Koncesione si ato që i ka bërë Berisha Greqisë nuk do kishim mundur t’ia bënim edhe sikur Vangjel Dulen të bënim kryeministër të Shqipërisë
Shqipëria është sot shteti më i izoluar i rajonit dhe më gjerë, për shkak të përdorimit të politikës së jashtme në funksion të politikës së brendshme elektorale të qeverisë.
Falë lëvizjeve të përçartura të Sali Berishës, Shqipëria është sot në krizë me Greqinë, Maqedoninë, Turqinë, Serbinë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Greqia ka adaptuar një qëndrim të egër pas deklaratave elektorale të Sali Berishës për kufijtë e Shqipërisë Osmane, Maqedonia anuloi vizitën e presidentit për shkak të britmave folkloriko- patriotike të Berishës në Shkup, Turqia është zemëruar që Berisha i ka dalë i pabesë, pavarësisht pazareve personale që ka bërë me Erdoganin, Bashkimi Evropian është shqetësuar dhe i ka dërguar qeverisë një notë të ashpër kundër deklaratave të Berishës, të cilën qeveria shqiptare nuk po e bën ende publike, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shikojnë jo pa alarm humbjen e shanseve për një shtet ligjor dhe zgjedhje të lira në vend.
Me një shpejtësi të mahnitshme, i futur në panik nga rritja e valës nacionaliste prej Aleancës Kuq e Zi, Sali Berisha shfaqi elementin e tij më të frikshëm për perëndimorët, paparashikueshmërinë. Ai kish shkuar në ekstrem në marrëdhëniet me Greqinë, duke i bërë asaj koncesione të paprecedentë në raport me kryeministrat e tjerë shqiptarë, dhe sidomos me Fatos Nanon, që e ka pas akuzuar si filogrek. Ai u dha atyre pesë varreza formale për eshtra ushtarësh, që nuk ekzistojnë, në një brez gjeografik që ringjallin me fosforin e kockave kufirin e vjetër të Vorioepirit, u dha koncesione të pafundme për deklarim etnik dhe rinegocim të pafavorshëm të kufirit detar, u toleroi mosfiksimin e kufirit tokësor me Greqinë, e cila nuk e njeh ende qysh nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, toleroi mosheqjen e ligjit të luftës nga Greqia dhe mos avancimin e problemit ligjor dhe historik të çështjes çame. Koncesione të tilla Greqisë nuk do kishim mundur t’ia bënim edhe sikur Vangjel Dulen të bënim kryeministër të Shqipërisë. Dhe pasi i bën gjithë këto dhe shikon se në vend rritet një valë patriotizmi që kërkon të vërë në vendin e vet disa të drejta që shqiptarëve u mohohen edhe nga grekët, kthen befasisht retorikën e tij duke prodhuar një stuhi antishqiptare në Greqi, e cila më së pakti na fshin nga kujtesa dhe nderet e pafundme që i ka bërë Greqisë deri dy ditë para.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Turqinë. E ftoi Erdoganin t’i vinte në 100 vjetorin e pavarësisë, edhe pse është legalisht mbajtësi i trashëgimisë së Perandorisë, nga e cila fituam pavarësinë. U përfshi me të në pazare publike e private, në privatizime klienteliste dhe deri në lobime të rrezikshme të neo-otomanizmit në Ballkan dhe fare papritur hyn me të në një konflikt për çështjen palestineze. Megaloman dhe paparashikueshëm, ai dhe më parë është përfshirë në politikat rajonale të Izraelit dhe Lindjes së Mesme, a thua se është Sekretar i Përgjithshëm i OKB dhe do zgjidhë gjithë hallet e botës duke bërë lëmsh hallet e vendit dhe kombit të vet. Si përfundim Kosovën nuk po e njohin as shtetet myslimane dhe as ato anti-myslimane, për të cilat përfshihet ky njeri në pazare.
Edhe pse i ka bërë ndere të pafundme Serbisë dhe Maqedonisë, ka hyrë tashmë dhe në konflikt me to për shkak të retorikës elektorale. Është rast i paprecedent se si një kryeministër u dhuron gjithçka nga sovraniteti i vendit fqinjëve, dhe pasi u jep gjithçka, hyn me ta në konflikt duke mos na qenë as mirënjohës për ato koncesione që po ky njeri i çekuilibruar ua ka bërë.
Por më tej akoma Sali Berisha po hyn në spiralen e konfliktit me Bashkimin Evropian dhe SHBA, të cilat nuk është se tremben nga nacionalizmi i Sali Berishës, por tremben dhe kanë të drejtë nga paparashikueshmëria e një lideri, i cili ndërron kurs si njeri i çekuilibruar mendërisht. Ai zgjohet në mëngjes duke fjetur me grekët në brigjet e Sarandës dhe erret në mbrëmje me mendjen e tij në Prevezë, ku i duket se ka kufirin e vet që i takon, fle gjithë natën me Fazlliçin dhe dajat e gruas së tij duke shitur asetet e Shqipërisë dhe në mbrëmje kërcënon Nikoliçin, fle gjithë natën me Erdoganin, me të cilin është bërë si ortak në pasuritë kombëtare të shqiptarëve dhe gdhihet në mëngjes si “sionist” izraelit. Ana tragjikomike e gjithë këtij çekuilibri është se gjithë kjo armiqësi e prodhuar, nuk vjen nga fakti se shikojnë Shqipërinë si rrezik apo nacionalizmin shqiptar si rrezik në horizont, por shikojnë rrezikun e një shteti batakçi, që bash kur i kanë rënë brekët në fund të këmbëve, bën si i fortë duke na bërë “gazi i botës”.
Në thelb Berisha është në një konflikt kulturor me Perëndimin, qe buron nga standardi i tij hileqar lindor, dhe jo në një konflikt nacionalist. Ai operon me Perëndimin siç operon me elektoratin shqiptar, të cilit një herë i thotë Ilir Meta është vrasës dhe një herë është hero, një herë i thotë Ahmet Zogut tradhtar dhe një herë hero, një herë i thotë Fatos Nanos vrasës i Azemit e një herë e bashkënderon me të. Thjesht ai është duke e konsideruar Perëndimin si një elektorat pa tru shqiptar, të cilit mund t’i thotë çfarë të dojë dhe ata duhet ta mirëkuptojnë se e bën për pushtet. Thjesht se i duhet.
Është pikërisht ky qëndrim eklektik prej njeriu të paqëndrueshëm mendërisht, politikisht dhe diplomatikisht, ajo që shqetëson SHBA dhe Bashkimin Evropian në lëvizjet e fundit të Sali Berishës. Ata nuk kanë frikë as nacionalistin Berisha dhe as servilin e pështirosur Berisha për nevoja të pushtetit. Ata kanë problem sjelljen si një shtet batakçi, për shkak të një batakçiu në krye të shtetit.