Ardhja e një force të re politike në qeverisje do të thotë gjithnjë një erë ndryshimi për atë vend e kështu po ndodh edhe me Shqipërinë, që tani ka nisur të shohë me më shumë perspektivë nga e ardhmja. Një Shqipëri që po përpiqet të shpejtojë hapat e saj drejt integrimit evropian e këtë natyrisht që do ta bëjë me njerëzit e saj më të mirë, me ata njerëz që kanë marrë votëbesimin e popullit. Vota e 23 qershorit konfirmoi se për të korruptuarit dhe të paaftët nuk ka më vend në administratën publike, pasi ata jo vetëm që nuk bënë asgjë, por shfrytëzuan postin e dhënë dhe e kthyen atë në një ofiq personal. Një administratë që këtë gjë e ka bërë për 8 vjet me radhë, duke mos menduar asnjëherë se i përkiste qytetarit dhe ishte në shërbimin e tij. Ata njerëz nuk e kanë bërë kurrë detyrën e tyre, sepse nuk kanë dashur, se kanë pasur në mendje vetëm të vjedhin ose nuk kanë ditur ta bëjnë atë, sepse kanë qenë të paaftë e militantë, ndaj duhet të largohen.
Ditët e fundit, po vërehet nga drejtuesit e Partisë Demokratike një “betejë” për të mbajtur në punë me zor këta njerëz që nuk dhanë asgjë kur ishin në pushtet. Por z.Paloka, ju harroni pushteti nuk është i përjetshëm e aq më tepër për ata njerëz që nuk mundën të bëjnë asgjë për këtë vend, madje e shkatërruan më keq atë. Cilët njerëz të aftë të qëndrojnë në administratën publike, ata që e shkatërruan sportin në 8 vitet e fundit. Që me ardhjen e zyrtarëve tuaj në pushtet nisi spastrimi në sport, duke vendosur në krye të sportit njerëzit më të paaftë, që nisën një luftë personale dhe e çuan drejt greminës sportin shqiptar.
Ish zv.ministri juaj Ekrem Spahia ishte dhunues dhe deklaronte pa turp se të majtët duhen larguar nga administrata. Një njeri që nisi shkatërrimin e sportit dhe e çoi atë drejt humnerës e pasardhësit e tij e shtynë atë. Këta njerëz jo vetëm që janë të paaftë, por edhe meskinë, duke zëvendësuar fjalën kundërshtarë (në termin sportiv) me armiq, duke krijuar federata me dy koka, duke futur përçarjen e urrejtjen në vend të bashkëpunimit. Këta njerëz nuk kanë më vend në sport.
Dhe ata njerëz janë jo vetëm në sport por kudo, ndaj dhe vendi ynë duhet të shpëtojë një herë e mirë nga këta zyrtarë në largim, pasi abuzimet e tyre kanë qenë të mëdha, të evidentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Përse doni t’i mbani në punë ende këta njerëz, z.Paloka, kur veprimet e tyre kriminale përbëjnë shkelje penale? Drejtues e zyrtarë që vodhën miliarda lekë në Drejtorinë e Lojërave të Fatit, të cilët mund të jenë gjithçka, por vetëm njerëz në shërbim të popullit jo. Ish-drejtori ishte abuzues me postin e tij dhe bashkë me grupin e tij bënë vjedhje marramendëse, që edhe sot rëndojnë në xhepat e shqiptarëve. Vjedhje që i dinin edhe zyrtarët e Ministrisë së Financës, por edhe këta heshtën e për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi penale e jo të qëndrojnë ende në punë. Apo mos vallë e keni për zyrtarët e Kryeministrisë, që me gjithë dokumentet e paraqitura për miliarda lekë abuzime me lojërat e fatit, bënë një kontroll dyditor pa marrë parasysh fare ankesat. Apo mos e ke fjalën për Prokurorinë, që nuk i mori fare për shqyrtim ankesat për abuzime kolosale në shumë sektorë të vendit?
Kjo Prokurori që hesht në vend të hetojë dhe në rast se nuk i çon ata para gjyqit, atëherë do të mbulojmë edhe më tepër vjedhjen dhe po në të njëjtën mënyrë do të veprojnë edhe pasardhësit e tyre.
Sot, kur era e ndryshimit po na deh të gjithëve e na shtyn drejt një Shqipërie që vrapon për të shkuar në Bashkimin Evropian nuk mund të qëndrojë më në punë një administratë e tillë e korruptuar deri në palcë. Një administratë që këtë gjë e ka bërë për 8 vjet me radhë, duke mos menduar asnjëherë se në atë karrige ishte ulur prej votës së popullit dhe për të qenë në shërbimin e tij. Ata njerëz kanë pasur në mendje vetëm të vjedhin, ndaj dhe sot korrupsioni është një sëmundje alarmante në Shqipëri. Ata janë të paaftë e militantë, ndaj duhet të largohen e jo të fshihen poshtë karriges për të qëndruar ende në atë zyrë ku kanë abuzuar me postin.
Sot Shqipëria e rinia e saj në veçanti sheh përpara me një tjetër vizion, atë të punës dhe integrimit, të një vendi që kërkon të ecë drejt një të ardhme më të mirë. Ky është një shans i mirë për këtë vend që nuk duhet humbur, por kjo gjë nuk bëhet me njerëz të vjetruar e pluhërosur në administratë dhe të ndryshkur prej korrupsionit disavjeçar.
Ata nuk kanë se çfarë t’i japin më Shqipërisë, përkundrazi ata e kanë vjedhur dhe shkatërruar këtë vend, duke futur në xhepat e tyre ato miliarda lekë që sot duhej të ishin kthyer në spitale, rrugë, shkolla e më shumë mirëqënie. Ndaj sot nuk ka më kohë për të humbur me njerëz që e dinë shumë mirë se cili është fundi i tyre, por duhet parë me optimizëm përpara, për të sjellë në shërbim të qytetarit dhe shtetit ata njerëz që kanë pasionin e dëshirën për të vrapuar drejt një Shqipërie evropiane.
*President i KOKSH-it
Te pershendes Bezhani. Je shume i sakte. Keta njerez meskine e te paskrupuj e mbaruan misionin. Po dhe shume pa turp.
Ne radhe te pare urime per detyren e re si president i KOKSH-it,jam dakord me cfare shkruan dhe shpresoj qe qeveria e re duke u mbeshtetur tek ju dhe organizmat e tjera sportive ne vend ta coni sportin perpara.Persa i perket paraardhesve tuaj hajdute ,te koruptuar dhe deri kriminele duhet ti dergoni ne gjyq perpara drejtesise, kjo duhet bere pa hezitim, se jo ,jemi ketu dhe perallisim kot gjthe diten,denonconi,denonconi dhe ne gjyq ti coni se ne te kundert jane te kota keto qe deklaroni.Kam nje mendim,per ta cuar sportin me perpara duhen sponsor,mundohuni ta kaloni ne ligj sponsorizimin e sportisteve elitare te vendit.