Pas Bashkimit Europian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen kundër retorikës nacionaliste të përdorur nga kryeministri Berisha në javët e fundit. gjatë punimeve të konferencës mbi sigurinë në Ballkan, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë thirrje që politika shqiptare të frenohet nga deklarimet nacionaliste, pasi ato prishin ekuilibrin e marrëdhënieve me fqinjët dhe nxisin tensionet ndëretnike. Ai ka nënvizuar se, “Disa aktorë shqetësues ose veprime të pavenda të ndërmarra për përfitim afatshkurtër politik, mund të çrregullojnë rajonin dhe të trazojnë tensione etnike ose fetare mes kufijve. Rishtazi, Shtetet e Bashkuara kanë vënë re një rritje të pavend në retorikën nacionaliste këtu në Shqipëri, veçanërisht në javët që çuan drejt festimeve të 100 vjetorit dhe pasuan më tej. Kjo retorikë kontraston dukshëm me rolin e përgjithshëm pozitiv që Shqipëria ka luajtur tradicionalisht në rajon, sidomos me popullsinë etnike shqiptare. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe partitë politike, përfshirë opozitën kanë lëshuar në përgjithësi mesazhe të qarta, të përgjegjshme duke i inkurajuar popullsitë etnike-shqiptare që jetojnë jashtë vendit, të punojnë së bashku me qeveritë e tyre për të zgjidhur problemet e tyre”
Apel për Berishën
Kreu i diplomacisë amerikane la të nënkuptohet se, deklaratat e bëra nga kryeministri Berisha në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë kanë më tepër qëllime politike. “Partitë politike dhe drejtuesit e tyre duhet të përqendrohen tek ato që ata thonë se është e rëndësishme, integrimi euroatlantik. Fjala për një Shqipëri të madhe të rreme është një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj. Nxisim drejtuesit e saj që të qartë në këtë element, zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të përcjellë mesazhe të përziera. Gjithashtu kërkojmë që politikanët dhe drejtuesit politikë nga i gjithë spektri të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të përcjellë mesazhe të përgjegjshme ndaj gjithë shqiptarëve. Historia e kohëve të fundit tregon se nacionalizmi është ende një forcë e fuqishme në Ballkan”, theksoi ambasadori amerikan.
Thirrje dhe për Spahiun
Ambasadori Arvizu tha ndër të tjera se thirrjet e Aleancës Kuq e Zi për referendum për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës nuk bëjnë gjë tjetër veçse minojnë stabilitetin rajonal dhe frenojnë aspiratat integruese të Shqipërisë. Sipas tij SHBA, nuk mirëpret ndryshimin e kufijve në Ballkan. “Aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuar në etnicitet, për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike nëse zgjohen njëherë janë të vështira, në mos të pamundura për tu parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit euroatlantik të vendit, si dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale”, tha Arvizu.
som
“Më lejoni të jem i qartë si kristali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit, çdo përpjekje për ta bërë këtë është kundërproduktive destabilizuese.”
Rama: Mesazhet e Arvizu për nacionalizimin, kambanë alarmi
Kreu i PS-së Edi Rama ka reaguar dje në rrjetin social “Tuitter” në lidhje me deklaratat e ambasadorit të SHBA-së Aleksandër Arvizu për retorikën nacionaliste që po përdoret ditët e fundit në Shqipëri. Sipas Ramës,mesazhi i ambasadorit të SHBA-së për përçartjet nacionaliste janë një kambanë alarmi ndërsa shtoi se Bashkimi Kombëtar duhet të bëhet përmes rrugës së re të Evropës. “Bashkimi Kombëtar s`vjen nga rrugët e vjetra të mllefit destruktiv. Shqiptarët janë sot të lirë falë mbështetjes amerikane e mirëkuptimit europian. Kurrë s`mund ti cenojmë këto me politika të vjetra rrënuese. Fantazmat e nacionalizmit turbofolk të së shkuarës s`kanë më vend në rajonin tonë” ka shkruar Rama. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka kërkuar sot nga drejtuesit politikë në Shqipëri të jenë të kujdesshëm në deklaratat nacionaliste që përcjellin.