Një italian ka transformuar një bunker në Bosnje në instalacion artistik. Artisti Alfredo Pirri ka shfrytëzuar për idenë e tij një bunker që gjendet në Konjic, 80 kilometër nga Sarajeva. Ai e ka mbuluar dyshemenë e bunkerit me pasqyra të thyera, ku gjatë tre muajve në vijim vizitorët do të mund të shohin pasqyrimin e deformuar, një detaj me të cilin autori synon të përcjellë idetë e tij. Galeria e nëndheshme ka gjatësi rreth 280 metër.
Dikur një bunker që u ndërtua me qëllimin për të strehuar liderin e ish-Jugosllavisë në rast sulmi bërthamor, tashmë tuneli i nëndheshëm pritet të kthehet në galeri arti, nëpërmjet të cilit të përcillet ideja se çfarë do të kishte ndodhur nëse vërtet në qiejt e Ballkanit do të shfaqej kërpudha e frikshme e shpërthimit atomik.
Tuneli në formë U-je është hapur në një mal dhe për ta përfunduar janë dashur 26 vjet punë e miliona dollarë. Për dhjetëra vite me radhë, ekzistencën e kësaj fortese nëntokësore e dinte vetëm lideri jugosllav Josip Broz Tito dhe njerëzit e tij më të afërt.
Sekreti u zbulua kur Bosnja u nda nga Jugosllavia, në vitin 1992. Në vitin 2011, bunkeri u hap për tre muaj si një galeri arti. Ndërsa që prej të premtes, për tre muaj me radhë, artistë nga 19 vende pritet të ekspozojnë punët e tyre në hapësirat e tij. / G. Sokoli




