Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka dalë në një konferencë shtypi për shpërthimet e ndodhura ditën e djeshme në Tiranë.
Ai ka thënë se në të trija shpërthimet ka elementë të përbashkët, çka bën që të mendohet se ato kanë lidhje me njëri-tjeterin.
“Për dy ngjarjet, njëra tek farmacia e zotit Bashkim Tahiri dhe tjetra tek stacioni i autobusit të Unazës, nga konkluzionet e hetimeve të kryera deri tani ka element të përbashkët që na bëjnë të gjykojmë se mund të ketë qenë i njëjti person”, tha Didi.
“Në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri ka pasur një shpërthim në njësinë e jashtme të kondicionerit të dyqanit, duke dëmtuar atë dhe pjesën anësore të murit të jashtëm të farmacisë.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes ka rezultuar se në faqen e jashtme të murit anësor të pjesës perëndimore të godinës dhe pikërisht në vendin ku është montuar njësia e jashtme e kondicionerit të farmacisë, ka qenë vendosur një sasi lënde eksplozive nga shpërthimi i së cilës është dëmtuar plotësisht njësia e jashtme e kondicionerit, një pjesë e murit të jashtëm të farmacisë, si dhe janë thyer xhamat e lokaleve dhe farmacive përreth.
Nga mostrat e marra nga bloza në faqet e murit në afërsi të vatrës, si dhe provat mekalt rezulton se lënda plasëse është tritol e përllogaritur në një sasi rreth 400 gram.
Mekanizmi i shpërthimit ka qenë ai me komandim në distancë nëpërmjet celularit, tha Didi në lidhje me shpërthimin e ndodhur në farmacinë e babait të Tahirit.
