At Gjon Buzuku që meshonte shqip

redaktor

Nga Vasil Puci

 

Skënder Braka një ndër ata publicistë që ka hyrë në rrugën e krijimtarisë letrare pa shumë bujë e zhurmë. Krijimtaria e tij zë fill që në vitin 1986 me librin për fëmijë “Mulliri i Brashit” krijimtari e cila erdhi duke u pasuruar si nga ana sasiore, po ashtu edhe nga ajo cilësore. Pa dyshim një ndër veprat e tij më të plota dhe më të realizuara është romani i botuar kohëve të fundit “Një libër për Arbërit”, i zhanrit historiko-letrar. Në këtë roman, autori na zbulon një botë të pasur dhe të patrajtuar më parë në letërsinë tonë. Ngjarjet e këtij vëllimi, jo pa qëllim autori i ka vendosur në një zonë të thellë malore, të Dukagjinit, ku personazhi kryesor, At Gjon Buzuku, ky famullitar i thjeshtë i shkollës françeskane bën shërbesat fetare. Me një stil të veçantë dhe krejt origjinal, bazuar në dokumentat historike të kohës, autori ka arritur të na paraqesë një libër të rrallë për nga ana kompozicionale, ku në qendër me një përgjegjësi tepër të madhe ka vendos një figurë komplekse siç është ajo e Gjon Buzukut. Në këtë figurë autori ka ditur jo vetëm të na i japë atë të plotë, por edhe të lidhur ngushtë me kohën në të cilën jetoi dhe punoi. Me librin e tij, autori Skënder Braka na bind se filozofia e famullitarit nga Kraja e Ulqinit, çlirimin kombëtar të vendit nga osmanët, nuk e shikonte kurrë të shkëputur nga çështja e madhe e ndërgjegjësimit dhe formimit kombëtar, faktor pa të cilët nuk mund të vinte në kushtet e mungesës së një gjuhe të shkruar kombëtare. Në ndryshim nga Barleti dhe Boçikemi të cilët veprat e tyre të mëdha i shkruajtën në latinisht për një arsye që tashmë dihet (për shkak se latinishtja ishte gjuha më në zë e kohës) Gjon Buzuku jo pa qëllim zgjodhi rrugën e të shkruajturit në gjuhën shqipe. Me një lexim të vëmendshëm kupton se tek Buzuku ngjarjet e mëdha të kohës, sidomos rënia e Shkodrës, pushtimi i qytetit të Durrësit, shkatërrimi i pashembullt i bibliotekës së këtij qyteti, si dhe persekutimet dhe vrasjet e njëpasnjëshme të klerikëve shqiptarë, zëvendësimi i tyre me klerikë ortodoksë serbë, të shoqëruara nga shkatërrimet vandale të veprave të kultit me tendencë kthimin e tyre në kisha ortodokse serbe, pothuajse në të gjithë trojet e Kosovës, kishin lënë gjurmën e tyre të pashlyeshme në jetën e famulltarit të thjeshtë.

Autori ka ditur të gërshetojë më së miri përpjekjet e Buzukut për të shkruar Mesharin, të parin libër në gjuhën shqipe që njihet deri më sot, me fatet e malësorëve ku shërbente si famullitar. Natyrisht shkrimi i një libri të tillë në gjuhën shqipe, nuk ka se si të pritet mirë së pari nga kisha e Shenjtë, së dyti nga Porta e lartë dhe së treti nga Kisha Ortodokse Sllave. Ndjenjën e revoltës që malësorët do ta shprehnin hapur duke u organizuar në kryengritje kundër sundimit turk, do të ishte një tjetër arsye për ta nxitur Atin në rrugën e tij të pakthyeshme.

Meritë e autorit në këtë roman është mjeshtëria e tij që kryesisht nëpërmjet veprimit dhe dialogjeve, nëpërmjet ngjarjesh dhe faktesh, si dhe nëpërmjet zhbirimeve psikologjike të personazheve dhe ndërgjegjes së tyre, ai arrin të depërtojë në botën e tyre të brendshme, duke na krijuar kësisoj edhe karaktere te goditura. Ajo që vlen të theksohet në këtë vepër, është fakti se autori te figura e At Gjon Buzukut më tepër se figurën e një kleriku shikon njeriu e ndershëm, patriot, që është gati të sakrifikojë gjithçka që gjuha shqipe, si njëra ndër gjuhët më të vjetra në kontinent të shohë të materializuar shkrimin e saj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *