Portreti i Nënë Terezës, realizuar nga një artist grek, i është dhuruar dje ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Portreti i konceptuar në formën e një mozaiku me imazhet e qindra fëmijëve është dhuratë e artistit Charis Tsevis dhe i është dorëzuar dje Bumçit nga ambasadori i Republikës së Greqisë, Leonidas Rokanas. Ky portret dixhital do të projektohet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. “Sipas Tsevis, ishin disa histori paralele, përjetime personale që e çuan tek ideja dhe realizimi i portretit të humanistes me origjinë shqiptare. Ishin bisedat me miqtë e tij, mes të cilëve edhe ata shqiptarë, të cilët i kishin treguar imazhe të qyteteve të Shqipërisë. “Sot Greqia po përjeton një moment krize dhe është e vështirë të shohësh në rrugë njerëz të buzëqeshur, ndërsa në rrugët e Shqipërisë kam parë tërësisht të kundërtën. Kam parë njerëz të thjeshtë, optimistë, plot shpresë, që më kujtonin Greqinë e fëmijërisë sime”, një tjetër arsye ishin studentët e tij shqiptarë. “Studentët shqiptarë janë ndër më të mirët, janë gjithmonë ndër të parët e klasës apo degës ku ata studiojnë. Janë të rinj të thjeshtë e të dashur, që më kanë frymëzuar”, u shpreh Tsevis dje, gjatë ceremonisë të zhvilluar në MTKRS”, shkruan sot “Panorama”.
Këtë portret ai vendosi ta ndërtojë mbi dy elemente, që ishin fëmijët, që Nënë Tereza i donte aq shumë dhe ngjyrat, për të cilat njerëzit kanë aq shumë nevojë në jetën e tyre. Një portret të printuar, Tsevis e firmosi në shqip: “Dhuratë popullit shqiptar nga populli grek”.
Padyshim Nene Tereza eshte frymezuese e humanizmit dhe e njerezve te thjeshte ashtu si edhe ky artist grek qe imazhin e saj e ndertoi me femijet , ciltersine e tyre.