Gati 10 mijë rrënjë kanabis janë asgjësuar brenda një ditë në Elbasan dhe në Vlorë. Në Elbasan janë arrestuar dy kultivuesit dhe kryeplaku i një fshati për akuzën e moskallëzimit të krimit. Ndërsa në Vlorë nuk janë identifikuar kultivuesit e 8 parcelave me kanabis por është arrestuar një 18 vjeçar i cili kishte mbjellë hashash në oborrin e banesës së tij.
Konkretisht në Elbasan janë asgjësuar 3900 bimë narkotike me lartësi 10 cm. Policia e Elbasanit thotë se ka arrestuar në flagrancë dy kultivuesit, Tauland Isufi, 28 vjeç, dhe Lulëzim Haxhiu, 29 vjeç, të dy banues në fshatin Korrë dhe kryeplakun e fshatit, Fiqiri Hyka, 66 vjeç për “Moskallëzim Krimi”
Ndërkohë në Vlorë janë zbuluar dhe asgjësuar 8 parcela me rreth 6.358 rrënjë bimë narkotike “Cannabis sattiva”, të mbjella në 4 fshatra të Vlorës.
Bimët narkotike ishin të mbjella nëpër pjesë toke të hapura posaçërisht për kultivimin e tyre, në thellësitë e pyjeve, gjithashtu anës lumit Shushicë dhe përrenjëve të vegjël, në fshatrat e mëposhtëm: – Dukat, 2 parcela me 2800 rrënjë, – Palasë, 4 parcela me 748 fidanë, – Llakatund, 1parcelë me 2400 rrënjë, – Lapardha, 1 parcelë me 410 rrënjë. Lartësia e tyre varionte në 10 – 40 cm. U bë asgjësimi i tyre me djegie.
Policia thotë se punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë për “Kultivimin e bimëve narkotike”, shtetasin e quajtur: F.B., 18 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas është kapur në flagrancë në banesën e tij në lagjen “24 Maji” për kultivimin e disa rrënjëve me bimë narkotike “Cannabis sattiva”, të mbjella në oborrin e banesës, me lartësi 25-40 cm, të cilat u asgjësuan me djegie.
