Profesori dhe filozofi i njohur Artan Fuga,zakonisht flet dhe shkruan rrallë për lëvizjet apo ngjarjet politike të ditës. “DITA” e kontaktoi Fugën për të njohur dhe perceptimin dhe analizimin që një autoritet publik si ai, kishte krijuar në lidhje me zhvillimet e reja në politikën shqiptare. Ishte aq e fortë kjo kthesë politike, sa analistët apo editorialistët që i shohim rëndom të shkruajnë në shtypin shqiptar nisën në disa raste dhe një “betejë romuzesh” mes tyre, në varësi të pozicionimit në lidhje me këtë koalicion, që sidomos në momentet e para, përçoi një contrast verbues. Por nëse analistët e përditshëm të medies së printuar, duan-s’duan do jenë pjesë paragjykimit brenda dhe jashtë llojit, ishte me interes që për këtë zhvillim të ri,të ketë edhe zëra mjaftueshëm të shkëputur nga vorbulla politikomediatike e ditës, zëra që kanë edhe autoritetin publik për të marrë në shqyrtim sa më objektivisht këtë lëvizje surprizuese në spektrin e majtë. Nuk është se kemi me shumicë të tillë në këtë atdheun tonë të vockël, por me siguri filozofi Fuga është një prej tyre:
Profesor, çfarë menduat kur mësuat për shpalljen e befasishme të një koalicioni mes PS-së dhe LSI-së?
Nuk është se mendova ndonjë gjë të veçantë. Sapo kisha bërë një shkrim ku thosha se nuk po ndodh asgjë e re në skenën politike kombëtare paraelektorale, sepse më dukej se elektorati i njihte tashmë aktorët politikë që paraqiteshin përpara tij. Kurse shpallja e aleancës midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim sjell një risi që e ndryshon të dhënën e përgjithshme. E vërteta ishte se kur mendoja për zhvillimet politike në Shqipëri, sikurse shumë të tjerë edhe unë pyesja veten ndonjëherë se çfarë do të bëjë LSI-ja me aleancën e vetë? Do të qëndrojë me Partinë Demokratike apo do të bashkohet me Partinë Socialiste? Tani dua të jem shumë i sinqertë, pavarësisht se nuk isha shprehur ndonjëherë, se më shumë gjykoja se do të qëndronte më vete, do të dilte më vete në zgjedhje dhe nuk do të bënte aleanca paraelektorale me njërën nga partitë e mëdha. Mendoja se do t’i kishte interesuar një pol i tretë, për të parë sesi do të mund të vepronte pas zgjedhjeve edhe në funksion të rezultatit dhe të marrëdhënieve të krijuara. Nisesha nga disa arsyetime. Mendoja se ministrat në kabinetin qeveritar të zotit Berisha do të dëshironin ta vazhdonin qëndrimin e tyre atje. Gjykoja se do ta kishin të vështirë, që pas kaq vjetësh në qeverinë e Partisë Demokratike të shpresonin se do ta kishin të lehtë ta shihnin veten të ulur në kolltuqe ministrore në një qeveri tjetër të mundshme, me ngjyra të tjera politike. Po kështu, mendoja se LSI-ja do ta donte ta testonte e vetme forcën e vet elektorale, që pastaj të negocionte për pushtet me kreditë e veta elektorale. Po ashtu gjykoja se LSI-ja do ta kishte të vështirë që në zgjedhje të hynte me një ligjërim politik dhe fushatë agresive kundër Partisë Demokratike sikurse bënte natyrshëm partia socialiste nga këndvështrimi i vet meqë kishte qeverisur me partinë demokratike. Mbi të gjitha, duke parë marrëdhënien publike mes lidershipit socialist dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, tensione verbale mes tyre si edhe një protagonizëm tepër në kahje të kundërta, më dukej si e pamundur një aleancë e tillë. Edhe nga ana e Partisë Socialiste nuk shihja ndonjë interes për ta bërë atë aleancë sepse mendoja që baza e Partisë Socialiste nuk do të ishte shumë e prirur për një aleancë me LSI-në meqë historia politike e këtyre dy vjetëve kishte lënë gjurmë në kujtesën e vet kolektive dhe mund të demotivohej në të kundërtën. Ja këto kisha menduar dhe prisja sesi do të zhvillohej situate reale, dhe faktet politike, aleanca e konsumuar më tregoi se parashikimet e mia kishin pas qenë krejt të gabuara. Kjo është trajtesa shkencore e fakteve politike, hidhen hipoteza dhe pritet nëse vërtetohen ose jo, nësenuk vërtetohen hipoteza ndryshohet.
Ka pasur një debat shumë të gjerë në lidhje me “moralin” apo dhe “pragmatizmin” e një lëvizje të tillë. Si e vlerësoni këtë koalicion në raport me standardet “morale” dhe “pragmatike”?
Unë mendoj se ky është një diskutim i gabuar nga njerëz që nuk e dinë se çfarë është pragmatizmi dhe çfarë është morali politik. Ngatërrohet morali politik me moralin familjar apo fetar, ose shoqëror. Kurse morali politik është një formë e veçantë e moralit dhe dallohet nga morali ta zëmë fetar apo ai familjar. Morali fetar ta zëmë kërkon ta duam tjetrin, kundërshtarin tonë, por morali politik nuk është se e respekton këtë gjë. Morali familjar për shembull, kërkon që bashkëshortët t’i qëndrojnë besnik lidhjes së krijuar, por në politikë kjo nuk vlen. Në politikë ka vetëm lidhje interesash politike, të cilat bëhen dhe zhbëhen sipas konjukturave të caktuara dhe për të cilat merren pasojapozitive apo negative. Unë gjithmonë kam ecur me mendimin e mjaft filozofëve politikë amerikanë se partnerët politikë në një koalicion janë gjithmonë “vëllezër ujq” sipas shprehjes së përdorur prej atyre vetë. Si bëhen ashtu edhe mund të zhbëhen e kështu pafundësisht.
Cili mund të jetë preludi i një koalicioni të tillë, nëse më 23 Qershor rezulton i suksesshëm?
Të ardhmen e këtij koalicioni mes LSI-së dhe Partisë Socialiste do ta përcaktojë elektorati në varësi nga rezultatet që do të marrin koalicionet e majta dhe të djathta. Gjithmonë një ngjarje politike apo një veprim politik ka anët e veta avantazhuese dhe anët e veta dizavantazhuese. Supozohet që do të ketë një bashkim të dy elektorateve për të dhënë në parim më shumë vota. Por, nuk dihet nëse do të ketë edhe të zhgënjyer që do të shohin atje bashkime krerësh që më parë janë ndeshur verbalisht me njeri tjetrin. Ka koalicion më të gjerë mes partish të majta, por nuk dihet sesi do të reagojnë parti dhe krerë të tjerë që do të shohin se vendet ministrore janë zënë në rast fitoreje, apo se nuk do të kandidohen si deputetë. Disa ish-ministra të LSI-së te kabineti i zotit Berisha shpresojnë të shkojnë përsëri në një qeveri të mundshme socialiste, por opinioni nuk dihet si do ta marrë faktin që të shohë po të njëjtët persona të ulur në kolltuqe ministrore në një qeveri të mundshme me ngjyresa të tjera. Aleanca bashkon të majtën në një koalicion, por nuk dihet nëse kjo do ta motivojë ose jo elektoratin e djathtë për votime duke parë se krahu i djathtë ka fituar pa dashje një identitet duke u braktisur nga LSI-ja. Të gjitha këto prirje askush nuk mund t’i parashikojë, por vetëm rezultatet e zgjedhjeve do të mund ta bëjnë.
Ju keni qenë partizan i tezës se Shqipëria duhet të jetë më së pari një shtet i së drejtës dhe interesit publik dhe jo një shtet i partive. Mendoni se habitati Kushtetues aktual thjesht bën rokadën e partive pa dhënë garanci për reformimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri?
Unë sigurisht vazhdoj sikurse kam qenë kundër ndarjes së ministrive sipas partive politike, kundër ndarjes së vendeve të administratës publike sipas partive politike, kundër bipolitizimit të institucioneve kushtetuese apo institucioneve të tjera. Për mua te ne ka ndodhur një përqendrim i pushteteve në dy ose tre duar, dy ose tre kryetarë partish, aq sa nuk ka qenë edhe në periudhën moniste. Të gjitha pushtetet dalin nga Kuvendi, Kuvendi përbëhet nga deputetë, deputetët dalin nga partitë, kurse partitë kontrollohen fort nga liderët e tyre kryesorë. Ku është këtu ndarja e pushteteve? Ajo është vetëm në fjalë, por jo në të vërtetë. Kur citojmë Hobsin ose Lokun për ndarjen e pushteteve, apo Volterin, etj, po ta shohim thellë – thellë, ndarja e pushteteve ishte një ndarje e shtresave shoqërore, mbreti dhe fisnikët veç ose edhe me tensione mes tyre, parlamentet – borgjezët dhe gjykatësit dhe nëpunësit dilnin nga një përzierje sociale e ndërlikuar si shtresë burokratike. Por, në shoqëritë moderne, veçanërisht atë shqiptare, ndarja e pushteteve është ndarje mes institucionesh, por jo ndarje mes shtresave shoqërore që i ushtrojnë ato. Të gjitha dalin nga partitë, pra nga vendim-marrja e liderëve.
Çfarë nismash, reformash apo kontrate sociale dhe politike mund të shërbente për të sjellë në normalitet afatgjatë rregullat, për një shtet të së drejtës?
Ndarje e shtetit nga partitë politike që nuk janë veçse organizata shoqërore private. Ndarja e nëpunësit nga militanti që e ha shtetin. Ndarja e pushtetit gjyqësor nga partitë dhe nga pushteti legjislativ. Ndarja e gjyqësorit nga funksioni i Presidentit si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Depolitizimi i KKRT-së dhe i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, etj etj. Por, shoh se asnjëra nga forcat politike nuk i ka në agjendë këto duke menduar se demokracia barazohet me pluralizmin politik sikurse ndodhte në vitin 1990. Por, këto kam nja dhjetë a njëzet vjet që i them, ndërkaq nuk shoh vullnet politik për t’i ndërmarrë. Pyes veten : Atëherë, përse aspirojmë Bashkimin Evropian kur demokracitë evropiane janë ndërtuar ndryshe nga kjo jona? Jam i bindur se njëherë këto ndryshime do të ndodhin. Një cikël i ri i modelit shqiptar të ekonomisë, të tregut, të shtetit, të sistemit të të drejtave qytetare, të gjyqësorit, të medieve etj, do të vijë. Por, hëpërhë analizat e partive politike kanë prioritete të tjera. Por, le të presim, mbase një ditë politika do të ketë nevojë për mendimin dhe veprimin qytetar dhe neve do të na hapen mundësitë për të vepruar dhe për të shpalosur idetë tona jo në emër të partive politike, por në emër të qytetarit. Kushedi. Çfarë nuk sjell jeta.
Intervista është botuar sot në gazetën DITA
E mer daje kur tdo suma i heq komentet Ti. Temin qe te thosh hiqe nuk e hoqe…..