Qeveria e Arabisë Saudite ka njoftuar se më shumë se 3 milionë gra saudite mbi 15 vjeç nuk kanë karta identiteti, raporton agjencia Fars News.
Një nga arsyet kryesore për mungesën e pasaportës tek qytetaret saudite është mungesa e zyrave të veçanta për regjistrimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit, sipas Byrosë së Çështjeve Civile të vendit arab.
Arabia Saudite ka një popullsi totale prej 30 milionë banorësh, rreth gjysma e të cilëve janë gra që privohen nga të drejtat e tyre themelore. Deri në vitin 2004, femrat e kishin të ndaluar të kishin kartë identiteti, pasi emrat e tyre regjistroheshin në fillim në dokumentin e identitetit të babait të tyre dhe më pas në atë të bashkëshortit.
Për më tepër, duke qenë se gratë ndalohen të tregojnë fytyrën e tyre në foto, nuk mund të ketë karta identifikimi me foto. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme saudite ka propozuar një plan që të merren shenjat e gishtave të grave në vend që të lëshojnë karta identiteti me foto. /DITA
