Artur Lekbello ka dashur të falënderojë të gjithë ata që janë solidarizuar me të në këto momente të vështira të jetës së tij, legjenda e futbollit shqiptar në vitet ’80-’90 por përballet me një sëmundje shumë të rëndë dhe ka nevojë për kura të specializuara. Për të mbledhur fonde për të janë solidarizuar edhe klubet shqiptare, mes të cilëve Skënderbeu, që ka dhuruar gjysmën e të ardhurave të biletave të ndeshjes me Tiranën, si dhe klubi i basketbollit Tirana.
Lekbello, në një intervistë të dhënë për “Top Channel”, ka dashur të falënderojë publikisht sportin shqiptar për këtë ndihmesë në një moment të vështirë të jetës së tij. “Nga ana ime i falënderoj shumë për nismën që kanë marrë, në radhë të parë presidentin e klubit të Korçës, meqë ndeshja zhvillohet në Korçë. Faleminderit shumë për ndihmën që do të jepet”, – tha ai rreth këtyre nismave, që pasojnë ato të klubit të Aris, i cili do të luajë një miqësore me ish-futbollistët e Kombëtares greke për të mbledhur të ardhura për kurat e legjendës së futbollit shqiptar.
“Zoti ka një fjalë të mirë që thotë për njerëzimin është ‘të duam njëri-tjetrin’”, – ishin fjalët e Lekbellos, i cili aktualisht jeton në Greqi, pranë qytetit të Selanikut. Edhe Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla, është shprehur e gatshme të ndihmojë ish-futbollistin e njohur, qoftë kjo nëpërmjet një aktiviteti sensibilizues, qoftë edhe nëpërmjet një fondi të vetë institucionit që vetë ajo drejton.
