“Ata që kanë në dorë fate njerëzish duhet të jenë më të përgjegjshëm”

redaktor

Një biznesmen funeralesh që vrapon drejt pasurisë me dëshirën për t’u bërë kryetar bashkie një ditë. Një grua që tradhton burrin me priftin, me dëshirën për të patur një fëmijë. Një zonjë që ka një fëmijë, pavarësisht se nuk ka burrë dhe… të gjithë dinë gjithçka dhe askush nuk flet.

“Vallëzimi i fundit”, është shfaqja e radhës që u ngjit këtë fundjavë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në kryeqytet. Autori dhe regjisori Erand Sojli nëpërmjet artit të tij na fton të jemi dëshmitarë të një kohe kur arroganca, paraja dhe injoranca kanë manipuluar çdo lloj besimi. Por sipas tij, dashuria është e vetmja që mund ta shpëtojë njeriun. Shfaqja përcjell situata të luajtura në presion dhe atmosferë të papriturash, njerëz që vegjetojnë dhe fshihen pas gishtit, personazhe që mendojnë ndryshe dhe veprojnë krejt ndryshe. Vepra, e ndërtuar me nota komiko-tragjike, tregon sesi duhet të shohim brenda vetes për të kuptuar kush jemi dhe ku duhet të shkojmë… Shfaqja erdhi nën interpretimin e aktorëve: Kastriot Shehi, Rina Narazani, Hysen Mullajonuzi, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi dhe Mario Elezi.

“Vallëzimi i fundit” nis me shpresë dhe të tashmen e kthen në të shkuar. Jam i bindur që spektator ka marr një shije të pastër dhe plot shpresë”,– tregon, regjisori dhe autori Erand Sojli për DITA.

Kritikë ndaj veseve dhe situatës në shoqëri, por shpresëplotë se çdo gjë mund të bëhet, Sojli thotë se: “Jam artist dhe mund të rendis të meta mbi qeverisjen e vendit, jo vetëm nga kjo qeveri, por nga të gjitha ato që do pasojnë. Artisti lind dhe vdes në opozitë”.

Në një intervistë për DITA, Sojli flet për veprën e tij të fundit të vendosur në skenë, megjithëse e lindur 13 vite më parë duket sikur është shkruar dje. Fakti që i ka rezistuar aktualitetin do të thotë që, asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas një dekade. Ai tregon për artistin në Shqipëri dhe realitetin e përditshëm ku jeton. “Unë kur dal nga shtëpia jam plot dritë, shpresë dha dashuri. Rrugës bëhem pis, por kam mendjen time. E di që çdo realitet tjetër nuk më përket. Njerëzit janë të mirë, të dashur, por fatkeq. Ata që kanë në dorë fate njerëzish duhet të jenë më të përgjegjshëm”. Në këtë bisedë Erand Sojli zbulon se këtë vit është bërë edhe më i pasur…

 

Erand, çfarë është “Vallëzimi i fundit” dhe kur ka lindur tek ti?

Vallëzimi i fundit është një tragjikomedi e cila ka lindur te unë para 13 viteve.

Tematika është aktuale, por fenomenet që trajtohen nuk janë vetëm shqiptare, apo jo?

Nuk është vetëm shoqëria shqiptare. Unë nuk merrem me shoqërinë shqiptare pasi ajo nuk ka asgjë më pak se shoqëritë e tjera. E veçanta e kësaj pjese qëndron në faktin se ngjarjet që ndodhin, karakteret, dhe gjithçka tjetër nuk ndodh në Shqipëri, por spektatori e konsideron si të tillë.

“Jemi dëshmitarë të një kohe kur injoranca, arroganca dhe paraja e kanë manipuluar besimin”-thoni ju, por a ka shpresë?

Sigurisht që ka shpresë. Por ka dhe kosto. Ne si shoqëri nuk e kemi konceptin e sakrificës. Ne vuajmë dhe sakrifikojmë më shumë nga frika se sa për ideale dhe kauza të drejta. Ndaj te “Vallëzimi i Fundit” personazhi kryesor largohet vetë, pasi arrin të kuptojë dhe të pranojë se në botë sado para, pushtet dhe lavdi të kesh, je i mbaruar pa dashurinë dhe një shoqëri të shëndetshme. Ne na mungon dashuria për njëri-tjetrin.

Erand Sojli
Erand Sojli

Në këto kushte si t’ia bëjmë?

Duhet të kemi besim te veprat e mira. Besim te virtytet. Kurajë për të parë larg.

Në shfaqje thuhet një frazë: “Gala për të varfrit dhe shampanjë për lypsat”, çfarë do të thotë?

Është një frazë që nënkupton dukjen, formën, luksin e mjerimit. Nuk mund t’i shpjegoj të gjitha pasi nuk mbetet gjë për të kuptuar.

Në ç’raport qëndron njeriu me pandershmërinë?

Nuk ka njerëz të ndershëm dhe të pandershëm. Ka rrethana dhe situata të pandershme.

Po sipas teje, a duhet të bëjmë kompromise?

Sigurisht që duhet të bëjmë kompromise. E gjithë bota reale është e ndërtuar mbi kompromisin, por kompromiset duhet të bëhen për ideale të mëdha, jo për interesa që të sigurojnë diçka tani dhe të mbysin pak më vonë.

Askush nuk thotë që “jam i poshtër, i pandershëm dhe gënjeshtar”, përveç Orestit. (Personazhi kryesor i shfaqjes). Ai largohet duke mbjellë shpresë. “Po iki sepse sa më shumë të qëndroj, aq më shumë do më duan njerëzit, dhe unë do vazhdoj t’i vras çdo çast nga pak”.

Duket sikur dëshira për të ndryshuar nuk mungon, por ndoshta shoqëria po shkon drejt shkurajimit…?

Nuk ka shkurajim. Pse nuk paska shkurajim për t’i bërë dëm tjetrit dhe paska për t’i bërë mirë? Jo, unë mendoj se shoqëria jonë nuk po gjen rrugën. Nuk po gjen drejtimin. Ka njerëz të mirë që duan të bëjnë diçka, por nuk dinë se si. Në ç’mënyrë … Dhe për mua mënyra e vetme është edukimi nëpërmjet teatrit kulturës dhe medias. Këtu qëndron e keqja.

Po për ju vetë, sa e vështirë është sot të bësh artistin e më pas të punosh mes tyre?

Artist nuk bëhesh, por lind! Artisti nuk njeh vështirësi sepse e ka nevojë patologjike për t’u shprehur. Majtas kam zemrën, djathtas kam shpirtin. Unë punoj në një televizion ku bëj humor dhe fitoj shumë mirë. Ama nuk kam mundësinë të shprehem artistikisht pasi televizioni është diçka tjetër. Nuk është pjesë e artit, por e konsumit. Me atë çfarë fitoj nga puna ime siguroj jetesën e familjes. Teatrin, filmin e kam për argëtim.

Sa i vështirë është realizimi i një premiere, sigurimi i fondeve?

Nuk flasim për fonde. Nëse do presë fonde artisti do të vdesë brenda vetes. Kush paguan sot për teatër? Japin ca para dhe vënë reklama. Fond? Shqipëria ka kaq shumë artistë sa që nuk do mjaftonte as gjithë buxheti i shtetit për t’i mbuluar. Kemi teatro të personalizuar me emra drejtorësh, nuk kemi institucion kombëtar teatror. Nga ky moment nuk ke çfarë pret. “Vallëzimi i fundit” është prodhim i teatrit “Skampa”, Elbasan. U jam mirënjohës sepse më dhanë mundësinë të shprehem artistikisht dhe sollën në jetë një fëmijë timin të fshehur prej 15 vitesh. Ishte një dëshirë e aktores Antoneta Doka e cila kishte vite që më kërkonte ta vija në skenë këtë pjesë. Dhe me sa duket ajo fitoi. Por nëse nuk do ishte Teatri “Skampa” kjo vepër do rrinte ende në sirtarët e mi. Vështirësitë kanë qenë nga më të çuditshmet, por kasti i aktorëve ka sakrifikuar shumë për të arritur rezultatin që kemi sot në skenë. Asgjë nuk bëhet vetëm. Unë kam fatin të jem i njohur prej televizionit, por po të dalësh jashtë Tirane ka shumë artistë të cilët sakrifikojnë dhe jetojnë me artin e tyre duke mos ju përgjigjur shumë kompromiseve. Dhe unë i adhuroj këta njerëz. Teatri është arti më i bukur. Askund nuk mund t’i shijosh emocionet live. Askund nuk e ndjen frymën e aktorit. Askund ti nuk mund ta ndjesh si rreh zemra e personazhit tënd të dashur përveç se në teatër.

Vallezimi i fundit
Vallezimi i fundit

Erand, cila është ajo gjë që ju shqetëson sa herë që dilni nga shtëpia?

Asgjë. Unë kur dal nga shtëpia jam plot dritë, shpresë dha dashuri. Rrugës bëhem pis, por kam mendjen time. E di që çdo realitet tjetër nuk më përket. Njerëzit janë të mirë, të dashur, por fatkeq. Ata që kanë dorë fate njerëzish duhet të jenë më të përgjegjshëm.

Tani po ju shohim në teatër, por publiku ka treguar që ju do edhe kur bëni humor…

Humori është ilaçi i vetëm për t’i kapërcyer momentet e vështira.

Megjithatë, nuk është çdo gjë zi apo jo… çfarë të mirë dhe pozitive gjen në ambientin ku jeton, qytetin, njerëzit që të rrethojnë…?

Kam fat që kam një atdhe, një baba dhe një nënë. Jetoj në një qytet ku puna me shtëpinë janë shumë pranë. Takoj njerëz që më duan dhe më respektojnë.

Jemi në fund të 2015-s, si ka qenë ky vit për ju?

Kam patur një vit plot emocione, të cilat më kanë dhënë forcë dhe kurajo për të ardhmen. Emocionet janë pasuri. Unë këtë vit kam qenë më i pasur!

Si ju duket atmosfera festive në Tiranë… ju pëlqejnë këto ditë?

Tirana më ka pëlqyer dhe në ditët më të zeza të saj. Nuk ka qenë kurrë kaq e bukur për festat e fundvitit. E kuruar si asnjë vit tjetër. Ndoshta kjo atmosferë do më detyrojë që pas kaq vitesh ta festoj këtu Vitin e Ri.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *