Disa ditë më parë unë i drejtova një letër të hapur, mikut tim, Ismet Sulejmani, si mendim, përsiatje për pushtetin, njeriun dhe artin e vështirë të të jetuarit në paqe.
Mbrëmë, kur po vija i ftuar ne Kongresin e katërt zgjedhor te Bashkimit Demokratik për Integrim, jo rastësisht më është kujtuar kjo letër, ashtu si më erdhën në mend rrugët që kemi bërë, të gjithë së bashku, për të ardhur në këtë çast, i cili, edhe pse mund të duket i zakonshëm, është moment i rëndësishëm, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetin maqedonas, por shumë më gjerë se kaq.
Rrugët, miq të dashur, janë ato që bashkojnë njerëzit, por edhe mund t’i ndajnë ata. Liderët e vërtetë ngrenë rrugë për bashkimin e njerëzve dhe jo për ndarjen e tyre, forcat e vërteta politike ringrenë ide, vizione dhe pasione politike, të cilat u shërbejnë njerëzve për t’i bashkuar.
Në të vërtetë, letra ime, erdhi pasi kisha menduar gjatë për pushtetin, njerëzit që e përbëjnë atë dhe artin e vështirë të jetuarit në paqe. Në mendje kisha staturën e një lideri të veçantë, i cili, në rrugëtimin e tij politik, gjithnjë u ka dhënë më shumë rëndësi realiteteve konkrete se sa të drejtave abstrakte dhe mundimshëm, ka ngritur një ngrehinë solide të mendimit politik shqiptar, e cila, po aq sa nga bashkëkombësit, do të shquhet edhe në vizionin e së ardhmes. E kisha fjalën për Ali Ahmetin, liderin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. 27 vite më parë e kam njohur Ali Ahmetin. E kam njohur në një kohë të vështirë, ndoshta më të mundimshmen e jetës së tij, atëherë, kur ai, si njëri ndër themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bënte pjesë në atë elitë që kishte projektuar të ardhmen, jo përmes pritjes dhe konferencave, por, si detyrim kombëtar, përmes luftës. Ka qenë e vështirë, tejet e mundimshme dhe e rrezikshme, por e domosdoshme.
Në ndejat e gjata, familjare apo në kryesinë e Organizatës që krijoi ushtrinë çlirimtare, ku bënim pjesë të dy, ai nga fillimi dhe unë më pas, shumë gjëra mund të jenë harruar, por kurrë aspirata për lirinë, dinjitetin; në fund të fundit ai ishte njeriu që kishte vizionin e qartë, mendimin e sigurtë dhe rrugën e duhur që kishte zgjedhur.
Përse e shkrova letrën që citova në fillim të kësaj fjale dhe përse tani po shtroj idenë e mbështetjes së BDI dhe të Ali Ahmetit?
Në Shqipëri, gjendja është konfuze, oligarkia politike dhe financiare po mbjell një të ardhme të paditur, por kurrsesi të dobishme, dhe forcat e vjetra të errësirës janë rizgjuar. Në Kosovë, po ashtu, e keqja është bërë e pranishme dhe, çka është më keq, është bërë e pranueshme.
Në Maqedoninë Veriore ka më tepër qetësi, më shumë ecje drejt demokratizimit, megjithëse aty duhej të kishte më tepër probleme dhe unë jam i bindur se, miku ynë i përbashkët dhe drejtuesi më i lartë politik i shqiptarëve, Ali Ahmeti, luan rolin e tij të pazëvendësueshëm. BDI është bërë sot, e më shumë do të jetë në të ardhmen, shpirti i mendimit të ri politik, e bartjes së një vizioni gjithnjë e më shumë evropian, e vizionit të qartë për të ardhmen dhe e domosdoshme për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Pa BDI e aq më tepër kundër saj, e ardhmja e këtij shteti nuk mund të perceptohet dhe drejtësia nuk mund të sigurohet.
Shteti ku ndalohej gjuha shqipe, sot ka tre universitete në gjuhen shqipe, njëri nga të cilët në Shkup, me emrin e “Nënë Terezës”.
BDI nuk është krijim i një njeriu, por ai u bë jo vetëm themeluesi, por edhe shpirti i saj. E vështirë të perceptohet BDI pa liderin e saj, Ali Ahmetin.
Maturia dhe shpirti i tij jashtë konfliktit, siguria për të ecur qetësisht dhe duke e ditur se ku duhet të shkojë në të ardhmen, krijimi i një marrëdhënieje të re ndërnacionale, afrimi i shumë intelektualëve drejt përbashkimit, shtrirja e rrjetit të mendimit të lirë drejt njerëzve, koncepti i drejtë për shtetin dhe për Republikën, e kanë bërë praninë e tij të domosdoshme dhe, përmes pranisë së tij, kanë sjellë për ditë e më shumë staturën e një lideri madhor, jo tipik ballkanik, por evropian i klasit të parë dhe, në fund të fundit, modelin e një shqiptari të politikës që nuk hedh gurë ndaj të tjerëve, por ngre urat e bashkimit. Jam i bindur se edhe më tej Ali Ahmeti, duke pasur konceptin e drejtë të ndërtimit të shtetit shumëdimensional dhe tejet funksional, do të jetë njeriu i paqes, ashtu si ishte njeriu i luftës.
Do të jetë njeriu që i besoi Fehmi Lladrovci në kohën e luftës dhe do i kishte besuar edhe në këto ditë. Mbetet njeriu që ndërlidhi forcën dhe emrin e Adem Jasharit me një çështje të madhe dhe që sot, përsëri, do të kishte mbështetjen e tij. Në mendimin tim nuk mbështetem asnjëherë në miqësinë tonë të përbashkët, në relatat e krijuara nga vitet, pasi për mua, më shumë se çdo miqësi, qëndron kombi dhe e vërteta, qëndron amaneti i atyre që u flijuan, por, Njeriu i vërtetë, si kam shkruar në njërin nga librat e mi, vazhdon të qëndrojë i vërtetë. Unë e kam ndjekur aktivitetin e tij edhe në ditë të vështira për Lëvizjen, për luftën, për zhvillimin; e kam ndjekur kur pak vetë besonin se do të kishte një të ardhme të tillë dhe kur shtigjet dukeshin të mbyllura përjetësisht. Pra, njohja jonë më ka shërbyer për të shikuar më gjerë, për të ditur më shumë, për të gjykuar më qetësisht, për të analizuar më thellë, për të përcaktuar më saktë, për t’u përqendruar më gjerë dhe, sot që po të shkruaj, më vjen keq që në politikën shqiptare të trojeve tona nuk kemi nga një Ali Ahmeti në çdo pjesë. Mungesa e një burri shteti në përmasat e tij është mungesë e vlerave dhe këtë e ndjej përditë e më shumë. Më duhet të shtjelloj më tej idenë e “kërkimit” të një lideri si Ali Ahmetit. Unë e di se ku banon ai dhe mes cilëve banon. Ndoshta i vetmi lider shqiptar që bëri banesën e tij në fshatin e lindjes, në shkallët e së cilës eci për herë të parë nënëlokja e tij. Por unë jam përtej saj. Ali Ahmeti është nga ata liderë dhe prej atyre rasteve që vërteton se historia e një kombi mund të kthejë rrugën e saj nga vendosmëria e një njeriu të vetëm. Maqedonia u kthye ne rrugën e demokratizimit dhe shtetit ku të drejtat e shqiptarëve marrin hapësirë gjithnjë e më shumë nga ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe lideri i saj. Askush nuk guxon të harrojë këtë fakt. Gjaku i shqiptarëve e mban këtë shtet, të cilët, edhe në ditën më të vështirë u treguan tolerantë, të hapur, bashkëpunues, por këmbëngulës për të drejtën e tyre.
Zakonisht, vepra e njerëzve të shquar është e qëndrueshme në atë masë sa ata mbajnë parasysh erërat e mëdha të historisë, sa ndikojnë në rritjen dhe ecurinë e njerëzve, çfarë përparësie sjellin me veprimet e tyre, cili është vizioni i tyre dhe rrugët e përcaktuara. Kam ëndërruar gjithnjë që viset shqiptare, pavarësisht se të ndara në shumë pjesë, të kishin një trupë drejtuese, aspak të korruptuar, të ngjeshur me kulturë elitare dhe ku pushteti të mos kishte asnjë ndikim mbi ta. Një elitë politike që nuk do të influencohej as nga joshjet, as nga frikësimet, pjesët e së cilës të ushtronin me kryelartësi privilegjin për të bërë ligje të drejta, të sendërtonin shtetin, të kritikonin dhe të rebeloheshin ndaj një qeverie të padrejtë, dhe më pas, pasi kishin thënë çfarë mendonin dhe kishin ndërtuar ligje të drejta, të ktheheshin në shtëpi në këmbë, pa frikë, të ruajtur prej mërive nga mbështetja e popullit. Një elitë e tillë nuk bëhet vetvetiu. Ajo kërkon një lider, vetitë e të cilit të jenë serioziteti dhe besnikëria, të jetë i veçantë dhe i qëndrueshëm, të ngrejë ura dhe jo hendeqe ndarëse, një lider, nga i cili, askush të mos ndahet prej tij pa e ndjerë veten më trim dhe më të aftë për të shërbyer ndaj vendit të tij. Një lider i tillë është Ali Ahmeti. I pabujë në qëllimet e tij, i qetë në egërsinë e politikës, i hapur kur të tjerët mbyllen, i palirë në robërinë e të tjerëve, i lirë në lirinë e tij; përbuzës për të keqen dhendikues i së mirës, i ndodhur shpesh herë në mesin e tallazeve të sulmeve nuk i përdori kurrë ato; i gjendur në fundin e greminës dhe i ngjitur në majën e saj; i parënë në hone dhe ngritës urash, njeri i lexuar dhe ngarendas i mendjes para shfrimit të linçimit.
Ndoshta mund të jetë nga njerëzit e sulmuar ashpërsisht, por që nuk e përdori pushtetin për të marrë hakën e tij, por për të marrë hakun e popullit që i takonte dhe këtë, jo përmes sherrit, por mendjes dhe arsyes. Të gjitha këto që i ka arritur sot, i ka planifikuar në vite të tëra. Që nga fillimi i vitit 1981 e ka ditur se ku do të ishte fundi i tyre; që kur janë ngritur këshillat e parat të lëvizjes çlirimtare e ka menduar se çfarë do të ndodhë pas çlirimit.
Tani, miq të dashur, shikoni përballë.
Në Kosovë, ku njëra nga ëndrrat e mia ishte drejtimi i saj nga njerëzit e luftës, më sjell trishtimin. Katër nga pesë partitë kryesore politike në Kosovë kanë fillesën nga njerëzit e luftës. E megjithatë, pikërisht ata janë ndarëset e mëdha dhe jo bashkueset e mëdha, çka duhej të ndodhte. Nga rrjedha e tyre humbet vlera e luftës. Nga pasuria e tyre zvenitet gjaku i derdhur. Nga egoja e pushtetit kthehen në mercenarë. Nga ndarja kthehen në humbës. Çlirimtarët janë të palirë. Shërbëtorët e djeshëm të regjimit shfaqen si patriotë. Dhunuesit e lirisë marrin pamjen e atdhedashësve.
Në shtetin amë, ku kam lindur, egërsia i ka lënë vendin mendimit, liderët janë kthyer në manjatë, oligarkët kanë pushtuar politikën, britmat ndjellin luftën liderët kanë hapur blloqet e dikurshme dhe po zezojnë Shqipërinë duke marrë nëpër këmbë dinjitetin e saj. Për fat të keq, as në Kosovë e as në Shqipëri, nuk kemi një figurë rreth të cilit të shkohet duam të bashkohemi. Le të krijojmë urat e përbashkëta. Rrugë tjetër nuk ka. BDI i ka krijuar këto, ndaj do të jetë fituese, me patjetër, e zgjedhjeve të 12 prillit të vitit 2020.
Unë jam i bindur për këtë!
Bedri Islami
Fjala e mbajtur në Kongresin IV zgjedhor të BDI-së
Shkup, 21 dhjetor 2019
Shënim i redaksisë
Në Shkup, me 21 dhjetor, u mbajt Kongresi IV Zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim, forcë qeverisëse dhe fituese në 16 zgjedhjet e shkuara, qendrore dhe lokale.
Në një organizim të shkëlqyer, 816 delegatë votuan për drejtuesin e Partisë, dhe zgjodhën liderin e njohur Ali Ahmeti. Në pallatin e sportit të Shkupit, mes 4000 pjesëmarrësve, lideri i forcës më të madhe politike në shtetin maqedonas, bëri të njohur vizionin e tij politik për vitet e ardhshme, drejtimet ku do të përqendrohet forca politike që drejton, ndërlidhjet mes banoreve të saj, për politikën e jashtme dhe fqinjësinë.
Në kongres u zgjodh edhe këshilli kombëtar i kësaj force politike, një risi e re politike, në të cilën bëjnë pjesë figura të njohura nga të gjithë trevat shqiptare.
Në emër të këshillit kombëtar përshëndeti publicisti dhe shkrimtari Bedri Islami.
Fjalën e mbajtur nga ai, njërën nga vetëm dy fjalimet e mbajtura ne Kongres, po e botojmë me poshtë.
