Me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk po krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë, mirëpo e vërteta është se Asociacioni është një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.
Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.
Serbia, sipas tij, po kërkon ta ruajë influencën e vendimmarrjes në Kosovë, duke kërkuar që përveç shtetit serb të garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe sesa territori ku ushtron sovranitet.
Z. Majko cili është komenti juaj për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. A do të krijohet me Asociacionin një “Republika Srpska” në Kosovë?
Kjo që po më pyesni ka edhe komentin tuaj të cilin po e marr si një “pyetje” po ashtu. Ekziston një dyzim i arsyeshëm lidhur me atë cfarë klasa politike drejtuese e Kosovës po realizon pas miratimit të “paketës” së Ahtisarit….Cdokush pati idenë se me paketën në fjalë “lëshimet” e shqiptarëve ndaj kërkesave të Serbisë morën fund. Nuk ndodhi kështu dhe ky është një fakt që duhet të mësojmë veten.
A është Asociacioni i minoritetit serb në Kosovë një “Republika Serpska”…? Jo! Nuk mendoj se mund të jetë kështu. Së pari, se serbët nuk kanë një matematikë kaq imponuese për ta zhvilluar këtë koncept në Kosovë. Beogradi vuan “inercinë” politike të Jugosllavisë së vjetër dhe këtë politikë e zhvillon mbi një praktikë absurde. Me Deitonin, Beogradi arriti një gjysëm suksesi por jo me Kosovën. Ajo që diskutohet sot praktikisht është influenca rajonale.
Në këtë skenë të shpartalluar ballkanike Brukseli ka një mungesë të arsyetuar të politikanëve të sprovuar të Luftës së Ftohtë… deri në bezdi. Shqiptari i thjeshtë, politikan ose jo ndjen pasigurinë europiane ndaj faktorit shqiptar dhe mungesën e një plani i cili do ti jepte cdokujt një balancim karshi tjetrit ku serbët, kroatët, shqiptarët, grekët dhe të tjerët të ndihen komod me atë që u takon dhe nuk u takon. Bosnja, Maqedonia dhe Kosova po kthehen në zona shahu provincial. “Asociacioni” është një eksperiment që prodhon një sovranitet më të kufizuar në një pjesë të teritorit. Ky është fakt. Politikisht serbët në formimin e shtetit të Kosovës kanë prodhuar një influencë teknike e cila fillon nga dy-gjuhësia e deri tek ky “zhardhok” që quhet “bashkësi” (përkthimi nga anglishtja)…. A ishte e pritshme kjo? Nuk dua tu zhgenjej duke thënë “JO”…Në fakt gati 100 vjet qëndrimi bashkë nën tjegullën e Jugosllavisë shqiptarët dhe serbët kanë ngacmuar nervat e njëri tjetrit bazuar në parimin e pabarazisë. Ky parim ka ngjallur nënvleftësime të dyanshme dhe mungesë të një fondamenti që dy kombe fqinj ngrenë për njëri tjetrin. Brukseli mendon se qetësimi relativ dhe “kufizimet” pa fitimtarë mund të garantojnë qetësi… Ashtu si një strateg rus mund të konsiderojë hapësirat e “bashkësisë” serbe si një “Krime” potenciale në kushtet e një krize ekstreme shqiptaro-serbe… Po kjo është vec një hipotezë mjaft “aventuriere” për cdo lloj politikani në Beograd. Nuk pres që ish-kryeqyteti i shtetit jugosllav që nuk ekziston më, të drejtohet nga një politikan më sfidant se sa Miloshevici…
Opozita po paralajmëron protesta për ta kundërshtuar Asociacionin, përderisa Qeveria thotë se me Asociacionin u njoh Republika e Kosovës nga Sërbia. Cili është komenti juaj?
Nuk ndihem aq komod sa të futem në cilësinë e debatit politik në Kosovë. Respektoj opinionet e gjithsecilit. Kjo është një cështje që natyrshëm do të ketë implikime. Cdo palë në një marrëveshje vjen me qëllimet e veta. Serbia kërkon të ruajë influencën e vendimarrjes në Kosovë duke kërkuar që përvec shtetit serb te garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe se sa territori ku ushtron sovranitet. Brukseli dhe Uashingtoni e Londra kane toleruar në favor të një Serbie më “europiane” për ta mbajtur larg një interesi rus. Nuk po lodh lexuesin se si e mendoj këtë të ardhme.
Pyetja që shtrohet qetësisht sipas mendimit tim për shqiptarët është se cfarë profili ata do të krijojnë përballë të tretëve në kohët që po vinë. Ka një rrezik të dyfishtë të cilin po përpiqem ta shtjelloj shkurtimisht. Nga njëra anë, ai është dyzimi ynë kulturor dhe politik midis lindjes dhe perëndimit e cila mund të vijë edhe si pasojë e komplekseve tona për të luajtur me të dyja krahët si sindrom i kombeve të vogla. Shqipëria përshembull ndan një miqësi pa kushte me Turqinë. Janë aleatët tanë pa asnjë dyshim dhe nënqeshje. Por, ka një “por”… Shqiptarët nuk janë prapashtesë e politikës turke apo e modelit të islamit politik. Miqësia dhe modeli janë dy gjëra të ndryshme. As grekët ortodoksë dhe as italianët katolikë nuk mund të jenë fondamenti ynë për standartin e miqësise. Të treja na ndikojnë që problemet e tyre të kthehen në problemet tona të brendëshme duke na bërë fushë “shahu” për të tretët. Kjo na con tek ana tjetër e rrezikut që në këtë presion serb dhe marrëveshjesh jo reciproke të vrapojmë në panik të gjejmë aleanca gjysmake e sporadike. Kjo mund të na sjellë në pozitën gjeopolitike të pas Luftës së Dytë kur komunistët të ndodhur midis lindjes dhe perëndimit ndërmorën udhëtimin e vetmisë drejt “askundit”… Të sjellurit si zonë “kufitare” apo me karakterizimin “urë” mund të na dëmtojë ashtu sic ndodh në raste luftërash dhe të na kthejë në zonë konflikti… Nuk jam i zymtë duke parashikuar një rrezik. Përkundrazi, e di dhe e ndjej se shqiptarët asnjëherë më shumë se më parë dinë të parashikojnë dhe të vendosin vetë… Kush ka menduar se “bashkësia” serbe bën cilësisht më europian shtetin e Kosovës gabohet…Dhe gabohet rëndë!
Një Asociacion po e themelojnë edhe shqiptarët e Luginës, mirëpo ata s’kanë mbështetje as nga Prishtina, as nga Tirana e as nga Brukseli. Në këto rrethana, a duhet krijuar Asociacioni i Komunave Shqiptare në Luginë?
Në parim statusi i Luginës së shqiptarëve në Serbi është në dorën e cilësisë së negociatave të Prishtinës me Beogradin. Në cdo rast, në mos sot, nesër kjo do të jetë një cështje që qëndron mbi dhe nën tavolinën e bisedimeve shqiptaro-serbe. Eshtë jashtë logjikës që në një tavolinë të barabartësh ku diskutohen parimet europiane të bashkëpunimit rajonal, serbët të kenë paritet të ndryshëm nga shqiptarët… Jam që të diskutohen e fundja të bihet dakord në mosmarëveshjet që ekzistojnë si të tilla. Kosovës dhe Serbisë i duhet një hartë e plotë e marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve që ekzistojnë midis tyre. Zyrtarizimi i mosmarrëveshjeve nuk është krizë por mundësi për të ardhmen. Heshtja ngjall keqkuptim. Nuk besoj se ka për ndodhur kjo e fundit.
Serbia po synon të integrohet në BE, përderisa vazhdimisht e shtyp komunitetin shqiptar. Kjo u pa të dielën, kur mijëra qytetarë të Medvegjës u penguan në kufi, duke mos i lejuar të votojnë. Pse ky mos reagim i Tiranës zyrtare për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë?
(Qesh) Mos prisni që serbët të kthehen në “engjëj” pas cdo marrëveshjeje. Serbia vuan humbjen e një mundësie që e pati për gati një shekull. Kualiteti që të le humbja është arroganca boshe. Mos prisni vetëm reagimin e Tiranës pasi ajo e ka humbur statusin e “kujdestares” unike të shqiptarëve në rajon…Tirana zyrtare ndan bashkë-kujdestarinë me Prishtinën të cilës nuk ka pse i bën hije. Nuk e di në se në raportimin e radhës në Kombet e Bashkuara përfaqësuesit e Prishtinës do të flasin edhe për këtë cështje. Shpresoj të ndodhi.
Keni qenë edhe ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë. Pse është e nevojshme që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, ndonëse kjo nuk po lejohet nga partitë serbe në Kuvend?
A mund të imagjinohet Kosova pa ushtrinë e vet në këto kohë të vështira që po vinë!? Përgjigja dihet. Serbët në këtë rast bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Eshtë një lojë nervash dhe kaq. Kosova është nje shtet që i ka dhe do ti formalizojë forcat e veta të armatosura. Mos e lodhni veten me pyetje që u dihet përgjigja.
Kosova është shteti i vetëm në Evropë, me të cilin BE-ja nuk i ka hequr vizat. A po përdorin ndërkombëtarët standarde të dyfishta për qytetarët e Kosovës?
Jo! Mendoj se Shteti Kosovës është shteti më i ri në këtë botë kaq të komplikuar. Precedenti i krijimit të tij është ndër më të lakuarit dhe që shpesh hyn në fjalorin e diplomacisë ndërkombëtare edhe për cështje që nuk lidhen direkt me të. Europa e priti Kosovën, “fëmijën” e vet, gjithë frikë si të ishte një rrufe në qiell të pastër…Nuk ishte një “fëmijë” si të tjerët. Kosova është një fëmijë që përkujton gabimet më shumë se sa dashurinë. Duhet te mësohemi me këtë lloj sjellje europiane. Janë duke na parë gjithë shqetësim cfarë jemi dhe si do sillemi në një tavolinë që nuk na llogariste njeri. Historia i trajtoi shqiptarët me statusin e jetimit. Amerikanët dhe britanikët që dinin më shumë nga marrëdhënia me historinë na ndihmuan më shumë. Të tjerët… do mësohen të na duan me kalimin e kohës dhe maturimin tonë. Nuk jetojmë në botë perfekte.
Të rikthehemi te barrierat ekonomike Kosovë – Shqipëri. Së fundmi ndodhi bllokada e rrushit, por më herët kemi pasur edhe “incidente” të tjera. Si e shihni ju bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve tona dhe si mund të përmisohet ai?
Incidentet e “patates” dhe “rrushit” janë për të vënë duart në kokë… e për të qeshur me veten, me kohën, me këtë histori që sikur të thotë se e mira të vret po aq sa e keqja po nuk pate mendjen aty ku duhet…
A po bënë sa duhet Shqipëria për ta përkrahur Kosovën për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si: OKB, Unesco, etj.
Do te ishte absurde e kundërta. Shyqyr që në UNESCO nuk diskutohet për patate dhe rrush… që të kemi probleme…
Një pyetje për shqiptarët të cilët jetojnë në Maqedoni. Nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar shtetërore as nga Shqipëria e as nga Kosova mbi konfliktin e Kumanovës. Pse kjo heshtje nga dy shtetet, kur aty janë vrarë dhjetë shqiptarë dhe të arrestuar nga Kosova dhe Shqipëria?
Ngjarja e Kumanovës ka shumë dritëhije. Pres të shoh më shumë fakte që të jap një gjykim për të. Implikimi i shërbimeve inteligjente dukshëm është në nivelin e dyshimeve të cilat kapërcejnë imagjinatën e filmave të spiunazhit. Një gjë është e qartë se ajo që u duk fillimisht dhe e vërteta janë dy gjëra që kanë korsi të ndryshme. Maqedonia është një shtet me fat për dy fqinjët e saj, Shqiperinë dhe Kosovën. Në një rajon tjetër një zot e di si do të kishin shkuar gjërat. Tani kuptohet pse Nëna Terezë ka shtëpinë në Shkup…
Duke e parë diskriminimin e shqiptarëve në Ballkan. A mendoni se do të jetë më pragmatike shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?
Pragmatike…?! Ka pasur në historinë e shqiptarëve një politikan “pragmatik” i kësaj natyre që luante me territoret e atdheut sikur tja kishte lënë trashëgim babai. Ai ishte Esat Pashë Toptani… Ky individ qëndron si turpi i historisë sonë kombëtare. Nuk ka politikanë të tillë Kosova. Asnjë! Sigurisht!/Zeri

Ky majkoka,qe jeton ne parajse me parate e shitjes se tankeve, tani hiqet engjell.
ASOSACIONI NUK ESHTE NJE EKSPERIMENT
AI ESHTE PROVUAR NE BOSNJE DHE PER KETE ARSYE BOSNJA SOT NUK MUND TE QUHET SHTET.
TE GJITHE SHQIPETARET, TA KENE TE QARTE SE NUK MUND TE JEMI SOVRAN NE TROJET TONA, PA U FUQIZUAR NE NIVEL NDERKOMBETAR ALEATI YNE NATYROR,
TURQIA.