Në një aksion të policisë së Shkodrës në bashkëpunim me policinë e Lezhës, si dhe të mbështetur nga FNSH, janë asgjësuar 473 bimë kanabis në njësinë administrative Zejmen.
Policia bën me dije se janë arrestuar Fatmir Nikolli 32 vjeç dhe Prekë Gjergji 26 vjeç, pasi janë konstatuar si kultivuesit e lëndës narkotike.
Gjithashtu në kontrollin e ushtruar pranë parcelës ku po kultivohej kanabis, është gjetur edhe një sasi prej 50 kilogramësh lëndë narkotike e ndarë ne dy thasë si dhe një armë zjarri automatike.
Mbi të arrestuarit rëndon akuza e “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, si dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Nga ana e shërbimeve policore po punohet për zbardhjen e plotë dhe hetimin e gjithanshëm të kësaj veprimtarie kriminale në fushën e narkotikëve.
Policia e Shtetit po vijon punën për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë, e në këtë kuadër fton edhe qytetarët të telefonojnë në numrin 112 dhe 129 kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
