Edhe pse nuk shënon prej fundit të muajit Prill në Major League Soçer, kampionatin elitar të futbollit në Shtetet e Bashkuara, Shkëlzen Gashi mbetet një prej pikave të forta të Colorado Rapids.
Sulmuesi shqiptar ishte sërish titullar në barazimin 2-2 që skuadra nga Denveri regjistroi në trasfertën në Kanada, përballë Vancouver Whitecaps.
Me Rapids që e pa veten shumë shpejt në disavantazh, fillimisht Gashi provoi individualisht, me festën e tij që u prish nga portieri, ndërsa në startin e fraksionit të dytë të sfidës dhuroi një asist magjik, për golin e barazimit të përkohëshëm 1-1 nga Kevin Doyle.
Në sfidën e luajtur në BC Place Stadium, Gashi u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa u zëvendësua në minutën e 79-të të ndeshjes, duke i lënë vendin Hairston.
Përballja ishte emocionuese deri në fund, me Vancouver që 3 minuta përpara fundit të kohës së rregullt kaloi në avantazh me penalltinë e Techera-s, por Colorado nuk u dorëzua dhe në minutën e pestë shtesë riktheu barazpeshën me Sjoberg.
Ky ishte barazimi i tretë radhazi për Rapids të Shkëlzen Gashit, që nuk njohin humbje në kampionatin amerikan prej 13 ndeshjesh, ndërsa mbeten të dytët në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit me 34 pikë, 3 më pak se Dallas, por me dy ndeshje për të rikuperuar.
