Arvizu: Rekomandimet e KE ishin të qarta

redaktor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpresa se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat. Kështu ka deklaruar nga qyteti i Beratit, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu. ”Rekomandimet e KE për ju kanë qenë shumë të qarta”-theksoi ambasadori Arvizu. Ambasadori Aleksandër Arvizu, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe ministrin Nasip Naço kanë inspektuar pedonalen e re në qytetit e Beratit.

Më pas, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu zgjodhën rafting në Kanionet e Osumit, Skrapar për të promovuar turizmin si potencial i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Ambasadori z.Arvizu u njoh me natyrën e bukur të kanioneve si dhe me adrenalinën që të ofron vozitja në lumin e Osumit. Ambasadori apeloi për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe apeloi në të njëjtën kohë për mbrojtjen e kësaj natyre.

“Falenderoj Kryetarin e Kuvendit dhe Federatën Shqiptare të Rafting. Pata një eksperiencë të llahtarshme. Këtu në Skrapar ne duhet të mendojmë për potencialin e vizitorëve, por duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë të kujdesshme në një model të qëndrueshëm zhvillimi, sepse gjëja më e rëndësishme është ruajtja e bukurisë, bukurisë natyrale që shohim ndërkohë që e bëjmë të njohur për pjesën tjetër të shqiptarëve, për pjesën tjetër të Europës, dhe për pjesën tjetër të botës në fakt. Kështu që faleminderit shumë për këtë eksperiencë”, tha Arvizu.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu kanë vizituar edhe shkollën e mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi” në Çorovodë. Me këtë rast, ata zhvilluan edhe një bashkëbisedim me nxënësit e kësaj shkolle. Meta u bëri thirrje nxënësve që të ardhmen e tyre ta shikojnë në Skrapar dhe të zgjedhin ato profesione të cilat krijojë mundësi punësimi. “Unë këtyre i kam bërë një kërkesë, duke iu jam lutur që të mos bëhen të gjithë juristë, por të bëhen agronomë, të merren me biznes, me turizëm, sepse këto janë me shumë të ardhme. Unë dua të them që pas katër apo pesë vitesh Skrapari do të jetë plotësisht tjetër. Skrapari do të jetë i lidhur me një rrugë shumë të mirë me Përmetin, me Korçën. Shpresoj që distanca midis Skraparit dhe Tiranës do të ngushtohet gjithnjë e më shumë. Dua që çdo njeri të punojë, të mos ngelet pa punë. Skrapari do të jetë një vend ideal për turizëm. Na duhen të rinj që do të jetojnë këtu dhe që do ta zhvillojnë këtë zonë dhe do të kenë shumë herë më tepër të ardhurave nga aktivitetet e tyre”, -nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *