Në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 530 qendra votimi iu nënshtruan procesit të rinumërimit të votave për shkak të manipulimeve të supozuara, ndërsa ende nuk ka rezultate përfundimtare.
Zgjedhjet në Kosovë u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtar si të rregullta, demokratike dhe pa probleme thelbësore në ditën e votimeve të 6 tetorit, por megjithatë ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare. Kjo për arsye se në mbi 530 qendra votimi po kryhet rinumërimi i votave për shkak të parregullsive të pretenduara. Sipas prononcimeve të Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR), deri më tani janë rinumëruar më shumë se gjysma e votave nga këto 530 qendra.
Koordinatori i QNR shprehet: “Procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të përfundojë brenda 3-4 ditëve, pastaj iu hapet rruga numërimit të votave me kusht, që praktikisht do të marrin edhe 2 ditë. Pra, kemi rezultatet e vendvotimeve të rregullta, të cilat janë në bazën e të dhënave, do t’i procedojmë rezultatet e vendvotimeve të rinumëruara, që po ashtu do t’ia bashkojmë rezultateve finale. Po kemi gjithashtu edhe rezultatet e votave me postë dhe mbeten vetëm edhe rezultatet e votave me kusht në mënyrë që të kompletohen të gjitha, dhe KQZ të publikojë rezultatet përfundimtare”.
Procesi i rinumërimit të votave në të paktën 530 vendvotime, nga rreth 2800 sa ishin në mbarë Kosovën, po bëhet për shkak të manipulimeve nga komisionarët e partive politike, çfarë po vlerësohet se po dëmton të gjithë procesin zgjedhor.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tashmë ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë hetuese që të qëndrojnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për të hetuar parregullsitë e raportuara. Sipas saj, gjatë numërimit të votave në disa qendra votimi janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme.
Daka shprehet: “Sa u takon komisionerëve, unë edhe tani mund t’u bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë që mund të qëndrojnë lirisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe aty për aty të shohin dhe t’i marrin provat, sepse në ato vendvotime ku ka rinumërim janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme”.
Nga ana tjetër, mbi 40 mijë fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme dhe tani pë tani sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, akoma nuk ka një konstatim rreth natyrës së pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.
Elezi shprehet:”Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë periudhë kur po bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve, është duke gjetur fletëvotime të pavlefshme dhe duke parë natyrën e tyre. Sigurisht pasi të kemi më shumë kohë do të ketë një raport lidhur me detajet, statistikat që i përkasin pavlefshmërisë së fletëvotimeve”.
Organizata të shoqërisë civile që janë të angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve, thonë se mungesa e mirëinformimit të qytetarëve ka bërë që të ketë shumë fletëvotime të pavlefshme.
Analistët politik nga ana e tyre thonë, se një prej pikave më të dobëta të sistemit zgjedhor mbetet rinumërimi i pashmangshëm i kutive të votimit dhe e gjithë kjo është pasojë e përpjekjeve të komisionerëve për të manipuluar me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike. Blerim Burjani analist politik dhe ish-anëtar i KQZ-së shprehet se reforma zgjedhore në Kosovë është e domosdoshme.
Burjani thekson: “Duhet të ndodhë një reformë zgjedhore adekuate që eviton mangësitë si në vijim: Ndaljen e manipulimit me votat të kandidatëve të partive që vet partitë politike përmes komisionerëve të tyre i bëjnë. Komisionerët partiak nuk duhet të numërojnë vota, por këtë duhet ta bëjnë punonjësit civilë. Dhe KQZ, Këshillat e Vendvotimeve (KVV) dhe Këshillat Komunale Zgjedhore (KKZ) duhet të depolitizohen plotësisht”, duke shtuar se ndëshkimi i partive politike me gjobë, mund ta ndalë procesin e manipulimit me numërimin e votave.
Ai shprehet: “Manipulime të votave bëhen, sepse sistemi është i tillë ku partitë politike përmes komisionerëve të tyre numërojnë votat e tyre. Po qe se rriten ndëshkimet ndaj partive politike, atëherë partitë mund ta ndalin këtë fenomen dhe të mos bëjnë gjëra të kundërligjshme dhe duhet të ketë gjoba të rrepta ndaj partive politike e jo vetëm ndaj komisionerëve të partive. Partitë politike keqpërdorin komisionerët e tyre, sepse e dinë që përgjegjësia penale është individuale dhe jo partiake. Pra, duhen mbyllur lista për të ndalur vjedhjen e votave të kandidatëve brenda së njëjtës parti politike”.
Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas KQZ-së nuk mund të publikohet pa përfunduar rinumërimi i vendvotimeve të kontestuara, numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave më aftësi të kufizuara. Ky rezulton një proces që mund të marrë eedhe të paktën një javë tjetër.
Në bazë të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosja mori më shumë vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja. Këto dy parti tashmë janë në fazën e negociatave për formimin e një koalicioni qeverisës në Kosovë./ DW
e.ll./dita

Ky eshte rezultati i nxitimit qe shume media e parti e quajten sukses i madh i kosoves per zgjdhjet. Ku eshte suksesi, pasi po kalojne 3 jave dhe nuk ka asnje rezultat dhe vazhdon numerimi i votave, ku po shfaqen edhe shume parregullsi. Tani mediat te cilat fajesuan shqiperine qe i vonon rezultatet e zgjedhjeve duhet te kerkojne falje per cfare kane shkruar e llomotitur kunder keti vendi.