“Askush të mos mbetet pas”

redaktor

Shpesh nuk e kuptojmë vlerën e jetës dhe vetëm kur hasemi me njerëz që janë në vështirësi për sa i përket shëndetit, arrijmë të mendojmë dhe falënderojmë më shumë për gjithçka kemi.

Javën e kaluar një grup gazetarësh udhëtuan drejt Pogradecit për të parë nga afër Qendrën Komunitare  Multidisiplinare që është ngritur në qendër të qytetit.

Programi i përbashkët i Kombeve të Bashkuara i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, “Askush të mos mbetet pas”, po mbështet që prej një viti 48 Persona me Aftësi të Kufizuar në bashkinë e Pogradecit.

Fal këtij bashkëpunimi është ngritur kjo Qendër Komunitare Multidisiplinare dhe trajnimin e personelit profesional.

“Në qendrën tonë, e cila është rikonstruktuar një vit më parë, janë të regjistruar si fëmijë dhe të rritur, nga mosha 4 vjeç deri në moshën 38 vjeç. Janë 48 fëmijë, ndërsa kemi dy grupe të rriturish (15 me 18 vjeç), dhe (18 me 38 vjeç). Me të gjithë personat po punohet me terapi dhe aktivitete të ndryshme. Stafi është i kompletuar me mësues, psikolog, asistent social. Ata vizatojnë, bëjnë punë të ndryshme krijuese dhe hapin edhe ekspozita. Të ardhurat që merren nga ekspozita shkojnë për qendrën”, tha Drejtoresha e Qendrës, Anila Bedri, duke shtuar se me personat me aftësi ndryshe në këtë qendër bëhet një punë e specializuar individuale dhe kolektive.

Ekspertët shtojnë se të rinjtë në këtë qendër  zhvillojnë kryesisht punë dore dhe aktivitete socializuese; fëmijët mbështeten me terapi zhvillimi dhe aftësimi fizik; në qendër zhvillohen edhe seanca këshillimi me punonjës socialë; stafi i qendrës punon me programe individuale ku  vlerësohet gjendja e fëmijës dhe më pas ndërhyhet.

11 profesionistë mbështesin fëmijët dhe të rinjtë në: Zhvillim dhe edukim, mësim, riaftësim fizik, terapi pune, apo seanca këshillimi.

Transporti

Por ashtu siç e evidentojnë prindërit por edhe vetë stafi i qendrës problem mbeten zonat rurale, ku për shkak të infrastrukturës dhe mungesës së transportit prindërit nuk kanë mundësi ti sjellin fëmijët në qendër. Gjithsesi edhe për këtë rast Bashkia dhe Ministria e Arsimit (prej nga varet qendra) kanë menduar që të dërgojnë në fshatra mësues dhe ekspertë të tjerë të fushës për të ofruar shërbime në shtëpi për fëmijët dhe personat të tjerë të rritur me aftësi të kufizuara.

Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Bashkisë Pogradec Eduart Kapri, i cili pranoi se transporti mbetet problem për shumë familje që jetojnë në zonat rurale, por se deri më tani vetë Bashkia nuk ka pasur buxhet mjaftueshëm për të ndërhyrë në infrastrukturën rrugore. “Vetë ngritja e qendrës është hap i parë dhe i rëndësishëm për zonën. Ka shumë punë për tu bërë me infrastrukturën rrugore. Me ndarjen e re administrative Bashkia Pogradec ka

Kryetari i Bashkisë Pogradec, Eduart Kapri
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Eduart Kapri

një territor të madh për tu menaxhuar prej 700 km2. Shtimi i rrugëve për tu mirëmbajtur është kosto shtesë për ne. Për zonat e thella jemi gjithmonë në kërkim të alternativave për sigurimin e mjeteve të transportit. Infrastruktura rurale është problem dhe plan prioritar për Bashkinë. Por mungesa e buxhetit, kjo edhe për shkak të borxheve të akumuluara e ka reduktuar mundësinë e ndërhyrjes në këto zona. Borxhi i trashëguar është 550 mln lekë të reja, dhe me vendimet gjyqësore vijnë edhe borxhe të reja. Gati 100 mln lekë çdo vit shpenzohen për larje borxhesh. Zgjidhja që kemi menduar për ofrimin e shërbimeve në fshatra për fëmijët më aftësi të kufizuara është dërgimi i specialistëve pranë tyre. Është e pamundur të mbulojmë të gjithë Pogradecin, por do të bëjmë marrëveshje edhe me linjat private të transportit në fshatra që të mund ti sjellin fëmijët në qytet”, tha kryetari i Bashkisë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

Projekti ‘Askush të mos mbetet pas’ është një program i përbashkët i Kombeve të Bashkuara, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Ky program nisi të zbatohet në qershor të vitit 2017, dhe synon të mbështes personat në nevojë. Programi zbatohet nga 4 agjenci partnere të Kombeve të Bashkuara;UNDP;UNFPA; UNICEF dhe UN Women.

Çfarë thotë Konventa

Estevan Ikonomi, koordinator i përfshirjes sociale pranë PNUD, bëri një prezantim, të shkurtër të Konventës së OKB-së për personat më aftësi të kufizuara.  “Konventa qëndron në të njëjtin nivel me Kushtetutën.  Shqipëria e ka nënshkruar Konventën për Personat me Aftësi të Kufizuara, në dhjetor 2009. Duhet të dimë se shkalla e aftësisë së kufizuar është  e ndryshme, pasi ka dhe persona me aftësi të përkohshme. Aftësia e Kufizuar përbën rreth 10 % të popullsisë, ose thënë ndryshe janë mbi 650 milionë persona. Konventa i imponon shteteve detyrime ligjore për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e PAK,” tha në mënyrë të përmbledhur Ikonomi ndërsa u ndal edhe në terminologjinë që duhet përdorur për aftësinë e kufizuar.

I ftuar në një trajnim për gazetarët mbi temën e aftësisë së kufizuar ishte edhe z.Nicolas Douillet, këshilltar për komunikimin, zyra rajonale e UNDP për Evropën dhe Azinë Qëndrore, i cili foli për etikën e raportimit për personat më aftësi të kufizuara dhe minoritetet. Edhe z.Douillet theksoi në fjalën e tij se kur raportohet për PAK ka shumë rëndësi gjuha e përdorur dhe se artikulli duhet të bazohet të aftësia e kufizuar dhe jo tek personi.

Programi, falë njohurive dhe aftësive teknike të Agjencive te Kombeve të Bashkuara në vend, ka mundësi të sigurohu një ndikim më të madh dhe shtrirje më të gjerë si në nivel vendor, ashtu dhe në atë qendror. Grupet të cilat synohet të mbështeten përmes këtyre projekteve janë personat me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe ai egjiptian.

Programi ‘Askush të mos mbetet pas’, zbatohet në të gjithë vendin, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve sociale në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Ndërhyrjet e tanishme të programit shtrihen në 18 bashki si në: Berat, Bulqizë; Dibër; Durrës; Fier; Fushë-Krujë, Korçë; Kukës; Lezhë; Lushnje; Përmet, Pogradec, Prrenjas, Sarandë, Shijak; Shkodër, Tiranë, Ura Vajgurore. E. Resuli

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *