Arsyet e shpeshta të dhimbjeve të barkut tek fëmijët

Ornela

Pranvera Kola

Dhimbjet e barkut janë ndër shqetësimet më të shpeshta që raportohen në radhët e fëmijëve të vegjël.  Shumë prej tyre mund të jenë kalimtare, ndërkohë që të tjera kërkojnë kujdes të specializuar mjekësor. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita” se shkaqet e mundshme për dhimbjet e barkut tek fëmijët variojnë nga më të parëndësishmet, e deri tek ato që mund të kërcënojnë edhe jetën. Sipas saj, shpesh, prindërit përballen me vendimin e vështirë nëse ankesat e fëmijës kanë nevojë për trajtim urgjent ose jo. Në vijim mjekja Xhelili tregon se cilat janë ndër arsyet më të shpeshta që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve të barkut tek fëmijët, simptomat dalluese, si dhe masat që duhet të merren për trajtimin dhe lehtësimin e tyre.

Ndikimi i infeksioneve virale

Së pari, infeksionet virale dhe bakteriale shkaktojnë shpesh dhimbje barku, të cilat shoqërohen në përgjithësi edhe me të vjella, diarre dhe dhimbje në formë ngërçi. Këto njihen shpesh edhe si: “gripi i zorrëve”(gastroenteritis). Infeksionet virale zgjidhen shpejt, ndërsa infeksionet bakteriale mund të kenë nevojë për trajtime me antibiotikë.

Ushqimet

Helmimi ushqimor (i cili ka simptoma të ngjashme me gastroenteritin), alergjitë ushqimore, ngrënia e sasive të tepërta të ushqimit mund të shkaktojnë parehati të përkohshme të barkut. Helmimet mund të jenë të thjeshta (siç është gëlltitja e copave të sapunit nga fëmijët), apo edhe të komplikuara siç është gëlltitja e pilulave të hekurit, apo helmimi nga Acetaminofeni.

Ndikimi i sëmundjeve

Problemet kirurgjikale që shkaktojnë më shpesh dhimbje barku përfshijnë Apendicitin dhe bllokimin e zorrëve. Por dhimbje barku mund të shkaktojnë edhe problem të fokusuara jashtë barkut. Për shembull, një fëmijë mund të ketë dhimbje barku nga komplikacionet e diabetit, ose nga një pickim i merimangës “vejusha e zezë”.

Si prezantohen dhimbjet e barkut tek fëmijët?

Sigurisht që fëmijët e rritur janë në gjendje t’i shprehin shqetësimet e tyre shëndetësore. Problem janë foshnjat, prandaj prindërit duhet të vërejnë me kujdes ndryshimet e sjelljeve të tyre, përshembull ato qajnë vazhdimisht dhe nuk janë rehat, duke marrë edhe një shprehje të dhimbshme të fytyrës. Një gjë e rëndësishme për t’u mbajtur mend është se shkaqet më të thjeshta të dhimbjeve të barkut nuk zgjasin shumë. Ato zakonisht zhduken brenda 24 orëve (dhimbjet dhe fryrja barkut nga gazrat, gripi i stomakut dhe i zorrëve).

Kur duhet që këto dhimbje të vlerësohen nga mjeku?

Nëse dhimbjet vazhdojnë mbi 24 orë, atëherë ato duhen vlerësuar nga një mjek specialist, për të gjetur shkakun që kanë ndikuar në shfaqjen e këtyre dhimbjeve. Rëndësi duhet t’i kushtojmë vendndodhjes së dhimbjes. Shumica e dhimbjeve të thjeshta janë të vendosura në qendër të barkut. Dhimbjet në zonat e tjera janë më shqetësuese për fëmijë, veçanërisht për dhimbjet e vendosura poshtë në anën e djathtë të barkut. Dhimbja në atë zonë konsiderohet të jetë apendicit derisa të provohet e kundërta.

Çfarë shenjash duhet të na orientojnë drejt mjekut?

Kujdes duhet treguar nëse fëmija paraqitet i zbehtë, i përgjumur, i lodhur, refuzon të hajë, djersitet, nuk pranon të marrë pjesë në lojë. Një simptomë e rëndësishme që shoqëron dhimbjet e barkut janë të vjellat të cilat jo gjithmonë tregojnë një problem serioz. Sidoqoftë, ashtu si me kohëzgjatjen e dhimbjes, shumica e shkaqeve të thjeshta të të vjellave largohen shumë shpejt. Rregulli përsëri është që të vjellat për më shumë se 24 orë duhet të vlerësohen nga mjeku. Simptomë tjetër që i kushtohet rëndësi është natyra e të vjellave. Në çdo moshë, të vjellat që duken se përmbajnë gjak ose kanë ngjyrë më të errët kërkojnë trajtim urgjent. Të vjellat e zgjatura dhe pamundësia për të pranuar lëngje mund të shkaktojnë dehidrim, i cili shprehet me tharje goje, pakësim të urinimit dhe kërkon edhe kjo situatë trajtim urgjent. Dhimbjet e barkut mund të shoqërohen me temperaturë dhe gjendje ethore dhe në këtë rast orientimi shkon drejt infeksioneve virale, ose bakteriale. Dhimbjet e barkut që shoqërohen me probleme të urinimit siç është urinimi i dhimbshëm, ose i shpeshtë mund të tregojë për një infeksion të fshikëzës urinare dhe kjo është një arsye për të kërkuar kujdes shëndetësor. Kombinimi i skuqjes së lëkurës me dhimbjet e barkut është gjithashtu një arsye që kërkon trajtim mjekësor.

Si trajtohen dhimbjet e barkut?     

Dhimbja e barkut tek fëmijët ka disa shkaqe të mundshme që mund të ndikojë në sisteme të ndryshme organesh dhe sistemesh të organizmit. Mjeku do të marrë së pari një histori të plotë të sëmundjes dhe do të bëjë ekzaminimin fizik të fëmijës. Në bazë të këtij ekzaminimi mund të merren teste të gjakut, mostrat e jashtëqitjes, të kryhen ekzaminime imazherike, si edhe të referohet në mjekë të ndryshëm specialistë sipas rastit të paraqitur. E rëndësishme është të theksojmë se në rastin e dhimbjeve të barkut nuk duhet të nxitojmë të përdorim borsat, ose kompresat e ngrohta përderisa dhimbjet e barkut të jenë sqaruar. Si qetësues mund të përdoret paracetamoli, por mos harroni jo më gjatë se një ose dy ditë. Dhimbjet që zgjasin kërkojnë trajtim të shpeshtë mjekësor.

Cila është prognoza e dhimbjeve të barkut?

Prognoza për dhimbjen e barkut te fëmijët është po aq e larmishme sa edhe vetë shkaqet. Dhimbja e barkut e identifikuar dhe e trajtuar herët, mbart një prognozë të mirë në përgjithësi; sidoqoftë dhimbja e barkut e padiagnostikuar dhe e patrajtuar mund të jetë e rrezikshme për jetën. Prandaj nuk duhet hezituar për të kërkuar ndihmën e mjekut.

Kujdes!

E rëndësishme është të theksojmë se në rastin e dhimbjeve të barkut nuk duhet të nxitojmë të përdorim borsat, ose kompresat e ngrohta përderisa dhimbjet e barkut të jenë sqaruar. Si qetësues mund të përdoret paracetamoli, por mos harroni jo më gjatë se një ose dy ditë. Dhimbjet që zgjasin kërkojnë trajtim të shpeshtë mjekësor.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *