Një ndër sëmundjet që gjen zhvillim të shpeshtë edhe tek moshat e vogla është edhe artriti reumatoid juvenil. Sëmundja shoqërohet me simptoma të tilla që kanë të bëjnë me enjtjen, dhimbjen apo bllokimin e kyçeve të prekur,gjendje e cila bëhet më e dukshme gjatë mëngjesit.
Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se si shfaqet kjo sëmundje tek fëmijët, masat që duhet të marrim për vendosjen e diagnozës së hershme, shenjave dalluese të saj, si dhe këshillave të duhura për trajtimin dhe shmangien e ndërlikimeve që kjo sëmundje mund të shkaktojë tek kjo grupmoshë.
Mjekja tregon në vijim të shkrimit se për vendosjen e diagnozës së saktë të kësaj sëmundjeje nevojitet kryesisht përjashtimi i sëmundjeve të tjera, të cilat shkaktojnë simptoma të ngjashme apo të njëjta me këtë sëmundje. Konkretisht bëhet e ditur se për të përcaktuar diagnozën e saktë të sëmundjes nevojitet të bëhen teste të përshtatshme laboratorike dhe radiologjike të përcaktuara nga mjeku specialist.
A rrezikojnë fëmijët nga zhvillimi i artritit reumatoid?
Artriti reumatoid është ndër sëmundjet më të shpeshta kronike të fëmijërisë, shkaqet e të cilit ende nuk janë të sqaruara mirë. Mendohet se faktorët mjedisorë dhe faktorët gjenetikë kontribuojnë në zhvillimin e shenjave dhe simptomave klinike të artritit reumatologjik.
Artriti reumatoid juvenil është një term që karakterizon disa forma të artritit kronik tek fëmijët. Pavarësisht nga format e artritit, të gjitha kanë të përbashkëta disa karakteristika anamnestike (të dhënat e historisë së sëmundjes) dhe klinike.
Artriti reumatoid juvenil është një sëmundje autoimmune, që do të thotë se trupi gabimisht identifikon disa nga qelizat dhe indet e veta si të huaja. Sistemi imunitar, i cili zakonisht ndihmon për të luftuar substancat e huaja të dëmshme, siç janë bakteret ose viruset, fillon dhe sulmon qelizat dhe indet e shëndetshme. Rezultati në këtë rast është inflamacioni, që paraqitet me skuqje, enjtje, nxehtësi dhe dhimbje në zonën e prekur. Artriti reumatoid konsiderohet si diagnozë përjashtuese.
Si vendoset diagnoza?
Është e rëndësishme marrja e hollësishme e historisë së sëmundjes, ekzaminimi fizik i pacientit, ekzaminimet biologjike si edhe përjashtimi i patologjive të tilla, si : infeksionet, sëmundjet malinje, traumat, artriti reaktiv, sëmundjet imunodeficitare, sëmundje të tjera reumatologjike (për shembull lupusi eritematoz), të cilat paraqesin shenja klinike të përbashkëta.
Cilat janë simptomat më të zakonshme klinike të artritit juvenil?
Fëmijët me artrit reumatoid mund të mos paraqesin fare simptoma klinike. Simptomat gjithashtu mund të ndryshojnë në varësi të llojit të artritit. Megjithatë, pothuajse të gjitha format e artritit juvenile kanë të përbashkët si shenjë klinike ngurtësimin e artikulacioneve (kyçeve), veçanërisht në mëngjes.
Kjo është një shenjë tipike që njihet me emrin e zakonshëm “ngurtësimi mëngjesor”, e cila me kalimin e ditës dhe fillimin e lëvizjeve pasi ngrihemi nga gjumi përmirësohet dukshëm. Tek fëmijët e vegjël kjo manifestohet si pamundësi për të kryer lëvizjet që i ka mësuar kohët e fundit. Në formën sistemike të artritit kemi enjtje, dhimbje dhe ngrohtësi të një, ose më shumë kyçeve të shoqëruara me një minimum prej dy javësh me ethe dhe temperaturë mbi 39 gradë C.
Temperatura zakonisht arrin pikun e saj një, ose dy herë në ditë dhe mund të ketë modelin e kthimit në normë midis ngritjeve. Në ekzaminimet e mëtejshme mund të vihet re zmadhim i shpretkës dhe i mëlçisë, prekje të mushkërive dhe të perikardit (cipa që vesh nga jashtë muskulin e zemrës). Kjo formë e artritit prek zakonisht 15 deri 20 për qind të fëmijëve që vuajnë me artrit dhe nuk ka preferencë gjinore.
Kur nis shfaqja e simptomave dhe me çfarë komplikacionesh shoqërohet?
Simptomat fillojnë zakonisht rreth moshës 3 deri në 5 vjeç. Nuk ka asnjë test unik për artritin juvenil por, fëmijët zakonisht kanë anemi dhe rritje të leukociteve (rruazat e bardha të gjakut), si edhe të testeve tipike të inflamacionit. Komplikacionet e formës sistemike mund të përfshijnë rritjen më të ngadaltë të kockave nga sa pritet, dobësimin e kockave, anomalitë e funksionit të mëlçisë dhe të veshkave.
Prognoza në përgjithësi varet nga ashpërsia e artritit dhe në shumicën e rasteve simptomat sistemike zgjidhen në muaj e vite. Meqenëse kjo diagnozë konsiderohet si një përjashtim (diagnozë diferenciale) duhet të merret parasysh edhe mundësia e infeksionit, malinjitetit, sëmundjeve vaskulare (sëmundjet e enëve të gjakut) si edhe sëmundjet e tjera reumatologjike.
Në çfarë formash zhvillohet më shpesh kjo sëmundje?
Forma klinike që përbën rreth 50 për qind të artritit pediatrik quhet forma oligoartikulare dhe përcaktohet si artrit që prek më pak se katër nyje (artikulacione) në gjashtë muajt e parë të sëmundjes. Fillimi i sëmundjes është midis moshës 2-4 vjeç dhe prek më tepër femrat se meshkujt në një raport 3 me 1.
Në 90 për qind të rasteve të kësaj forme të artritit, fëmijët kanë prekje të gjurit me dhimbje, zbutje dhe ngurtësimin mëngjesor tipik që përshkruam më sipër. Komplikacioni kryesor i kësaj forme të artritit është inflamacioni i irisit të syrit (pjesa me ngjyrë e syrit) e cila mund të arrijë deri në humbje të shikimit. Sa më shpejt të diagnostikohet dhe të trajtohet aq më e favorshme do të jetë dhe prognoza. Nëse artriti përfshin pesë ose më shumë nyje në gjashtë muajt e parë të sëmundjes, atëherë ai emërtohet si artrit reumatoid poliartikular. Kjo formë e artritit ka tendencë të prekë më tepër vajzat adoleshente (pra në fëmijërinë e vonë). Në përgjithësi preken kyçet e vogla të duarve dhe të këmbëve dhe jo rrallë është vënë re një ecuri agresive. Si komplikacione mund të përmendim lodhje të shprehur, anemi, prekje të syve.
Si duhet trajtuar?
Përsa i përket trajtimit të artritit reumatoid, natyrisht që është mjaft kompleks dhe do të bëhet nga mjekët specialist në varësi të formës së artritit, kohës së shfaqjes dhe agresivitetit të sëmundjes. Nuk është se ka ndonjë terapi specifike të artritit juvenile dhe qëllimi kryesor i trajtimit është zvogëlimi i dhimbjeve, lehtësimi i “ngurtësimit mëngjesor” dhe shmangia e komplikacioneve. Përafërsisht, rreth 50 për qind e fëmijëve me artrit juvenil vazhdojnë të kenë sëmundje aktive edhe në moshë të rritur që mund të pasohet me paaftësi të shprehura funksionale. Dhimbjet afatgjata edhe pse me intensitet jo të lartë, mund të stimulojnë ndjenjën e pafuqisë së vazhdueshme, lodhjen e pandërprerë, mungesën e shpresës dhe për rrjedhojë edhe gjendjen depresive, nga i cili preken jo vetëm fëmijët e sëmurë, por edhe prindërit e tyre. Fëmijët shpesh kanë një jetë të kufizuar shoqërore (sidomos me bashkëmoshatarët) për shkak të mungesave të gjata në shkollë. Kujdesi më i mirë për fëmijët dhe adoleshentët e prekur nga artriti reumatoid sigurohet nga mjekët specialistë të pediatrisë reumatologjike, të cilët jo vetëm bëjnë trajtimin kryesor të kësaj patologjie, por edhe koordinojnë masat e nevojshme me mjekët okulistë (mjeku i syve), mjekët ortopedë (mjekët e kockave), fizioterapistë, psikologë, për t’i mundësuar fëmijëve të zhvillohen në një mënyrë të përshtatshme për moshën.
