
“Nëse mësuesi kalon me sukses këtë lloj provimi, fiton përqindjet e rritjes së pagës sipas vjetërsisë së punës. Kjo ndikon në rolet që merr mësuesi në shkollë siç është roli i mentorit apo roli i drejtuesit, nëndrejtor apo drejtor”, shton më tej Rapti. Sipas rregullores, rritja e pagës ndahet në tre nivele, të cilat i takojnë edhe vjetërisë së punës që mësuesit e testuar kanë në arsim. Në këto kushte, mësuesit që kanë 20 vite punë në arsim dhe kanë dalë mirë në këtë provim, fitojnë rritjen e pagës në masën 20 për qind, ata që kanë eksperiencë dhjetëvjeçare në arsim, në këtë masë fitojnë edhe shtesën mbi pagë. Ndërsa mësuesit që kanë vetëm pesë vite punë, fitojnë 5 për qind shtesë mbi pagë.
Sipas Raptit, krahas mësuesve të zonave urbane të shumtë kanë qenë edhe arsimtarët e zonave rurale që i janë nënshtruar provimit të kualifikimit gjatë këtij viti. Nga testimi i kryer një vit më parë, rreth 2 për qind e arsimtarëve nuk dolën mirë në testim duke mos marrë vlerësim pozitiv. Por, pavarësisht këtij rezultati, këta mësues i kanë ende shanset për të ridhënë këtë provim që konfirmon kualifikimin e vazhdueshëm të dijeve të tyre.
