Kauza çame, pati një ecuri në drejtimin e duhur deri në 2009 kur ne më në fund me një deputet tonin morëm pjesë në parlament. Por atëherë filluan dhe hapat mbrapa të çështjes tonë – thotë në një intervistë me Ilva Taren në emisionin “Tonight”, Kryetari i partisë Aleanca Popullore, Artur Dojaka. Me poshte, pjese nga kjo interviste, qe mund te ndiqet e plote ne Ora News:
Z.Dojaka, rezoluta çame e cila nuk hyri në fuqi as në përfundim të kësaj legjislature ishte dështim i komunitetit çam, i politikës shqiptare, dobësi e shtetit shqiptarë apo përparësi e interesave të shtetit grek në Shqipëri?
Kauza çame, pati një ecuri në drejtimin e duhur deri në 2009 kur ne më në fund me një deputet tonin morëm pjesë në parlament. Por atëherë filluan dhe hapat mbrapa të çështjes tonë. Një nga pikat ishte dhe është miratimi i rezolutës çame, për të cilën ju pyesni. Unë nuk do të doja të hyj në hollësira 53 vota apo 55 vota. Ajo qe ndodhi ishte një marifet pa shije. por rezoluta për Çamërinë ka realisht mbështetjen e komunitetit çam dhe jo vetëm: Besoj biem dakord qe ajo ka mbështetje popullore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Miratimi i rezolutës çame do të ndodhë në legjislaturën e pas 23 qershorit, me miratimin jo vetëm të deputetëve çamë të Aleancës Popullore, por me votim unanim. Ashtu siç është edhe mbështetja popullore. Jam i bindur që kjo rezolutë do votohet nga deputetët e të gjithë krahëve politikë, ashtu siç i ka hije një çështjeje kombëtare. Por rezoluta çame nuk është se do të jetë zgjidhja e çështjes çame.
Do votohet nga të gjithë krahët? Po vini një bast të rrezikshëm politik…
Unë si pjesëtar i komunitetit çam absolutisht nuk marr përsipër të vë baste për çështje kaq të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me interesa kombëtare. Nuk mund t’ja lejoj vetes që ta hedh në bast një dinjitet të tillë, por shpreh bindjen time që rezoluta çame do të votohet unanimisht në parlamentin e ardhshëm.
Pse nuk u miratua në këtë legjislaturë, dështuat ju si komunitet pasi jeni të përçarë dhe nuk arritët të bashkoheshit, apo të kishit një zë më të fortë, dështoi politika, Shqipëria, Greqia?
Kam përshtypjen që janë ndoshta jo shumë të komplikuara përgjigjet. Ne kishim në Parlamentin shqiptar dy deputetë, një i cili doli nga PDI, një tjetër i cili lëvizi nga forca politike e PS dhe u bashkua me komunitetin çam më pas. Këta dy deputetë fatkeqësisht u morën me interesat e tyre private. Është e qartë tashmë se kush ishte rezultati i “lobimit” që ata bënë për çështjen çame. Ndoshta këtu duhet përmendur edhe ajo rezoluta që doli nga xhepi i dikujt dhe u ofrua si zgjidhje me 13 pika. Pastaj përfundoi me dy pika dhe pastaj u nxorën marifete nga arkivat e Kuvendit. Ne e kemi denoncuar këtë histori tragji-komike në të gjitha takimet tona. Kjo është edhe indinjata, zemërata e komunitetit çam. Megjithatë, ne nuk jemi këtu për të përfituar nga një marifet i radhës që i shërben si patericë politikanëve aksidentalë, por jemi këtu për të shprehur unanimisht kërkesën mbi një të drejte legjitime të cilën komuniteti çam ka tashmë mbi 70 vite që e kërkon. Unë mendoj që diçka duhet t’ia lemë zotit Idrizi, i cili është treguar korrekt me atë që tha se “do jepte dorëheqje po të mos miratohej rezoluta”. Ai tashmë është tërhequr nga PDIU dhe është në listat e PD si deputet në qarkun e Fierit.
A nuk mendoni se një parti e dytë çame është paksa e tepërt?
AP është një parti mbarëpopullore, nuk është thjesht një parti çame. Drejtohet nga Lëvizja Çame e cila doli si rezultat i zemëratës së komunitetit çam me drejtuesit e radhës të PDIU-së. Në AP bëjnë pjesë shumë parti dhe organizata të ndryshme, të cilat pasi dhanë mbështetjen për çështjen çame nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, vunë në krye të AP lëvizjen çame. AP është realisht një forcë konkrete në mbarë vendin: ne jemi të shtrirë në 12 qarqe, jo vetëm për votim por edhe për mbështetësit tanë, gjë e cila u pa edhe në kuvendin tonë ku pjesëmarrësit ishin me mijëra. Ne jemi një forcë e re politike që as nuk mund të punësojmë njeri, por as nuk mund të kërcënojmë njeri për ta hequr nga puna. Pra atje erdhën kryekëput njerëz që mbështesin aspiratat tona dhe ne i mbështesim këta njerëz. Kemi parë që në këto 70 vite çështja çame është keqpërdorur nga politikanët e radhës, fatkeqësisht edhe nga përfaqësuesit tanë në këto katër vitet e fundit. Komuniteti çam është shumë vital dhe gjithmonë ka ditur t’i bëjë ballë çdo vështirësie dhe është një komunitet progresist që e kërkon zgjidhjen e tij në metoda demokratike, pjesë e të cilave është edhe përfaqësimi i tij politik në kuvend. Mendoj se data 23 do të jetë ajo që do ta tregojë se çamët janë të bashkuar me njëri-tjetrin. Çamët janë të gjithë të bashkuar me një parti të vetme, data 23 do të tregoj se cila është ajo parti.
Sot që flasim kemi dy qasje, një pjesë e çamëve janë me Berishën dhe një pjesë janë me Ramën…
Çamët nuk janë as të majtë dhe as të djathtë, dhe mbështetja për çamët nuk është e majtë apo e djathtë. Prandaj brenda Aleancës Popullore ne ndihemi shumë komodë, duke qenë se jemi një përmbledhje e të majtës, të djathtës, e qendrës, e të gjithë qytetarëve që kanë aspirata për një rilindje edhe të kauzës çame.
Ka një perceptim që komuniteti çam voton djathtas?
Në 23 qershor 2013 asnjë pjesë e komunitetit jo vetëm çam, por edhe lab, dibran, myzeqar nuk do votojë thjesht majtas ose djathtas. Sa për ne, slogani ynë është: Voto për veten tënde! Ka ikur tashmë koha për të votuar thjesht një ngjyrim apo një tjetër.
Ka pasur zëra se AP u krijua nga e majta për të amortizuar votat e çamëve të Idrizit me koalicionin e Berishës…
Shumë vetë që na njohin, e dinë që ne nuk kemi qasje as nga e majta as nga e djathta. Por nuk mund të le pa përshëndetur dhe falënderuar PS për vëmendjen e treguar ndaj komunitetit çam, duke e vendosur çështjen çame në themel të programit të PS, duke ofruar edhe rezolutë alternative, por jo vetëm kaq, ndër të tjera duke ofruar edhe një marrëveshje tejet dinjitoze për komunitetin çam të cilën e kemi bërë publike.
Po ju a po bëni diversion kundër PDIU?
PDIU duke nisur që nga PDI është parti e komunitetit çam dhe kjo i përket të gjithë komunitetit. Ne si AP kemi marrë përsipër atë mision që çështjen çame të mos lejojmë më askënd për ta privatizuar. PDIU është një parti që do t’i rikthehet komunitetit çam dhe kjo do të arrihet nëpërmjet AP-së.
Ku ndaheni dhe ku bashkoheni ju me zotin Idrizi?
Me zotin Idrizi s’na lidh asgjë. Mendoj që qasja e zotit Idrizi brenda komunitetit çam ka qene e qarte: Ne 2009 erdhi me votat e PS dhe tashmë që është përsëri kohë votimesh ndodhet ne listat e PD-se. Kjo tregon se zoti Idrizi me komunitetin nuk ka asnjë kontakt ose janë të pakta.
Çfarë ju bëri të linit biznesin dhe të hynit në politikë?
Aleanca Popullore nuk është e privatizuar nga Artur Dojaka. Dhe unë vetë nuk kandidoj në asnjë qark të vendit.
Është normale që një kryetar partie nuk kandidon vetë në garë? Kjo zgjedhja juaj ngjan me atë të Ramës në 2009?
Unë nuk vij nga politika, por e shpreh hapur që nuk kam hyrë në këtë rrugë që të jem pjesë e karrierës politike. Unë jam pjesë e kësaj lëvizjeje edhe për një arsye: sepse u bënë 21 vite që ne jemi dëshmitarë të një tranzicioni të lodhshëm. Komentojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk japim asnjë kontribut.
Pas 23 qershorit a ka vend për bashkimin e AP me PDIU-në?
AP është një forcë e hapur për këdo qytetar që do t’i bashkohet radhëve të saj, me të vetmin dallim që ne jemi për lëvizje konkrete dhe jo butafori politike.
Kush është Aleanca Popullore në thelb?
Aleanca Popullore është një parti e çamëve e lebërve, myzeqarëve e mbarë popullit shqiptar e cila në themel të saj ka çështjen kombëtare dhe në veçanti çështjen çame, por jo vetëm. Ne kemi edhe kauza të tjera disa nga këto pika të qenësishme ndodhen edhe në programin tonë. Një pikë tejet imediate për të gjithë ne shqiptarët edhe ajo pikë e cila është në programin dhe lidhet me varfërinë. Sipas nesh prania e varfërisë në nivelin e bukës së gojës është e patolerueshme.
Pse ka vetëm një kokë shqiponja në logon tuaj?
Për aq kohë sa çështja çame nuk është e zgjidhur shqiponja në flamurin tonë do të jetë me një kokë, por një shqiponjë e bardhë, një shqiponjë paqësore.
Çfarë personalitetesh marrin pjesë në Aleancën Popullore?
Ne jemi fuqimisht të investuar në 5 qarqe kryesore, duke filluar nga Tirana me doktor Arjan Hamitin, në Durrës me Zhaneta Saliun, por dhe në Vlorë, Fier dhe Elbasan, por nuk do të leja pas dorë edhe qarkun e Korçës dhe Gjirokastrës që është një emër i njohur për të tërë, siç është poeti Arben Duka. Ne synojmë për katër mandate. Këto janë qarqet ku ne po luftojmë që të nxjerrim një mandat. Mbështetja jonë është tej mase prezente.
Përse zgjodhët zotin Rama për të qenë në koalicion?
Ne kemi zgjedhur aleancën për një Shqipëri Europiane e cila drejtohet nga PS për arsye se është një forcë serioze dhe është një koalicion i cili jo vetëm në bazë të pritshmërive të sotme është fitues dhe çështja çame si dhe çështje të tjera kërkojnë një seriozitet për tu trajtuar nga forcat që do të marrin pushtetin.
Nëse mandatet do të jenë të nevojshme për të krijuar një qeveri të djathtë do të bashkoheni me Berishën?
Ne kemi një marrëveshje me PS dhe është një koalicion para dhe pas zgjedhor.

Zoti Dojaka,
pavarsisht se, le te themi, rivali juaj Idrizi nuk mund te quhet i pasuksesshem,
çdokush i deshiron te miren edhe partise suaj te re, edhe pse momenti i krijimit vetiu ju ben paksa taktikisht te dyshimte. Megjithate kjo eshte politika ne Tirane, dhe ju duhet te silleni sipas fushes ku luani!
Beni sa mund te perplaseni sa me pak me njeri tjetrin, duke pasur parasysh se nga partia ne pushtet, kushdo qofte ajo, zor ta keni ndihmen qe meritoni. Dhe ju e dini perse.
Asht sic duhet te dini se nuk duhet te shpresoni me shume nga Rama, seç shpresoi Idrizi nga Berisha…!
Nese ju te dy jeni aq te sinqerte sa rrefeheni, do te vlente shkrirja ne nje parti dhe perqendrimi i perpjekjeve ligjore, integruese per mjekimin e palgeve te komunietit tuaj dhe shqiptareve ne pergjithesi.
Perpiquni te shpetoni prej kurtheve te Ballkanit te vjeter, ju lutem!