Mund të lënë një shije të keqe në gojë, por ushqimet e hidhura kanë një potencial të fshehur që e kompenson këtë fakt. Studimet më të fundit tregojnë se ushqimet e hidhura mund të parandalojnë krizat e astmës. Sipas studimit, konsumimi i këtyre ushqimeve stimulon receptorët e shijes në qelizat e rrugëve të frymëmarrjes duke përmirësuar frymëmarrjen dhe duke relaksuar muskujt. Madje, disa ushqime si pjepri i hidhur zgjerojnë qelizat e kontraktuara të rrugëve të frymëmarrjes. Shkencëtarët e Universitetit të Masaçusetsit thonë se ky zbulim mund të jetë hapi i parë drejt një trajtimi të ri dhe efektiv të astmës. Ata thonë se eksperimenti i kryer te minjtë tregoi se efekti i ushqimeve të hidhura mund të jetë më i shpejtë dhe më i fortë se vetë trajtimet e përdorura deri tani për të mjekuar astmën. Receptorët e shijes së hidhur shërbejnë për të paralajmëruar trupin për ushqime të dëmshme siç mund të jenë ato të prishurat apo helmet. Këta lloj receptorësh mendohej se ekzistonin vetëm në qelizat e gjuhës, por vitet e fundit u zbulua se ata gjenden në shumë qeliza të organizmit.
Në mënyrë të veçantë, receptorët e shijes së hidhur që gjenden në muskujt e rrugëve të frymëmarrjes ndikojnë në relaksimin e qelizave që ekspozohen ndaj substancave të hidhura. Një krizë astme nuk është gjë tjetër veçse kontraktimi i këtyre muskujve, i cili shkakton ngushtimin e rrugëve të ajrit dhe për pasojë vështirësi në frymëmarrje. Gjatë një krize astme, kanalet në membranën e qelizave të muskujve hapen. Kjo i jep mundësi kalciumit të lëvizë në qelizë, duke shkaktuar kontraktim dhe frymëmarrje me vështirësi. Shkencëtarët thonë se ushqimet e hidhura mbyllin kanalet ku kalon kalciumi, duke bërë që qelizat të qetësohen. Ata janë të bindur se substancat me shije të hidhura mund të bëhen një armë e fortë për të luftuar astmën. Studimi është publikuar në revistën “Plos Biology”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli