Ashpërsohet beteja për “ajrin e Shqipërisë”

Ornela

Aeroporti i Rinasit po bëhet gjithnjë e më i zënë, teksa më shumë shqiptarë po udhëtojnë dhe të huajt që po vijnë për të kaluar pushimet në vend shtohen. Në 2018-n, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.

Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT. Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pas tranzicionit për ardhjen e turistëve.

Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia, teksa agjencitë turistike në bashkëpunim me ato shqiptare sollën turistë në hotelet shqiptare, kryesisht në bregdetin e Durrësit, duke futur për herë të parë në mënyrë masive konceptin e “all inclusive” ose “half board”.

Gjithsesi, Italia, ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve.

Gara e kompanive ajrore

Pas falimentimit të Belle Air, në fund të vitit 2013, e cila zinte më shumë se 50% të tregut të fluturimeve ajrore me destinacionet direkte drejt Italisë, tregu është rikonfiguruar, por Italia vijon të mbetet destinacioni kryesor. Fillimisht ishte AlItalia, që operonte prej vitesh dhe Blue Panorama që hyri e re, të cilat zunë vendin e Belle Air dhe më pas hynë në treg Alba Wings dhe Fly Ernest.

Në fund të vitit 2018, sipas të dhënave nga TIA, Blue Panorama, kishte 24% të tregut total të fluturimeve, nga 29% vitin e mëparshëm. Pas saj, në vend të dytë ka kaluar Fly Ernest, me 13% të tregut (nga 6% në 2017-n). Në vend të tretë ka kaluar Alba Wings, me 10% të tregut, e cila ka menaxhim të njëjtë me Blue Panorama. Më pas renditet AlItalia, që një vit më parë ishte e dyta, me 9% të totalit. AlItalia ka humbur vazhdimisht terren dy vitet e fundit, pasi ka shkurtuar linjat direkte me disa qytete të Italisë, ndërsa destinacioni kryesor i saj tashmë është Roma, e cila shërben edhe për qëllime tranziti. Në vitin 2015, kjo kompani zinte 31% të tregut.

Ndërsa operatorët low cost kanë arritur të fitojnë terren në tregun e Italisë, këtë e kanë bërë në kurriz të cilësisë së shërbimit ndaj pasagjerëve. Të dhënat e Autoritetit të Aviacionit Civil bëjnë të ditur se kompania më problematike, me numrin më të lartë të anulimeve dhe vonesave të fluturimeve është Fly Ernest, e ndjekur nga Blue Panorama, Adria dhe Albawings.

Sa u përket vonesave të gjata, mbi 7 orë, problematike mbetet kompania Fly Ernest e ndjekur nga Blue Panorama. Nga të dhënat që na vijnë nga përgjegjësja e Sektorit për të Drejtat e Pasagjerit në AAC, znj. Enkela Hajderi, një aspekt problematik që lidhet me mosrespektimin e të drejtave të pasagjerëve është me kompaninë Fly Ernest, e cila ka një numër shumë të ulët të kompensimeve të pasagjerëve. Kompania që respekton më shumë pasagjerët në aspektin e kompensimeve është Blue Panorama, me rreth 500 të tilla. Ndërkohë, kompanitë më serioze që respektojnë oraret janë Turkish Airlines, Austrian Airlines, AlItalia, Lufthansa, British Airways, Aegean. Destinacionet drejt Italisë zinin 56% të tregut total të fluturimeve në vitin 2018, me një ulje të lehtë me 1 pikë përqindjeje në krahasim me një vit më parë, shkruan Monitor.

Më pas renditet Turkish Airlines, që ka mbajtur peshën e pandryshuar të tregut në 7%. Në rënie të lehtë ishte Austrian Airlines, që ka zbritur me 2 pikë përqindjeje në 5% të tregut. Lista vijon me British Airways, me 4% të tregut (rritje me një pikë përqindje në krahasim me një vit më parë), po me nga 4% janë Aegean Airlines dhe Adria Airways dhe më pas me nga 3% secila, Wizz Air dhe Pegasus Airlines. Renditja mbyllet nga Lufthansa, Jetairfly, Air Serbia, me nga 2% dhe Transavia e Mistral Air me 1%. Fluturimet charter kanë transportuar 5% të totalit të pasagjerëve në 2018-n.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *