Atalanta tregon edhe njëherë tjetër që është macja e zezë e Interit, duke mos i lejuar milanezët të arrijnë për herë të parë në këtë sezon tri fitore radhazi. Interi, që nuk fiton që nga viti 2010 me Atalantën, u mund 1-2 në “San Siro”, me një gol të pësuar në fundin e lojës. Kundër Interit ishin edhe shtyllat e portës kundërshtare, që i mohuan tri herë golin. Atalanta shënoi në minutën e 35-të, por Interi u përgjigj pas një minute, me Ikardin. Në minutën e 53-të goditja e Guarin nga distanca u ndal nga traversa, të njëjtin fat pati edhe Palacio shtatë minuta më vonë. Interi ishte i gjithi përpara, duke kërkuar me ngulm golin e fitores, por edhe një herë traversë, në minutën e 88-të. Vetëm pak sekonda më pas, Buonaventura shënoi të dytin për Atalantën, e cila largohet me tri pikë të rëndësishme nga Milani. Një fitore të madhe arriti edhe Fiorentina në Napoli, falë golit të shënuar nga Joakin. Napolitanët, që luajtën që nga minuta e 37-të me një lojtar më pak, tani e kanë tepër të vështirë të kapin Romën në vendin e dytë dhe duhet të mbrojnë vendin e tretë pikërisht nga Fiorentina. Fitoren më të thellë e arriti Sampdoria, e cila mundi 5-0 Veronën. Pasi shënoi që në minutën e katërt, skuadra e Sinisha Mihajlloviç dominoi plotësisht takimin. Parma arriti rezultatin e 17-të pozitiv radhazi, por nuk mundi të fitonte në shtëpi me Xhenoan. Barazim 1-1, i fiksuar që në pjesën e parë.
