Më duket se këngëtarët tanë biznesin më të suksesshëm e kanë në pragfestash dhe gjatë fushatave elektorale. Duke u entuziasmuar nga shumat që fitojnë këngëtarët, m’u kujtuan shkrimtarët e mjerë që sapo botojnë një libër enden me një çantë nën sqetull rrugicave ku ka tezga që shiten gazetat e ditës, për t’ju lutur shitësave t’ua mbajnë disa libra. Këta të shkretë e shesin mendjen e tyre shumë lirë, pothuajse e falin. E përseri po rikujtojmë se një bejte 4-5 strofa, kompozuar, kënduar dhe shfaqur para publikut, paguhet rreth 1500 euro, kurse një vepër letrare e shkruar gjatë një periudhe kohore relativisht të gjatë nuk gjen asnjë treg!
Kanë ndodhur përmbysje dhe zhvillime të paimagjinueshme në rrafshin politik, social e kulturor. Prej dy dekadash jetojmë në një realitet të ri dhe në fushën e krijimtarisë letrare e artistike. Kemi një pasurim të ndjeshëm të fondit të krijimtarisë letrare, por fatkeqësisht ashtu siç krijohet me mundim dhe sakrifica të mëdha, nuk njihet sa duhet, nuk vlerësohet, nuk ekspozohet e propagandohet në nivelin që meriton. Në këtë turbullirë kohërash që kalojmë, shpesh herë lexuesi i thjeshtë ngelet i befasuar se si ka mundësi që edhe pas kaq vitesh, shkrimtarët nuk kanë gjetur veten, nuk kanë zënë vendin që meritojnë në një shoqëri teorikisht të civilizuar e pa censurë. Sot shkrimtarët janë shtresa më e varfër dhe më e pambrojtur në realitetin shqiptar. Askush s’ua qan hallin këtyre “hamejve” të integrimit kulturor, zhvillimit dhe prosperitetit kombëtar.
Zhvillohen lloj-lloj aktivitetesh shoë dhe meqë shpesh kanë qëllime politike vërshojnë sponsorizimet nga institucionet e shtetit. Por askush nuk kujtohet për veprën e Frederik Rreshpjes, Piro Kuqit, Minush Jeros, Pano Taçit, etj, etj.
Ka vite që janë miratuar dy ligje të rëndësishme për të drejtën e autorit dhe për librin, por ende sot e kësaj dite nuk kanë gjetur zbatim. Ligji për të drejtën e autorit ka një nen që sqaron kushtet e lidhjes së kontratës mes autorit dhe botuesit, ndërkohë akoma autori i varfër financiarisht “zhvatet” nga botuesi: i kërkohen vlera marramendëse për botimin e një libri. Sipas mediave, 600 mijë libra të shitur është bilanci i panairit të librit të sivjetëm, ku rekordin e mban gazetari Blendi Fevziu, falë reklamimit mediatik. Gjithashtu janë zhvilluar 80 veprimtari në ditët e Panairit; perurime të librave të rinj, si dhe janë zhvilluar takime e biseda me shkrimtarë e përkthyes me tematika të ndryshme.
106 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova, institucione, përfaqësi diplomatike dhe institute kulturore në vend kanë qenë pjesëmarrës në panairin e librit në Tiranë. Ky është bilanci i Panairit të këtij viti, por krijuesit mbeten se mbeten shtresa në e varfër, pasi të ardhurat shkojnë në xhepat e shtëpive botuese, kurse autori ngelet me gisht në gojë. Edhe ndarja e çmimeve për mendimin tonë është krejtësisht e pamoralshme, pasi çdo vit juritë e ngritura shpallin fituesit në bazë njohjesh personale e jo në bazë të meritave si krijues. Kjo metodë është kritikuar vazhdimisht dhe me të drejtë. Këtë vit panairi, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, sipas jurisë nuk paska patur asnjë vepër dinjitoze për fëmijë dhe asnjë libër historik, ndonëse studiues të njohur kanë shkruar historinë një shekullore të shtetit shqiptar. Ndaj edhe panairi i sivjetëm ka lënë pas shije të hidhtë.