“As me miq, as me armiq, gjuhën mos e fëlliq”…

Leda Hysa

Nga Sevo Tarifa

Kjo fjalë e urtë shqiptare vjen nga thellësia e shekujve, atëherë kur në gjithë botën ende nuk kishte parti politike. Po sot, që ekziston sistemi shumëpartiak edhe te ne? Ky proverb filozofik ka rëndësi të veçantë në praktikë në ditët ë sotme, për të gjithë, por sidomos për ligjvënës e ligjzbatues.

“Kur mendja është në vend, del e para dhe në Kuvend!”

Në fjalët “As me miq, as me armiq, gjuhën mos e fëlliq” ka humanizëm, mençuri dhe urtësi, patriotizëm dhe miqësi me popuj të tjerë, parësi dhe tolerancë, principialitet dhe elasticitet, zemërgjerësi dhe gjakftohtësi; durim dhe maturi, fisnikëri dhe pjekuri, shpirt luftarak dhe paqësor, vlerësim dhe drejtësi për miq dhe armiq,- të gjitha këto karakterizojnë në shekuj popullin tonë xhevahir!

Këtë model, populli pret ta shohë në radhë të parë në deputetët e Kuvendit të Republikës. Po ç’ndodh në seanca të tij? Shpesh “mendja nuk është në vendin e saj, në komandë”, dalin fjalët para mendjes, Ndaj thuhet: “Mbaje mendjen në vend, pastaj dil dhe në kuvend”.

Çfarë nuk ndodh në Kuvend? Ndër të tjera, seancat e diskutimeve karakterizohen fare pak nga mirëkuptimi, dashuria, solidariteti, vlerësimi i ndërsjelltë,  përgjithësimi i pozitives, modestia, miqësia. Në fakt, në qëndrimet dhe marrëdhëniet e tyre spikatin të kundërta: në vend të virtyteve të bardha, bien në sy vese të zeza, “pika të njollës”, të cilat edhe pse s’janë në fytyrë, shfaqen në ndërgjegjen dhe praktikën e tyre.

Të enjtet e kësaj Tribune të lartë janë një shembull i keq i punimeve kuvendore. Është fjala kur Kuvendi nuk vepron e nuk funksionon në rolin që ka, nuk bojkotohet nga opozita, siç ndodhi kohët e fundit me skenën e “dy parlamenteve paralelë”, njëri në kryeqytet e tjetri “Parlament me rrota” me qarkullim në Shkodër, Elbasan e Vlorë! Këtë ditë “të bekuar”, kush e sheh Kuvendin si “estradë”, kush nuk e sheh fare, se e merr me mend si zhvillohet, çfarë ndodh, çfarë thuhet, kush flet gjatë, përsërit e s’thotë gjë; kush çirret e bërtet me arrogancë; kush e merr fjalën sa herë të dojë, kush del nga rendi i ditës, kush lëshon paralajmërime e ultimatume; kush del tek folësja pa leje, kush mbaron fjalën por s’ikën nga foltorja dhe rreth tij shkon “tufa e trimave”, kush ndërhyn duke shkelur rregulloren, kush nuk flet fare etj!

“Kuvend” i thënçin! Karikaturë. Rrëmujë. Anarki. “Liri-demokraci”! Dihet cilët janë ata që turpërojnë veten, njollosin parlamentin, “harrojnë” imazhin  e keq që i shkaktojnë vendit në sy të popullit, të diasporës e të ndërkombëtarëve të nderuar.

Nuk është vështirë të kujtohen me emër deputet me sjellje të këqija, me fjalë deri të pista, sharje, fyerje, ofendime, arrogance; zëra të lartë, prepotencë, vonesa ose mungesa në seanca. Këto shfaqje janë të njohura nga të dyja krahët. Në vend të emrave do të mjaftonte të kujtonim fjalë të zeza: qen, palaço, zhele, ta bëj fytyrën këpucë; bilbila, grushte  tymnaja, pluhur e të tjera deri në ironi pa kripë e pa sheqer, vetëm me piper, që s’më vjen mbarë t’i shpreh.

Kur mendja është në majë të gjuhës…

T’i shikosh këto shfaqje në çaste të zhvillimit të tyre, është sikur sheh një “ndeshje” me fjalë e deri me veprime fizike jo midis kundërshtarëve politikë dhe miqve, me dashamirësi, por si midis armiqve njëri me tjetrin. Pikërisht për këtë kategori njerëzish e ka fjalën urtësia e popullit: “As me miq, as me armiq, gjuhën mos e fëlliq”

Populli  i di, i shikon e i dëgjon në media, i lexon në gazeta këto marëdhënie të zhveshura nga kultura njerëzore. Vetëm do të doja që, me lejen e tyre, t’u kujtoja deputetëve apo kuadrove të respektuar, një “paketë” jo me ligje, por me këshilla nga filozofia e popullit, apo aforizma nga njerëz të mëdhenj, të mençur, të ditur, të cilat përbëjnë një “Universitet të veçantë” për secilin jo vetëm për kulturën dhe edukatën, por për lartësimin e ndërgjegjes së tyre, njollat e së cilës nuk pastrohen me solucion kimik si njollat e kostumit, por parandalohen me mend, kur kjo nuk është në majë të gjujës, dhe gjuha nuk del para mendjes.

Njerëzimi e ka vrarë shumë trurin, ndër të tjera që miqësia dhe vëllazëria të jenë në rrugën e duhur. Brez pas brezi kanë ardhur deri në ditët tona fjalë zemre të tyre si: “Dëgjo shumë, e fol pak”. “E thëna dhe e bëra janë larg”. “Durimi është i hidhur, po sjell fruta të ëmbla”. “Duro sa mund, gëzohu pa fund”. “Ç’të bën i keqi, s’ta bën as dreqi”. “Kazma në dorë, buka në gojë; kazma në katua, del për miell hua”. “Kapelen e blen, mendjen s’e blen”. “Xhaketën e ke, ble librin që s’e ke”, “Kush jeton me dy fytyra, vdes pa fytyrë”.

“Sjellja e mirë mbulon shumë vese, sjellja e keqe mbulon shumë virtyte”. “Veset shëmtojnë edhe fytyrën më të bukur”. “Je patriot, kur je njerëzor”, “Dashuria ndërton, inati shkatërron”. “Hiqe inatin, të gjesh rehatin”. “Më mirë të të rrëshqasë këmba, sesa gjuha”. “Gjuha të afron, gjuha të largon”. “Kur të humbet unaza, s’e ka fajin gishti”. “Të jesh i ndershëm është më mirë se të jesh i pasur”. (Kjo e fundit i djeg ata që janë milionerë jo me punë të ndershme)…

Për ata që flasin shumë, zgjaten me përsëritje, me fraza boshe, shërbejnë shumë këshilla “Fjala është e thjeshtë dhe e shkurtër, kuptohet me lehtësi, ka përmbajtje të thellë dhe të hollë”. “Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet”. “Fjala e të mençurit është shumë e shtrenjtë, ai nuk flet pa e parë të nevojshme”.  “Ajo që është e errët në kokë, del e errët edhe në shkrim”. “Fjala e mirë është dhurata më e bukur që mund t’i bëhet njeriut”. “Njeriu flet për t’i treguar tjetrit një gjë që ai nuk e di”.

“Është e lehtë të flasësh kur ke çfarë të thuash, por është e vështirë të kesh çfarë të thuash kur duhet të flasësh”. “Sa më shumë flet për meritat e tua, aq më pak të besojnë të tjerët”. “Kungujt bosh bëjnë më shumë zhurmë”. “Eshtë mirë kur dikush flet mirë, por është më mirë kur dikush dëgjon mirë.”. “Fjala i përket përgjysmë atij që e thotë dhe përgjysmë atij që e dëgjon”. “Ka njerëz që i ngjajnë këngës: një kohë u shëtit emri gojë më gojë, pasi u kalon koha nuk përmenden më”.

       “Kush shan, s’ka argument. Shpif ai që s’ka durim”.

Nga pasuria mendore e popujve dhe e dijetarëve mësojnë te gjithë. Lakmia për të futur në kokë nga fondi i fjalëve të zgjedhura, të bardha e jo të zeza, që flasin për njeriun me virtyte e jo me vese, ëshë i pa mat.  Le ta shohin këtë te vetja dhe të reflektojnë edhe ata që janë sidomos gazetarë, analistë, opinionistë, drejtues, në përgjithësi intelektualët. Në mësimet e çmuara të mençura, secili mund të gjejë veten. Dëgjon analistë, edhe të panjohur e kupton se me ç’parti janë. Problemi që diskutohet është shtetëror apo shoqëror, analistë e të ftuar flasin si partiakë, anojnë nga partia e tyre, jo nga e vërteta, sikur të ishin në mbledhjen e partisë ku militojnë, ose simpatizojnë.

Këta tipa maten me hijen e mëngjesit. Dhe ndeshen me njëri-tjetrin, i ndërpresin fjalën sho-shoqit. Arrijnë deri në sharje. “Të sharat janë argumenti i atyre që nuk kanë të drejtë”. “Përgjigja më e mirë për shpifwsit është durimi”. Sa për akuzat, Volteri thotë: “Akuza e parë hidhet  poshtë, e dyta prek, e treta plagos., e katërta vret”. Është si puna e alkoolit: “E para gotë është bar, e dyta ar, e treta serm, e katërta helm”. Ose, “Gotën e parë me raki e pi njeriu, gotën e dytë pi rakia rakinë, gota e tretë pi rakia njerinë”. Në aktualitetin që jemi, bëhen krahasime dhe me hashashin, që shkakton dalldisje, kanabisi shkakton tjetërsime psikike të rënda të “automatizimit mendor”.

Retorikat që zhvillohen nga të dy palët, nuk janë gjithnjë mirëdashëse, por keqdashëse, inatçore, përçarëse.  I hidhet benzinë zjarrit. Përmbajtja e tyre është antagoniste, si midis armiqve, jo si midis kundërshtarëve politikë dhe miqve, të cilat të kenë brenda jo urrejtje, por fisnikëri, dashamirësi, dashuri; jo gjaknxehtësi, por gjakftohtësi, jo inate, por urtësi; jo hiperbola, por realitete, jo gënjeshtra, por të vërteta, të sinqerta; jo sektarizëm, ekstremizëm, oportunizëm, konformizëm, por ekuilibër, optimizëm; jo mendjemadhësi, por thjeshtësi, dinjitet, bukuri!

***

Sa mirë do të ishte sikur parulla “Opozitarë, por vëllezër”, të mos mbetet një frazë boshe, formale, por të zbatohej drejt, në praktikë. Qëllimi dhe thelbi i kësaj parulle është bashkimi, uniteti, kompaktësa, solidariteti, humanizmi, toleranca. Jo demagogjia, as padrejtësia, as pandershmëria!

Share This Article
1 Comment
  • E lexova artikullin ne familje dhe na vlejti shume te gjitheve, edhe femijet thane sa bukur. Vlera qe duhet ti trashegojme brez pas brezi,
    Ju lumte zoteri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *